Connect with us

Lajme

Trillime, tensione dhe dezinformata: Fushata e Mickoskit po hyn në territor të rrezikshëm politik

Published

on

“Një shpifje dhe trillim i dëshpëruar nga BDI,” – kështu reagoi Qeveria pas deklaratave të nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi, i cili akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se ka dezinformuar partnerët ndërkombëtarë duke i lidhur integristët me zjarret e verës dhe me plane për destabilizim të shtetit, përcjell PressOnline.al.

Por ndërsa Qeveria e hedh poshtë këtë si “fantazi elektorale”, ajo vetë nuk kursen gjuhën e ashpër ndaj kundërshtarëve politikë.

“Kur nuk kanë çfarë të ofrojnë, shpikin histori dhe krijojnë tensione. Kjo është taktikë e vjetër e BDI-së,” – thuhet në reagimin e ekzekutivit.
Retorika e tillë, që nga të dyja palët përmban etiketime dhe akuza të forta, e zhvendos fushatën nga debati për zhvillimin dhe reformat drejt një terreni të rrezikshëm politik, ku frika, ndarja etnike dhe teoritë e konspiracionit bëhen instrument elektoral.

Akuza dhe kundërakuza

Në një intervistë për “360 Gradë”, Arbër Ademi deklaroi se Mickoski “po e ushqen opinionin dhe diplomacinë e huaj me lajme të rreme”.

“I kemi dërguar mesazh që të mos luajë me dezinformata. Mickoski shpërndan gënjeshtra për të krijuar ndarje. Thotë se BDI po djeg xhami, po përgatit vrasje, po destabilizon shtetin. A ka ndodhur diçka nga këto? Jo,” – theksoi Ademi, përcjell PressOnline.al.
Në këtë kontekst, BDI kërkon ta paraqesë veten si “shënjestër e qëllimshme politike” në strategjinë e re të VMRO-së, ndërsa Qeveria përgjigjet me narrativën se “Ahmeti dhe ekipi i tij janë të dëshpëruar dhe pa ide”.

Mirëpo, asnjëra palë nuk i ofron opinionit argumente të matshme – as për gjoja “planin e destabilizimit”, as për “akuzat për korrupsion” që Qeveria i përsërit çdo ditë. Retorika mbetet politike, emocionale dhe pa transparencë faktike.

Mickoski – kryeministër apo lider fushate?

Hristijan Mickoski, që nga marrja e postit të kryeministrit, duket se nuk e ka braktisur mentalitetin opozitar.
Në vend që të ofrojë qetësi institucionale dhe vizion për unitet, ai shpesh shfaqet në rolin e tribunit partiak që ndan “patriotët” nga “tradhtarët”, një gjuhë e rrezikshme për një shtet me ndjeshmëri etnike të brishtë.

Në mitingje, Mickoski e ka akuzuar Zoran Zaevin se ka “marrë para nga lindja për lëshime kombëtare”, ndërsa ndaj LSDM-së zhvillon një fushatë që, sipas liderit aktual Venko Filipçe, është “e zezë dhe e ulët”.

“Ata duan ta etiketojnë opozitën si tradhtare dhe të ndajnë qytetarët. Kjo është mënyra e tyre për të mbuluar mungesën e rezultateve,” – reagoi Filipçe.
Në këtë kontekst, Mickoski shpesh i përgjigjet kritikëve me sulme personale, duke e përdorur autoritetin e kryeministrit për qëllime të pastra elektorale – një praktikë që e minon rolin e tij si garant i unitetit institucional dhe si lider i të gjithë qytetarëve.

Një qeveri që reagon, por nuk shpjegon

Edhe pse Qeveria refuzon akuzat e Ademit si “gënjeshtra të dëshpëruara”, ajo rrallë ofron transparencë konkrete mbi temat që përmend BDI – për shembull, lidhur me ndarjen e fondeve publike, përzgjedhjen e drejtorëve në bazë etnike, apo politikat e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë.

Në vend të sqarimeve, zgjidhet një ton sulmues, që e forcon perceptimin e polarizimit dhe e ushqen mosbesimin publik.

Në analizë të ftohtë, Qeveria e Mickoskit e përdor luftën me BDI-në për të konsoliduar bazën maqedonase, duke e portretizuar veten si “forca e re që çliron shtetin nga korrupsioni 20-vjeçar”.

Mirëpo, kjo strategji e shkurton narrativën politike në një luftë identitare, jo programore – duke e bërë fushatën më shumë për “armikun” sesa për qytetarin.

Politikë me zjarr, jo me vizion

Fushata aktuale në Maqedoninë e Veriut është kthyer në garë për kush shpif më shumë dhe kush gënjen më bindshëm.
Nga njëra anë, BDI kërkon të ruajë ndikimin përmes retorikës së viktimizimit dhe referencës etnike; nga ana tjetër, Qeveria e Mickoskit po ndërton fushatën mbi antagonizmin, duke harruar se detyra e një kryeministri është të qetësojë, jo të nxisë.

Nëse kjo klimë vazhdon, zgjedhjet e ardhshme do të maten jo me programe e reforma, por me kush e krijon më shumë frikë, kush përhap më shumë gënjeshtra dhe kush arrin ta kontrollojë narrativën publike.
Në këtë terren, humbësi i vërtetë nuk është BDI apo VMRO – por qytetari i zakonshëm, që pret politikë për zhvillim, jo për zjarr.(PressOnline.al)

Continue Reading