Lajme
Valbon Limani prezantoi masat sociale: Mbështetje për rininë, gratë, familjen dhe shkollat
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në një konferencë për shtyp prezantoi pesë masa konkrete sociale që, sipas tij, do të zbatohen menjëherë pas marrjes së mandatit.
Valbon Limani:
“Ne kemi treguar se dimë të zbatojmë vendime. Vitin e kaluar ndamë nga 100 euro për çdo familje me fëmijë të porsalindur dhe këtë masë do ta vazhdojmë edhe sivjet.”
Ai theksoi se rinia do të jetë prioritet kryesor i qeverisjes së tij.
Valbon Limani:
“Çdo vit do të mbështesim 30 start-up-e rinore me nga 60.000 denarë, sepse investimi në të rinjtë tanë është investim në të ardhmen e Gostivarit.”
Mbështetje të veçantë do të kenë edhe gratë.
Valbon Limani:
“Zhvillimi nuk mund të jetë i plotë pa fuqizimin e grave. Çdo vit, 30 gra dhe vajza do të përkrahen financiarisht për nismat e tyre të biznesit.”
Si masë me karakter social dhe familjar, Limani prezantoi edhe projektin për gjyshërit pensionistë.
Valbon Limani:
“Gjyshërit tanë mbajnë barrën më të madhe të kujdesit për fëmijët. Për këtë arsye, ata do të përfitojnë nga 30.000 denarë në vit, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje.”
Në fokus është edhe siguria në shkolla.
Valbon Limani:
“Do të krijojmë programin ‘Ambasadorët e Sigurisë dhe Respektit’ në çdo shkollë, që nxënësit ta mbrojnë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë shkolla pa bullizëm.”
Në fund, Limani theksoi se këto masa nuk janë premtime, por plan konkret veprimi për një Gostivar më të drejtë dhe më të zhvilluar.
