Kryeministri i Serbisë, Djuro Macut, i cili mori detyrën në prill 2025, ka deklaruar menjëherë pas marrjes së postit se synon të forcojë marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës, duke i cilësuar serbët dhe rusët si “popuj vëllezër që askush nuk mund t’i ndajë”.
Prej atëherë, Macut ka nënshkruar 41 vendime për dhënien e shtetësisë serbe qytetarëve rusë. Mes tyre është edhe Elena Mikhailova, ish-anëtare e bordit të gjigandit energjetik rus Gazprom dhe njëkohësisht e sanksionuar nga Britania e Madhe dhe Kanadaja.
Ky hap vjen pas një praktike të ngjashme edhe nga paraardhësi i tij, Milos Vučević, i cili u kishte dhënë shtetësi dy rusëve të tjerë të sanksionuar, Elena Burmistrova dhe Oleg Boyko.
Sipas raportimit të Balkan Insight, numri i qytetarëve rusë që kanë marrë shtetësi serbe pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës është rritur ndjeshëm. Të paktën pesë prej tyre figurojnë në listën e sanksioneve të Perëndimit.

