Connect with us

Lajme

Valbon Limani: Shkollat e Gostivarit me panele diellore, pritet edhe transport publik falas për nxënësit

Published

on

Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Valbon Limani, në debatin zgjedhor në TV21 foli për investimet që tashmë janë realizuar dhe ato që janë në proces në komunë, përfshirë instalimin e paneleve fotovoltaike në shkolla, transportin publik dhe menaxhimin e buxhetit arsimor.

Limani tha se panelet fotovoltaike janë instaluar tashmë në pesë shkolla të komunës, dhe procesi do të vazhdojë në të gjitha institucionet arsimore fillore dhe të mesme në Gostivar.

“Panele fotovoltaike janë vendosur tashmë në pesë shkolla dhe shumë shpejt do të vendosen në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të komunës. Në Goce Delçev, në shkollën e mesme teknike dhe në gjimnaz, ato tashmë janë instaluar dhe pritet vetëm lidhja në rrjet. Janë vendosur para një muaji dhe shumë shpejt do të hyjnë në funksion,” – deklaroi Limani në TV21.
Ai iu përgjigj edhe kritikave për transportin publik, duke theksuar se Gostivari gjithmonë ka pasur transport publik funksional, dhe se komuna po punon për ta përmirësuar dhe për ta bërë atë falas për nxënësit dhe qytetarët në disa akse kryesore.

“Transport publik në Gostivar ka pasur gjithmonë. Ndoshta profesori flet për ndonjë komunë tjetër. Megjithatë, ne po punojmë në një projekt për krijimin e një shërbimi të dedikuar për nxënësit, i cili në të ardhmen mund të shtrihet në dy akse kryesore të qytetit dhe të jetë falas për qytetarët,” – theksoi Limani.
Në lidhje me fondet e arsimit, ai sqaroi se dotacionet që vijnë nga Ministria e Arsimit shpërndahen në bazë të metodologjisë që llogarit numrin e nxënësve, por theksoi se komuna është përpjekur të ruajë vendet e punës për mësimdhënësit.

“Dotacionet i dërgon Ministria në bazë të numrit të nxënësve, por sipas optimizimit që ata bëjnë, rreth 100 mësimdhënës rrezikojnë të mbeten pa punë. Ne kemi menaxhuar buxhetin në mënyrë që të mos dëmtojmë askënd, sepse mësimdhënësit janë ata që kanë rritur të gjitha brezat – edhe mua, edhe Visarin, edhe gjithë të tjerët në Gostivar,” – u shpreh Limani.

Continue Reading