Lajme
Limani flet për vizionin politik dhe zhvillimet e mundshme në vitin 2026
Në edicionin qendror të lajmeve në TV Alsat, kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim – BDI dhe ASH, Valbon Limani, foli për vizionin e tij politik dhe drejtimin që, sipas tij, do të marrë skena politike në të ardhmen.
“Gostivari është pasioni im dhe i ekipit që punon me shumë zell për Gostivarin. Gostivari është motivi i vetëm me të cilin unë kandidohem në këtë moment dhe ekipi që qëndron pas meje. Besoj që pas arritjes së fitores më 11 janar do të shihet e gjithë dinamika e zhvillimit në skenën politike këtu në Maqedoninë e Veriut”, tha Limani.
Në pyetjen shtesë të moderatorit nëse kjo nënkupton zhvillime apo lëvizje brenda Aleancës Kombëtare për Integrim, respektivisht ndonjë largim eventual nga koalicioni, Limani sqaroi se nuk bëhet fjalë për cënim të bashkëpunimit politik.
“Flas për ndodhitë që mund t’i parashikojmë për vitin 2026 dhe, ashtu siç e kanë thënë edhe shumë të tjerë, nuk përjashtohet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Tani BDI e ka kongresin, edhe ne si ASH do të mbajmë kuvend qendror. Besoj që do të ketë zhvillime dhe, varësisht se nga cili krah do të zhvillohet politika dhe a do të ketë zgjedhje të parakohshme, ashtu do të ketë zhvillime edhe në Aleancën Kombëtare për Integrim”, u shpreh Limani.
Limani foli edhe për mundësinë e bashkimit të dy krahëve të ASH-së dhe iniciativën e deputetit Ilir Demiri, duke theksuar se çdo përpjekje në këtë drejtim është pozitive.
“Çdo iniciativë për forcimin dhe unifikimin e partive shqiptare është veprim që shkon në dobi të qytetarëve”, tha Limani.
