Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim z.Erkan Arifi për komunën e Likovës në një konferencë për media ka paraqitur në detaje programin e tij katërvjeçar dhe vizionin për zhvillimin e komunës. Ai theksoi se synimi kryesor është ndërtimi i një qeverisjeje transparente, efikase dhe të afërt me qytetarët.
“Sot jemi këtu para jush që të sqarojmë në mënyrë të detajuar programin tonë për një mandat katërvjeçar, vizionin tonë dhe gjithçka që kemi planifikuar për të ardhmen,” tha Arifi.
Në fjalën e tij, ai nënvizoi rëndësinë e transparencës publike dhe bashkëpunimit me qytetarët, duke shtuar se çdo veprim i Komunës do të jetë i hapur dhe i qasshëm për publikun.
“Vizioni ynë ka qenë, është dhe do të mbetet që Komuna e Likovës të udhëhiqet me përgjegjësi të plotë, me përkushtim maksimal dhe në mënyrë transparente. Besoj se sukseset tona të përbashkëta do të vazhdojnë të jenë edhe më të mëdha në zhvillimin e komunës sonë,” shtoi ai.
Në përmbyllje, Arifi u zotua se do të forcojë besimin e qytetarëve në institucionet lokale, duke garantuar qeverisje të drejtë dhe të përgjegjshme në të gjitha fushat e jetës komunale. /Top24: