Connect with us

Lajme

Valbon Limani hap fushatën në Gostivar: Me besim në Zot dhe me qytetarët, fitorja mban numrin 3

Published

on

Kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, ka hapur sonte zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 11 janarit, në një tubim të gjerë me praninë e liderëve të kaolicionit Ali Ahmeti dhe Arben Taravari, shtabit zgjedhor, deputetëve, përfaqësuesve institucionalë, forumeve të gruas dhe rinisë, si dhe mërgimtarëve.

Në fjalën e tij, Limani falënderoi qytetarët për mbështetjen në raundin e parë, duke theksuar se fitorja iu mohua për një numër të vogël votash, por shprehu bindjen se në raundin e dytë do të triumfojë vullneti qytetar.

“Kjo nuk është hera e parë që provohen lojëra të tilla në Gostivar, por jam i bindur se me ndihmën tuaj dhe mbi të gjitha me vullnetin e Zotit do t’ia dalim,” deklaroi Limani.

Ai theksoi se nuk beson në premtime të pambajtura fushatash, duke nënvizuar se angazhimi i tij politik bazohet në projekte reale dhe të realizueshme që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Gostivarit.

Limani u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime për të rikonfirmuar vullnetin e tyre, duke e cilësuar këtë proces si një betejë për dinjitet dhe për të drejtën për të vendosur vetë për fatin e qytetit.

Në fjalimin e tij, ai u prezantua edhe në aspektin personal, duke theksuar se është mjek me profesion, bashkëshort dhe baba i tre vajzave, i rritur me vlera familjare dhe me besim të palëkundur në Zot. “Besoj në Zot më shumë se çdo gjë dhe për parimet e Zotit nuk bëj kompromis me asgjë,” u shpreh Limani.

Në përmbyllje, kandidati i AKI-së ftoi qytetarët që fushatën ta përjetojnë si festë bashkimi dhe uniteti, duke theksuar se Gostivari duhet të fitojë përballë çdo përpjekjeje për t’ia mohuar vullnetin qytetarëve.

“Me Gostivarin në zemër dhe me besim në Zot, nisim sot rrugën drejt Fitores së Madhe. Tashmë fitorja jonë mban numrin 3,” përfundoi Limani.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *