Lajme
Isen Shabani në terren – bashkë me qytetarët gjatë punimeve në Dobërdoll
Ish kryetari i Komunës së Vrapçishtit dhe kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Isen Shabani, ka njoftuar për fillimin e punimeve të asfaltimit të rrugës “Brahim Aga” në fshatin Dobërdoll.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shabani bëri të ditur se punimet kanë nisur pas përfundimit të plotë të kanalizimit dhe ujësjellësit. Ai theksoi se puna po zhvillohet me ritëm të shtuar, në mënyrë që rruga të përfundojë para ardhjes së mërgimtarëve, duke krijuar kushte më të mira dhe qarkullim më të sigurt për banorët.
“Ka filluar asfaltimi i rrugës ‘Brahim Aga’, pasi u finalizuan punimet në kanalizim dhe ujësjellës. Puna po ecën me ritëm që rruga të jetë gati para ardhjes së mërgimtarëve. E gëzofshi!”, ka shkruar Shabani.
Ndryshe, Isen Shabani është kandidat i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 11 janar, ku ai synon sërish besimin e qytetarëve me fokus në zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në komunë.
