Lajme
Valdet Xhaferi: Numri 4, një shenjë për fitore të re historike të AKI-it
Bartësi i listës për kryesues në Këshillin Komunal të Gostivarit nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim, Valdet Xhaferi, ka kujtuar një moment historik nga zgjedhjet e vitit 2014, duke e lidhur me shortin e sotëm të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.
“Çfarë ndjenje! Në vitin 2014, si përfaqësues i BDI-së, në shortin e KSHZ-së më ra numri rendor 4. Dhe ato zgjedhje sollën një fitore historike me 153 mijë vota, më shumë se çdo parti tjetër shqiptare ndonjëherë!”, ka shkruar Xhaferi.
Xhaferi thekson se pas 11 vitesh, historia është përsëritur.
“Sot, 11 vite më vonë, sërish si përfaqësues i Aleancës Kombëtare për Integrim, shorti më dha numrin 4. Një shenjë, një emocion dhe një besim i fortë se edhe këtë herë – AKI do të tejkalojë 150.000 vota dhe do të shkruajmë përsëri histori! Na qoftë mbarë dhe me hair!”, ka përfunduar Xhaferi.
