Bit Pazari nuk është vetëm një treg. Ai është zemra e Çairit dhe simbol i Shkupit. Prej dekadash aty takohen breza, aty ushqehen familje dhe aty njerëzit me punën e tyre të përditshme sigurojnë jetesën. Mirëpo, dihet se kushtet në të cilat punojnë tregtarët nuk janë të denja për mundin që ata japin. Është koha që kjo të ndryshojë. Kështu ka thënë sot gjatë një vizite në Bit Pazar, Bujar Osmani, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, ndërsa ka prezantuar Programin për kushte më të mira për tregtarët në këtë treg më të madhin në Shkup.
Një nga hapat e parë, ka thënë Osmani, është zgjidhja e problemit të parkimit. “Në afërsi të tregut do të ndërtohet një garazh me kate, me një çmim simbolik për tregtarët dhe kushte të përballueshme për blerësit. Kjo do të sigurojë qasje më të lehtë, më shumë vizitorë dhe qarkullim më të madh. Po ashtu, do të investohet në higjienë dhe siguri. Do të ketë pastrim të rregullt, ndriçim modern dhe video-mbikëqyrje. Bit Pazari duhet të jetë njëkohësisht i pastër dhe i sigurt – kjo është në interes të tregtarëve, të blerësve dhe të gjithë qytetarëve. Bit Pazari do të shndërrohet edhe në një atraksion turistik. Me një plan të përgatitur nga arkitekti botëror Michel Rojkind, do të hartohet një projekt që do të ruajë shpirtin dhe trashëgiminë e tregut, por do ta forcojë atë me kushte të denja për shekullin XXI”.
Më e rëndësishmja, ka shtuar ai, është se çdo ndryshim do të bëhet me transparencë dhe në konsultim me palët e interesuara.
“Do të formohet një këshill i tregtarëve që do të jetë partner i Komunës në procesin e vendimmarrjes dhe mbrojtjes së interesave të përgjithshme. Jam i bindur se me këto masa konkrete, Bit Pazari do të bëhet krenari e Çairit dhe e tërë Shkupit. Këto nuk janë fjalë boshe, por pjesë e një programi të qartë, me afate të caktuara dhe projekte konkrete. Së bashku do të ndërtojmë një Bit Pazar me të cilin do të krenohemi të gjithë: tregtarët, Komuna dhe Shkupi si shtëpia jonë e përbashkët”, u shpreh Bujar Osmani.