Nga Naser Selmani
Gjatë dy javëve të fundit, partitë shqiptare kanë akuzuar njëra-tjetrën për lejimin e ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut. Nga reagimet e të dy palëve është krijuar përshtypja se, në fakt, asnjëra nuk mohon se ka toleruar ndikimin serb gjatë kohës kur ka qenë në pushtet. Por thelbi i debatit ka qenë: kush ka promovuar më shumë botën serbe?
Opozita shqiptare me të drejtë e ka fajësuar VLEN-in, se me heshtjen e saj po e miraton politikën pro-serbe të qeverisë së Mickoskit, për shkak të mungesës së fuqisë për ta kundërshtuar.
Nën këtë qeveri, ndikimi i botës serbe nuk është më një spekulim mediatik, por një fakt i konfirmuar nga Bashkimi Evropian, i cili e ka shprehur qartë në raportin e fundit të progresit. Në atë raport kritikohet posaçërisht roli negativ i zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkovikj, një eksponent i qartë i botës serbe dhe simpatizant i partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar.
Në anën tjetër, VLEN-i ka akuzuar BDI-në për përfshirjen e saj në projektin amerikan Ballkani i Hapur, i cili synonte ta largonte Serbinë e Vuçiqit nga ndikimi rus.
Por Ballkani i Hapur nuk mund të krahasohet me praninë e një përfaqësuesi të drejtpërdrejt të botës ruso-serbe në qeverinë e tanishme. Ai projekt ishte i sponsorizuar nga SHBA dhe përfshinte edhe Shqipërinë.
Gjithsesi, këto janë zhvillime të së kaluarës që nuk mund të ndryshohen, por nga të cilat duhen nxjerrë mësime.
Nëse VLEN dhe Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) janë sinqerisht të interesuara për ta luftuar ndikimin serb, këtë mund ta bëjnë duke bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet e tyre, pasi kjo është një çështje me rëndësi kombëtare dhe shtetërore. Të paktën kështu janë shprehur publikisht para opinionit shqiptar të dy koalicionet.
Rasti më i mirë për ta dëshmuar këtë vullnet janë zgjedhjet lokale në Kumanovë. Njëri nga kandidatët me gjasa për të fituar është kryetari aktual, Maksim Dimitrievski, udhëheqës i partisë ZNAM, i cili dyshohet për lidhje të forta me Beogradin. Sjellja e tij dhe e funksionarëve të ZNAM-it e kanë forcuar këtë dyshim.
Në Kumanovën e drejtuar nga Dimitrievski, tifozët maqedonas kanë bërë thirrje për shfarosjen e shqiptarëve. Po ashtu, ministrat e ZNAM-it në qeveri kanë mbajtur qëndrime haptazi antishqiptare, duke u angazhuar për shfuqizimin e Balancuesit dhe të votimit të dyfishtë të Badinterit.
Afarësia e Dimitrievskit me Serbinë dhe qëndrimet antishqiptare të ZNAM-it janë arsye të mjaftueshme që VLEN dhe AKI t’u bëjnë thirrje shqiptarëve të mos e votojnë këtë kandidat.
Madje, jo vetëm kaq – në raundin e dytë, ato duhet të ndëshkojnë Dimitrievskin duke mbështetur kundërshtarin e tij, sepse votat e shqiptarëve do të jenë përcaktuese për rezultatin në Kumanovë.
Në zgjedhjet e fundit lokale, Dimitrievski fitoi me mbi 25 mijë vota, duke bashkuar elektoratin e partisë së tij dhe të VMRO-DPMNE-së. Fitorja e tij u mundësua nga rreth 2 mijë vota shqiptare, të cilat këtë herë nuk i meriton.
Duke mos e mbështetur një politikan pro-serb dhe antishqiptar, VLEN dhe AKI do të tregojnë me vepra – jo vetëm me fjalë – se janë të vendosura të luftojnë ndikimin serb dhe të ndëshkojnë politikanët maqedonas me agjenda antishqiptare.