Kandidati i Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Likovë, ku miku dhe kolegu i tij, Dr. Zekirija Shahini, u bë shënjestër e një sulmi të armatosur.
Në një reagim publik, Osmani u shpreh “thellësisht i tronditur” nga lajmi, duke bërë të ditur se Dr. Shahini, mjek specialist i pulmonologjisë në Qendrën Klinike Universitare dhe kandidat në garat lokale, fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet nga mjekët.
“Në momente si ky, duhet të ngrihemi mbi politikën. Dhuna, pavarësisht motivit, është sulm ndaj dinjitetit njerëzor dhe ndaj të drejtës së çdo qytetari për të jetuar e për të marrë pjesë lirisht në jetën demokratike,” ka theksuar Osmani, duke i bërë thirrje institucioneve që të reagojnë me “transparencë dhe vendosmëri” për zbardhjen e plotë të rastit.
Në shenjë solidariteti me Dr. Shahinin dhe për të respektuar seriozitetin e ngjarjes, Bujar Osmani njoftoi gjithashtu shtyrjen e të gjitha aktiviteteve publike të planifikuara për sot në Çair.
“Kjo është një ndalesë nga njerëzia, sepse jeta dhe dinjiteti vijnë gjithmonë para politikës. Le të qëndrojmë të qetë, të bashkuar dhe të denjë,” përfundon reagimi i Osmanit.