Connect with us

Lajme

Bujar Osmani: I japim fund mafies urbane dhe neglizhencës në Çair

Published

on

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në fjalimin e tij dërgoi një mesazh të fuqishëm ndaj ashtuquajturës “mafi urbane”, e cila për vite me radhë e ka mbajtur komunën të kapur, duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve. Ai theksoi se pas 19 tetorit, në Çair nuk do të lejohet më asnjë ndërtesë pa leje ndërtimi.

“Dua sot të dërgoj një mesazh për mafien urbane, e cila e ka kapur Çairin për përfitime dhe e ka plaçkitur, pas 20 tetorit nuk do të ketë më asnjë pëllëmbë në komunën tonë të dashur ku mund të ndërtohet pa leje!”, tha Osmani.

Ai theksoi se ndërtimet pa leje janë simbol i padrejtësisë dhe se duhet t’i vihet fund praktikave korruptive që e shkatërrojnë komunën.

“Nuk mund të lejojmë disa oligarkë të pasurohen në kurrizin tuaj, duke ju marrë ujin, trotuaret, rrugët, frymën, ajrin tuaj”, deklaroi Osmani, duke shtuar se Çairi nuk do të jetë më komuna më e korruptuar në Shkup.

Sa i përket frikës së qytetarëve për prishjen e banesave të tyre, Osmani ishte i qartë:

“Nuk do t’i prishim as ndërtesat pa leje që tashmë janë ndërtuar. Njerëzit i kanë shpenzuar kursimet e jetës së tyre për të blerë banesa. Sot jetojnë me ankth dhe frikë, me frikën se nesër mund t’i humbin shtëpitë që i kanë ndërtuar për vite me radhë. Por unë ju premtoj: shtëpitë e tyre nuk do të preken.”

Ai theksoi se qëllimi i programit të tij është pikërisht i kundërti, rritja e vlerës së pronave të qytetarëve. Osmani theksoi se qasja e tij bazohet në zgjidhje, jo në ndëshkime, dhe se do të sjellë disiplinë, etikë të re dhe llogaridhënie në punën e komunës.

“Nuk hyj në komunën e Çairit për ta udhëhequr, por për t’ju frymëzuar ju që së bashku me mua të fillojmë një epokë të re. Të punojmë me prioritete të tjera, me disiplinë tjetër, me përkushtim tjetër,” shtoi ai.

Osmani u ndal edhe te problemi i pastërtisë dhe higjienës publike, duke theksuar se Çairi duhet ta rikthejë pamjen e një mjedisi dinjitoz, të pastër dhe të shëndetshëm.

“Nëse njihemi për pastërtinë në shtëpitë tona, atëherë pse Çairi ynë të jetë komuna më e ndotur? Edhe Çairi është oborri ynë, shtëpia jonë e vetme ku rriten fëmijët tanë,” tha Osmani.

Ai theksoi se pastërtia nuk është vetëm çështje estetike, por edhe shëndetësore, dhe pikërisht për këtë arsye ajo do të jetë një nga prioritetet e tij të para.

Continue Reading