Sipas sondazheve dhe burimeve partiake, kandidatët e Aleancës Kombëtare për Integrim kryesojnë bindshëm në Tetovë, Gostivar dhe Çair. Limani dhe Osmani pritet të fitojnë që në raundin e parë, ndërsa Rexhepi do ta konsolidojë fitoren në raundin e dytë, shkruan Frontline.
Zgjedhjet lokale të 19 tetorit konsiderohen kyçe për Aleancën Kombëtare për Integrim (AKI), e cila sipas matjeve të opinionit publik dhe burimeve të partisë, hyn në garë me një përparësi të ndjeshme në disa komuna kyçe me popullsi shqiptare.
Të tre kandidatët – Bajram Rexhepi në Tetovë, Valbon Limani në Gostivar dhe Bujar Osmani në Çair, shihen si favoritë të qartë ndaj kundërkandidatëve të tyre. Burime brenda këtij koalicioni për “Frontline” theksojnë se diferenca është aq e madhe, sa që në tre raste parashikohet fitore që në raundin e parë.
“Në Gostivar, Çair dhe Vrapçisht gara është praktikisht e mbyllur. Diferenca është mbi dhjetë për qind. Limani dhe Osmani kalojnë lehtësisht pragun prej 50% + 1,” – deklaroi për Frontline një burim partiak nga koalicioni AKI.
Gostivar dhe Çair – fitore të sigurta në raundin e parë
Në Gostivar, Valbon Limani po zhvillon një fushatë intensive të fokusuar në afërsinë me qytetarët dhe problemet e tyre të përditshme. Sipas sondazheve të brendshme, ai ka një epërsi prej mbi 15 për qind ndaj të gjithë kundërkandidatëve të tij.
Në Çair, Bujar Osmani shihet si figura më e konsoliduar. Me përvojë shumëvjeçare politike dhe profil të fortë publik, ai ka fituar besimin e shumicës së votuesve. Një burim i afërt me agjencitë për matjen e opinionit publik thekson:
“Osmani tashmë e ka fituar garën. Diferenca është e pakapërcyeshme për kundërshtarët e tij.”
Tetova – garë që shkon në raund të dytë
Situata në Tetovë është më e komplikuar. Bajram Rexhepi ka përparësi të qartë, por për shkak të fragmentimit të elektoratit është e pamundur të fitojë që në raundin e parë. Megjithatë, sondazhet e japin atë si fitues në raundin e dytë.
“Rexhepi është kandidati me më shumë vota në raundin e parë. Në të dytin, pritet që një pjesë e madhe e elektoratit të shpërndarë t’i drejtohet atij, gjë që e bën fitoren të sigurt,” thotë një analist politik i pavarur nga Tetova.
Dobësitë e kundërshtarëve
Kundërkandidatët si Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti hynë në garë me ambicie të mëdha, por fushatat e tyre u përballën me fragmentim dhe mungesë kohezioni. Një pjesë e madhe e votuesve opozitar mbeten të ndarë, gjë që shkon në favor të kandidatëve të AKI-së që kanë një bazë më të konsoliduar dhe një organizim më të fortë në terren.
Çfarë pritet më 19 tetor
Pavarësisht përparësisë së madhe në sondazhe, rezultati përfundimtar do të varet nga mobilizimi i votuesve në ditën e zgjedhjeve. Incidentet e mundshme, transferimi i votave nga kandidatët e partive të treta ose zhvillime të papritura gjatë fushatës mbeten faktorë të paparashikueshëm.