Connect with us

Lajme

AKI: Izet Mexhiti, kandidati i 100 premtimeve të pambajtura!

Published

on

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) sot doli me një reagim të ashpër ndaj kandidatit të VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, duke e cilësuar atë si “njeriun e 100 premtimeve të pambajtura”, që për dy dekada mashtron qytetarët me të njëjtat fjali të ricikluara në çdo fushatë zgjedhore.

Bekim Berisha, përfaqësues i AKI-së, në një konferencë për media tha se Çairi është lodhur nga politika e premtimeve të rreme dhe se qytetarët janë dëshmitarë të një skenari që përsëritet çdo katër vjet, me të njëjtat slogane dhe fjalë boshe.

“Për 20 vite, Izet Mexhiti po qarkullon me të njëjtin skenar – premtime që përsëriten çdo katër vjet, çdo fushatë, çdo studio televizive. Nëse do t’i numëronim të gjitha, do të kishim një rekord ballkanik: 100 premtime të pambajtura, të ricikluara nga viti në vit”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, Mexhiti po premton për të dhjetën herë të njëjtën gjë. Në vitin 2013 kishte thënë: “Në mandatin tim do të rregullojmë të gjitha rrugët dhe rrugicat e Çairit, me ndriçim modern dhe asfalt cilësor.”

Në vitin 2017, e njëjta fjali u përsërit, me premtimin për “fundin e gropave në Çair”. Në vitin 2025, në spotet e reja, përsëri thotë: “Do t’i rikonstruktojmë të gjitha rrugët e Çairit dhe do të vendosim ndriçim të ri publik”.

Por realiteti, sipas Berishës, është krejt tjetër: lagjet Sahat Kulla, Topana, Serova dhe shumë pjesë të tjera të Çairit vazhdojnë të jenë me rrugë të prishura, pa trotuare dhe me ndriçim të dëmtuar.

“Kjo nuk është punë, kjo është kopje e fjalimeve të veta!”, theksoi ai. Berisha kujtoi se Mexhiti i kishte premtuar qytetarëve ndërtimin e çerdheve të reja që nga viti 2009, por asnjëherë nuk i ka realizuar.

“Njëjtë sikurse sot, edhe në 2009, 2013, 2021 e tani në 2025, ai premton hapjen e dy çerdheve të reja për fëmijët e Çairit. Premtim që ka mbetur vetëm në posterë, jo në terren”, tha Berisha.

Në konferencë u përmendën edhe premtimet për hapësira të gjelbra dhe parqe, të cilat Mexhiti i ka bërë vazhdimisht që nga viti 2013.

“Në 2013 premtoi parqe, në 2015 deklaronte se ‘Çairi do të bëhet oazë e gjelbër në mes të Shkupit’. Në 2019 foli për ‘Park të ri në Fushë Topanë’, që ekziston vetëm në PowerPoint, jo në terren”, tha Berisha.

Në fletushkat e fushatës së këtij viti, shtoi ai, përsëri figuron premtimi për “më shumë hapësira të gjelbra”, ndërkohë që realiteti është krejtësisht ndryshe.

“Çdo hapësirë e gjelbër është kthyer në beton, ndërtime pa leje apo kioska. Në vend të oksigjenit – kemi pluhur dhe beton. Çairi është bërë simbol i ndotjes, jo i gjelbërimit”.

Sipas AKI-së, një tjetër premtim që përsëritet çdo katër vjet është ai për zgjidhjen e kanalizimit dhe ujërave të zeza.

“Në 2011, 2017, 2021 dhe tani në 2025, Mexhiti përsërit të njëjtën frazë: ‘Do të zgjidhim problemin e kanalizimeve që shqetëson banorët çdo herë që bie shi’. Por realiteti është i dhimbshëm – çdo shi i madh e bën Çairin të pakalueshëm”, tha Berisha, duke shtuar se banorët janë detyruar të luten që shtëpitë të mos u përmbyten.

Një nga akuzat më të rënda të AKI-së ndaj Mexhitit lidhet me çështjen e ndërtimeve pa leje.

“Në 2015 ai premtoi rregullimin e ndërtimeve pa leje. Në 2020 dhe 2025 e përsëriti të njëjtën gjë. Por sot, dhjetëra ndërtesa janë legalizuar selektivisht – për militantët e tij dhe njerëz të afërt me pushtetin lokal. Banorët e zakonshëm janë lënë në pasiguri juridike”, theksoi Berisha.

Sipas tij, rreth 150 ndërtime ilegale kanë dëmtuar qytetarët e thjeshtë që u mashtruan nga Mexhiti me premtime për “zgjidhje ligjore”, ndërsa në realitet ai e ka ndërtuar vetë kaosin urban që e pretendon se do ta zgjidhë.

Në përmbyllje të konferencës, Bekim Berisha tha: “Nëse dikush premton për të 21-tën herë të njëjtën gjë, ai nuk po premton – po tallet me qytetarët. Çairi nuk ka nevojë për fjalë të vjetra në posterë të rinj. Ka nevojë për punë reale, ndershmëri dhe një fillim të ri”.

Ai përfundoi duke theksuar se më 19 tetor, Çairi do të zgjedhë ndryshimin, duke i dhënë fund mashtrimeve dhe premtimeve të ricikluara që kanë mbajtur komunën në vendnumëro për dy dekada.

Continue Reading