Sonte, kandidati i AKI-së për Komunën e Sarajit, Blerant Ramadani, zhvilloi një takim të frytshëm me mësimdhënësit e komunës, në prani të deputetit të zonës z. Blerim Bexheti, kryetarit aktual dhe bartësit të listës z. Iljaz Veseli, shefit të shtabit z. Senehat Murtezani, si dhe kandidates për Këshillin e Qytetit të Shkupit znj. Nezrane Rustemi.
Takimi shërbeu si një platformë e hapur për diskutim mbi sfidat dhe mundësitë e arsimit modern, me fokus në integrimin e teknologjisë në procesin mësimor, mësimin interaktiv dhe zhvillimin e aftësive që i nevojiten të rinjve për t’u përballur me kërkesat e një bote gjithnjë e më digjitale.
Në këtë kuadër, Ramadani prezantoi programin për arsim, i cili bazohet në dy shtylla kryesore:
Përforcimi i infrastrukturës shkollore – me investime në ambiente të sigurta, moderne dhe funksionale për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Ngritja e cilësisë së arsimit – përmes trajnimeve të vazhdueshme, inovacionit në metodologji dhe mbështetjes së plotë për mësuesit në zhvillimin e potencialit të çdo nxënësi.
Ramadani theksoi gjithashtu rëndësinë e përkujdesjes psiko-sociale ndaj nxënësve, si pjesë integrale e procesit arsimor, si dhe nevojën për përshtatjen e sistemit arsimor me tregun lokal dhe global, për të përgatitur të rinjtë për sfidat e së ardhmes.
“Bashkëpunimi i ngushtë me mësuesit dhe komunitetin është themeli i një arsimimi cilësor dhe të qëndrueshëm. Falënderoj nga zemra të gjithë edukatorët për përkushtimin dhe punën e palodhshme; vetëm bashkë mund të ndërtojmë një Saraj që beson në dijen, zhvillimin dhe perspektivën e brezave të rinj,” – u shpreh Ramadani.