Kryeministri i Republikës së Serbisë, Gjuro Macut, pritet që nesër të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, si dhe me Zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq. Vizita është konfirmuar nga Zyra për Bashkëpunim Medial me Qeverinë e Serbisë.
Takimi ndodh në një periudhë kur në opinionin publik të Maqedonisë së Veriut janë ringjallur debatet rreth ndikimit politik dhe kulturor të konceptit të ashtuquajtur “Bota Serbe” në vend. Kjo ide, që promovon integrimin më të ngushtë të komuniteteve serbe në rajon nën një ombrellë politike dhe kulturore të udhëhequr nga Beogradi, ka ngjallur shqetësime në qarqe të ndryshme politike dhe analitike në Shkup, shkruan PressOnline.al.
Zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq, i cili përfaqëson interesat e komunitetit serb në Maqedoninë e Veriut, është një nga figurat që shpesh është lidhur me promovimin e lidhjeve të ngushta me Serbinë, ndërsa mbështetësit e kësaj linje politike e shohin bashkëpunimin si një formë përforcimi të pozitës së serbëve në vend.
Ndërkohë, kritikët paralajmërojnë se intensifikimi i këtyre lidhjeve mund të rrezikojë orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe të sjellë tensione të brendshme ndëretnike.
Vizita e Macut-it vjen në një kohë kur rajoni i Ballkanit përballet me sfida të reja gjeopolitike dhe me ndikime në rritje nga aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe përpjekjet për riformësimin e aleancave tradicionale nëpërmjet platformave si “Bota Serbe”.
Ende nuk janë bërë të ditura temat konkrete të diskutimit mes liderëve, por pritet që bashkëpunimi ekonomik, çështjet rajonale dhe të drejtat e komuniteteve pakicë të jenë në agjendë. (PressOnline.al)