Lajme
“22 Nëntori” po afrohet, Kongresi neglizhohet edhe sivjet
Vetëm dy javë kanë mbetur deri në fillimin e aktiviteteve për shënimin e 117 vjetorit të Kongresit të Manastirit (14 nëntor – 22 nëntor 1908), por agjenda e aktiviteteve nuk është plotësuar. Me një buxhet të kufizuar, prej vetëm 250 mijë denarë, fondi i akorduar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, është më shumë sesa i pamjaftueshëm për të mbuluar një javë denjësisht përkujtimore, ndërsa nga Qeveria që zakonisht mbështet përgatitjet e ngjarjes kryesore më 22 nëntor nuk kanë planifikuar asgjë. Drejtori Nuer Arsllani, ushtrues detyre, mandati i të cilit skadon më 16 nëntor, pohon se janë në kontakte, por nuk kanë asgjë të konfirmuar.
“Me fondin në dispozicion nuk kemi mundësi për të planifikuar aktivitetet që do të dëshironim të kishim. Gjithsesi nga ana jonë e kemi bërë tonën, një pjesë të manifestimeve që do të zhvillohen, por jo listën e plotë. Është vonë, por kjo është situata”, thotë për KOHA, Arsllani. Alarmi për fondin e vogël të akorduar këtë vit është dhënë edhe në muajin qershor, kur ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov gjatë një vizite në institucionet kulturore të qytetit, nuk u ndal në Muzeun e Alfabetit.
“Nëse në 2024 kishim buxhete të vogla, institucione të lëna pas dore këtë vit kemi buxhete dyfish më të mëdha, realizim dy herë më të lartë dhe një përparim më të madh të institucioneve”, pati deklaruar Lutkov. Në fakt MKT jo vetëm që nuk e shtoi, por caktoi katër herë më pak se në Programi e 2024 dhe shumëfish më pak sesa kur u iniciua shënimi i 22 Nëntorit me një javë aktivitete, aq sa zgjatën punimet e Kongresit. “Kjo është data më e rëndësishme për ne, si institucion dhe si shqiptarë, është një ditë feste. Me 250 mijë denarë që na kanë ndarë është krijuar një situatë alarmante. Kam bërë ankesë dhe jemi refuzuar. Është një shumë jashtëzakonisht e vogël, pasi është një javë me aktivitete. Po ta krahashosh me vjet është katër herë më pak – një milion denarë, por edhe me vite më parë, kur janë akorduar deri në 10 milionë denarë”, thotë Arsllani.
Kompozimi i dhomës përkujtimore me figurat në silikon të firmëtarëve të Kongresit në vitin 2016 dhe rikonstruktimi i objektit nga fondet IPA, janë dy ndërmarrjet e vetme të rëndësishme për Muzeun e Alfabetit, ndërsa shpërfillja institucionale çdo vit është edhe më evidente. Edhe ky përvjetor e gjen institucionin nacional në një situatë të ngjashme, dy të punësuar (kustos, edukator), buxhet të vogël, kontestin e pazgjidhur pronësor…Për momentin historiani (kustosi) i vetëm i muzeut, punon si drejtor, ndërsa nuk ka as jurist.
“Bëjmë kërkesa që pasi arrijnë disa shkallë miratohen e më pas refuzohen. Jemi shumë pak”, thotë Arsllani. 22 Nëntori – Dita e Kongresit të Manastirit, që unifikoi alfabetin e gjuhës shqipe tuboi personalitete shqiptare në vitin 1908 në Manastir, në qendrën e atëhershme të Vilajetit për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe, por rëndom Shkupi mbetet kryeqendra e aktiviteteve, përfshirë dhënien e çmimit “22 Nëntori”. Vitin e kaluar edhe shteti shqiptar e miratoi “22 Nëntorin” si festë, duke ia shtuar kalendarit të festave zyrtare. /Koha/
