Connect with us

Lajme

Mickoski, kriminofob apo synon shqiptarë të dobët?!

Published

on

Bujar Osmani, kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, reagoi ndaj përpjekjeve të kryeministrit Hristijan Mickoski për të mohuar kritikat se është albanofob. Ai theksoi se deklarata e tij e mëparshme nuk ishte sulm personal, por e bazuar në fakte. “Ajo që thashë dje nuk ishte sulm personal, por përmenda fakte pse mendoj se është ashtu. Thashë, në ekipin e tij nuk ka asnjë shqiptar, në udhëtimet e tij nuk ka asnjë shqiptar, i përjashton nga institucionet, i pengon me gjuhën shqipe, ua mohon gjuhën. Si ndryshe ta quaj këtë? Le të më demantojë se ajo që thashë nuk është e vërtetë, e unë do ta rishqyrtoj qëndrimin tim. Unë nuk i vura asnjë etiketë personale. Vetëm përmenda argumentet pse mendoj se ai urren gjithçka që është shqiptare”. Osmani iu referua edhe deklaratës së Mickoskit se nuk është albanofob, por “kriminofob”.

“Sa i përket kësaj ‘kriminofobie’, ndoshta është edhe pak ironike. Gazetari bëri një pyetje shumë të mirë. Çfarë mendon ai për 150 objektet e falsifikuara, të paligjshme në Çair, që nuk kanë paguar tatim, apo mjetet kanë përfunduar në xhepat e dikujt? Çfarë mendoj për deklaratën e Antonio Milloshoskit se për sheshin janë marrë aq e aq për qind nga ajo kompani, ndërsa në këtë qytet hyhet deri në detaje? Çfarë mendoj unë për këtë?”. Në deklaratën e tij, Osmani akuzoi kryeministrin se dëshiron politikanë shqiptarë të dobët që mund t’i kontrollojë.

“Unë mendoj se ai i do politikanët tanë që janë të dobët, që janë të cenueshëm për shkak të asaj që kanë kaluar, dhe mund t’i kontrollojë. Prandaj kjo fushatë u shndërrua në një referendum për kthimin e dinjitetit të pozitës sonë këtu. Nëse lejojmë që ata të zgjedhin përfaqësuesin shqiptar të ‘dëshiruar’, ju e dini çfarë linje do të zgjedhin. Do të zgjedhin atë që është më pak rezistent, më pak i fortë, më i dobët, më i cenueshëm për shkak të së kaluarës”, tha Osmani duke shtuar se atë nuk munden asnjëherë ta kushtëzojnë, ndërsa porositi Mickoskin të respektojë vullnetin e shqiptarëve, i cili sipas Osmanit, pas konventës së AKI-së është i qartë. “Çairi u shndërrua në lum, para disa ditëve, kur je në opozitë, njerëzit zakonisht frikësohen të dalin publikisht, njerëzit dolën masoviksisht për të thënë se ju neve nuk mund të në shantazhoni dhe kërcënoni edhe përkundër gjithë asaj që u bëhet shkollave dhe çerdheve, njerëzit dolën zëshëm dhe këtë mesazh duhet ta merr edhe Mickoski”, theksoi Osmani.

Ai edhe njëherë përsëriti qëndrimin e tij se provokimet e kryeministrit nuk do të mund të depërtojnë në komunën e Çairit, për shkak se premton që me ardhjen e tij në krye të kësaj komune, do të krijojë një oazë të bashkëjetesës.

“Nëse ai e eliminon Balancuesin, unë këtu do të krijoj fond për përfaqësim të drejtë për komunitetet, nëse ai ma heq gjuhën shqipe, unë këtu do të krijoj departament për gjuhët e pakicave që janë në komunën e Çairit, për shkak se bashkëjetesa është zemra e Çairit dhe unë do të kujdesem për atë, njësoj siç kujdeset njeriu për zemrën e vet”, theksoi Osmani.

MICKOSKI ME MESAZH DREJTUAR BDI-së

Përndryshe, kryeministri dhe kryetari I VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski nga një tubim të partisë së tij në Negotinë, përcolli një mesazh edhe për drejtuesit e BDI-së, duke u theksuar atyre se nuk është albanofob, siç thonë ata, por është kriminalofob, i cili përçmon politikanët kriminelë që kanë hyrë në politikë si të varfër, e kanë dalë milionerë, duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve, dhe se nga i pari deri te i fundit do të përgjigjen për krimin që e kanë bërë.

“Në çdo miting i dëgjoj drejtuesit e BDI-së, si më quajnë kështu, ashtu, përmendin shqiponja, lepuj, që në fund të më quajnë albanofob. Ja, unë këtu nga Negotina do të doja edhe atyre t’ju përgjigjem. Unë nuk jam as albanofob, as ndonjë njeri që është ksenofob dhe që ka problem me përkatësinë etnike të cilitdo bashkëqytetar tim në atdheun tonë të përbashkët, Maqedoni. Por, po, unë jam kriminalofob dhe i përçmoj ata politikanë kriminelë të cilët në politikë hynë të varfër, e dolën nga politika milionerë, dhe tani mendojnë se me kartën etnike do të luajnë dhe populli do të harrojë çfarë bënë 20 vite, kur ndërtuan pallate, kur blenë qendra tregtare, kur blenë hapësira të shtrenjta afariste në qendër të Shkupit, kur blenë makina Maybach e çfarëdo tjetër, në kurriz të popullit tonë. Ja, unë jam ky – kriminalofob, dhe do të përgjigjeni nga i pari deri te i fundit për krimin që e keni bërë”, theksoi Mickoski. Ai vlerësoi se që nga pavarësia e vendit tonë, nuk ka ekzistuar asnjë Qeveri e cila për një periudhë kaq të shkurtë kohore, sa është VMRO-DPMNE-ja në pushtet ka investuar dhe ka rialokuar rreth gjysëm milion euro nga buxheti qendror për komunat.

MEXHITI SFIDON BDI-NË: A DO TË BËNI QEVERI ME MICKOSKIN?

Ndërkohë, kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit dhe njëherësh zëvendëskryeministër, Izet Mexhiti, e sfidoi hapur BDI-në dhe drejtuesit e saj. Ai kërkoi nga Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani të deklarohen publikisht nëse do të vazhdojnë të kërkojnë marrëveshje me VMRO-DPMNE-në dhe Hristijan Mickoskin, të cilin e quajnë albanofob

“Shfrytëzojë mundësinë që publikisht ti pyes edhe Osmanin edhe Ahmetin se a do të bëjnë qeveri me Mickoskin, ashtu siç qëndrojnë gjithë kohës para derës së VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit dhe me kë duan të bëjnë qeveri, pikërisht me Mickoskin. Ja publikisht i pyes, a do të ndërprejnë apo do të vazhdojnë të qëndrojnë para derës së VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit ta lusin që edhe pa kryetar të Parlamentit, me më pak ministra, siç po thonë edhe ish partnerët e tyre, të cilët nuk janë më me ato. Pra duhet të përgjigjen publikisht, nëse do të vazhdojnë edhe më tej që me albanofobin Mickoski të bëjnë qeveri?”, iu drejtua Mexhiti, udhëheqësisë së BDI-së. /Koha/

Continue Reading