Aleanca për Shqiptarët rithekson se denoncimi i kontratave të lidhura nga drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, nuk është pjesë e ndonjë fushate apo politike ditore, por shpreh një shqetësim të vërtetë dhe të bazuar për përfshirjen e interesave të Serbisë dhe regjimit të Aleksandar Vuçiqit në sektorin strategjik të energjetikës së Maqedonisë së Veriut.
“Sektorët strategjikë të shtetit nuk mund të bëhen terren për ndikime të huaja që cenojnë interesat kombëtare dhe sigurinë energjetike të vendit”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se nëse drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, me të vërtetë kërkon hetim, atëherë “le të kërkojë jo vetëm nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por edhe nga Prokuroria Publike dhe Policia Financiare, që të hetojnë të gjitha tenderët e hapur dhe të mbyllur që nga dita kur ai është emëruar në krye të MEPSO-s”.
“Sikur të kishte vullnet të sinqertë për transparencë dhe llogaridhënie, do ta fillonte hetimin nga vetvetja,” shtojnë nga partia.
Sipas ASh-së, sjellja e drejtorit të MEPSO-s është “shqetësuese dhe përpjekje për t’u shmangur nga përgjegjësia”.
“Në vend që t’u japë përgjigje qytetarëve për mënyrën e përzgjedhjes së kompanive në tenderë publik, ai mundohet ta devijojë vëmendjen me lojë fjalësh dhe me përmendje të memorandumeve të bashkëpunimit me Kosovën dhe Shqipërinë,” thuhet në reagim.
Partia kërkon nga Latifi të sqarojë publikisht me çfarë kriteresh është përzgjedhur kompania nga Beogradi, ‘IMP-Telekomunikacije DOO Beograd’, për kontratën e nënshkruar më 27 gusht 2025, që ka për objekt furnizimin e pajisjeve për telembrojtje në linjën 400 kV Shkup–Vranjë.
“Kjo kompani nuk është e regjistruar si tatimpaguese në Maqedoninë e Veriut dhe nuk ka përfaqësi në vendin tonë, megjithatë ka fituar tender publik — çka ngre seriozisht dyshime për transparencën dhe ligjshmërinë e të gjithë procesit,” theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
Në reagim, partia ka bërë edhe një krahasim politik:
“Në vend që të ndjekë shembullin e përgjegjshmërisë institucionale, drejtori Latifi po ndjek shembullin e kushëririt të tij, Izet Mexhiti, duke e ndjekur retorikën e mashtrimeve që edhe Mickoski i përdor ndaj qytetarëve. Shqiptarët nuk gënjehen më me premtime boshe që përdoren për të mbuluar keqpërdorimet.”
Në fund, Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje opinionit publik, mediave dhe institucioneve që të kërkojnë transparencë të plotë për çdo kontratë që prek interesat strategjike të shtetit dhe të qytetarëve të tij. /Gazeta Flaka/