Lajme
Taravari uron kundëkandidatët, kemi më shumë vota por nuk kemi kryetarë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke përgëzuar kandidatët për garën e ndershme dhe duke analizuar rezultatet e oborrit politik shqiptar.
Postimi i plotë:
“Të dashur qytetarë,
Të dashur votues të koalicionit AKI,
Dje, në raundin e dytë të votimeve ne morëm një përgjigje të qartë nga rezultatet.
Faleminderit të gjithëve!
Dua të përgëzoj të gjithë kandidatët tanë të AKI-t për garën e ndershme dhe dinjitoze që patën.
Ashtu si ata, bashkohem në urimin për fitore të gjithë kandidatëve që fituan!
Ne si koalicion kemi më shumë vota popullore, por nuk kemi kryetarë. Qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna.
Gjithsesi, në Gostivar dhe Vrapçisht qëlluam në shenjë; aty jemi fitues dhe kjo fitore është jo thjesht lokale, por aty fituam kundër një shteti që na mban peng me census.
Këto janë çaste të gëzuara për fituesit, të vështira për ata që nuk ia dolën, zemërim për ata që u tradhëtuan, dhe qesharake për disa që janë me grupin fitues vetëm sepse tradhëtuan. Shumica janë nën emocion, e emocioni nuk lejon qartësi. Mua më ndihmon profesioni im të jem racional dhe i ftohtë përballë fakteve, dhe kam një pyetje:
Me rezultatet e djeshme a fituan shqiptarët?!
Edhe për ata që nuk e dinë përgjigjen, koha do ta tregojë fatkeqësisht shumë shpejt!”, ka përfunduar Taravari.
