Korrupsioni mbetet një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut, thuhet në raportin më të fundit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, njofton PressOnline.al
Sipas raportit, përveç korrupsionit, faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht në klimën e biznesit janë rregulloret komplekse ligjore, ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe interpretimi jokonsistent i tyre. Këta elementë, sipas raportit, krijojnë pasiguri për investitorët dhe zvogëlojnë mundësitë për investime të reja.
Dokumenti thekson se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur disa hetime, përfshirë edhe ndaj zyrtarëve të lartë, por vetëm një pjesë e vogël e tyre ka përfunduar me ndjekje penale.
Gjithashtu, raporti vlerëson se gjatë vitit 2024 janë vërejtur përpjekje të kufizuara për tërheqjen e investimeve të reja, ndërsa Qeveria ka qenë e fokusuar kryesisht në efikasitetin energjetik, mbështetjen e familjeve në nevojë dhe zbutjen e inflacionit. Si rezultat, rritja ekonomike e vendit në vitin 2024 ka qenë vetëm 2.2 për qind.