Lajme
Ndryshime kadrovike në qeveri pas rezultateve zgjedhore: Largohen Azir Aliu dhe Arben Fetai, rikthehet Bekim Sali?
Pas rezultateve të dobëta të koalicionit VLEN në komunat e Gostivarit dhe Likovës, pritet të ndodhin ndryshime të rëndësishme kadrovike brenda qeverisë. Sipas burimeve brenda ekzekutivit, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe zëvendëskryeministri për Sistem Politik, Arben Fetai, pritet të shkarkohen nga funksionet e tyre.
Të dy zyrtarët kanë humbur me diferencë të ndjeshme në komunat nga vijnë, madje edhe në vendvotimet e tyre, çka ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e partnerëve të koalicionit.
Burimet qeveritare bëjnë të ditur se Azir Aliu pritet të zëvendësohet nga Bekim Sali, ish-ministër i Shëndetësisë dhe kuadër me përvojë në këtë sektor. Ndërkaq, Arben Fetai pritet të zëvendësohet nga Bashkim Bakiu, i cili doli me rezultat të favorshëm në garën për kryetar të Shkupit, duke mposhtur kandidatin e AKI, Skender Rexhepi – Zejd, por gjithashtu ne lojë është edhe kryetari i Partisë Demokratike Turke, Zylfikar Zeynula.
Po ashtu, posti i zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër i Ekologjise do të mbetet në duart e partisë së Izet Mexhitit, i cili pas fitores së thellë në komunën e Çairit, pritet të marrë drejtimin e kësaj komune. Në vend të tij në qeveri, sipas të njëjtave burime, do të emërohet një nga figurat më të fuqishme të Lëvizjes Demokratike dhe të koalicionit VLEN në Çair, Burim Latifi.
Këto ndryshime pritet të formalizohen gjatë ditëve në vijim, pas konsultimeve politike në nivel të koalicionit qeverisës.
