Lajme
Blerant Ramadani në Arnaqi të Epërme: AKI është garancia e vetme për zhvillim dhe orientim euroatlantik
Kandidati për kryetar të Komunës së Sarajit nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Blerant Ramadani, ka zhvilluar sot një takim me banorët e Arnaqisë së Epërme, ku prezantoi programin zgjedhor dhe projektet konkrete që planifikohen për këtë vendbanim.
Në takim morën pjesë edhe deputeti i zonës Blerimi, kryetari aktual i komunës dhe bartësi i këshillit, Iljazi, si dhe shefi i shtabit, Senehati, me të cilët Ramadani tha se ka pasur një bisedë të frytshme mbi prioritetet e zhvillimit lokal.
“Aleanca Kombëtare për Integrim është garancia e vetme gjithëpërfshirëse për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Brenda dy viteve të para do të përmbushim të gjitha kërkesat themelore të vendbanimeve tona, në mënyrë që në pjesën e mbetur të mandatit të përqendrohemi në zhvillimin e qëndrueshëm të komunës dhe ngritjen e saj në nivelin më të lartë të komunave më të zhvilluara në Republikë”, tha Ramadani.
Ai shtoi se mikpritja dhe mbështetja e fuqishme e banorëve të Arnaqisë së Epërme dëshmojnë legjitimitetin që Aleanca Kombëtare për Integrim ka fituar gjatë muajve të fundit.
“Ne jemi forca që nuk pranon nënshtrimin dhe as defaktorizimin në proceset vendimmarrëse të Maqedonisë së Veriut”, përfundoi Ramadani, duke theksuar se Aleanca Kombëtare për Integrim mbetet garancia e vetme për zhvillim me përgjegjësi dhe mbrojtjen e orientimit euroatlantik të shtetit.
