Connect with us

Lajme

Universiteti i Tetovës nderon ish-presidentin Rexhep Meidani me titullin Doctor Honoris Causa

Published

on

Në kuadër të 31-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, institucioni do të nderojë Prof. Dr. Rexhep Meidani, politikan shqiptar dhe ish-president i Republikës së Shqipërisë, me titullin Doctor Honoris Causa, përcjell SmartNews

Ceremonia solemne do të mbahet më 17 dhjetor, duke filluar nga ora 14:00, në Amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” të Universitetit të Tetovës.

Në përvjetorin e Universitetit të Tetovës, ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, do të nderohet me këtë titull të lartë akademik. Universiteti i Tetovës vlerëson lart figurën dhe kontributin e Prof. Dr. Meidanit në jetën akademike dhe publike, duke e cilësuar këtë nderim si një moment të veçantë për institucionin.

Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Mejdani i ka dhënë kauzës së Universitetit që në vitet e para të themelimit, si dhe për rolin e rëndësishëm të kuadrove akademike nga Shqipëria në mbarëvajtjen dhe zhvillimin institucional të UT-së.

Ky nderim vlerëson kontributin e Prof. Dr. Meidani në fushën akademike, politike dhe shoqërore, duke e lidhur atë me historikun dhe traditën 31-vjeçare të Universitetit të Tetovës.

Ndryshe, kariera politike e Rexhep Meidanit nisi pas viteve ’90. Ai ishte kryetar i KQZ-së në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991 dhe anëtar i Këshillit Presidencial (1991). Gjatë viteve 1992-1996 u angazhua në shoqërinë civile, duke qenë edhe kryetar i bordit të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (1994-1996). Më 1996, aderoi në Partinë Socialiste dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i saj (1996-1997).

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit 1997, zoti Meidani u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas fitores së koalicionit të majtë të drejtuar nga Partia Socialiste, më 24 korrik 1997, Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi zotin Meidani President të Republikës, detyrë të cilën e ushtroi deri më 24 korrik 2002, kur u zëvendësua nga pasardhësi i tij, Alfred Moisiu./SmartNews.mk/

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *