Lajme
Snopçe: 70% e institucioneve shkelin ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe – asnjë dënim deri tani
Deputet i Aleancës për Shqiptarët ka reaguar pas të dhënave të fundit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, sipas të cilave janë kryer 357 inspektime, ndërsa në 70% të rasteve janë konstatuar shkelje të detyrimit ligjor për zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet publike.
Sipas deputetit, situata është alarmante, sepse pavarësisht shkeljeve të shumta të dokumentuara, institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese:
“Fatkeqësisht, deri më sot askush dhe asnjë institucion nuk është dënuar për shkeljen e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Kjo tregon qartë mungesë vullneti politik dhe institucional,” deklaroi ai për Ora News.
Deputeti theksoi se mosndëshkimi po krijon një kulturë të pandëshkueshmërisë, e cila e bën ligjin praktikisht joefektiv:
“Kur ka shkelje, duhet të ketë përgjegjësi. Pa dënime, ligji mbetet vetëm në letër dhe qytetarët humbin besimin te shteti,” shtoi ai.
Ai kërkoi që qeveria dhe organet e rendit të zbatojnë ligjin pa kompromis dhe të sigurojnë që gjuha shqipe të respektohet në mënyrë të barabartë dhe të detyrueshme, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe legjislacioni aktual.
