Connect with us

Lajme

Maqedonia drejt digjitalizimit: E-fatura do të bëhet obligative nga tetori 2026

Published

on

Maqedonia po hyn në një epokë të re të digjitalizimit fiskal me futjen e sistemit të e-faturës, i cili do të përfshijë të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë fatura. Projekti, që sipas Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) pritet të nisë testimin nga fillimi i vitit 2026, do të bëhet obligativ nga 1 tetori 2026, informon PressOnline.al.

E-fatura paraqet sistem të ri të kontrollit dhe raportimit të transaksioneve pa para në dorë, ku çdo faturë do të lëshohet dhe verifikohet elektronikisht nga DAP në kohë reale. Për dallim nga faturat në PDF apo në letër, vetëm ato të lëshuara përmes sistemit të DAP-it do të kenë vlefshmëri ligjore.

„Me energji të plotë dhe vizion të qartë – fillojmë një kapitull të ri në transformimin digjital të sistemit tatimor“, thanë nga DAP në prezantimin e projektit.

Procesi do të funksionojë në mënyrë automatike: pasi një subjekt të përgatisë faturën përmes sistemit të vet ose aplikacionit të DAP-it, ajo do të dërgohet elektronikisht në DAP, do të verifikohet dhe do të pajiset me një kod unik. Në të njëjtin moment, fatura do të arrijë tek marrësi përmes të njëjtit sistem – pa pasur nevojë për dërgesë me e-mail apo në letër.

Ekspertja e tatimeve Marijana Andriq thekson se e-faturimi nënkupton kalimin nga fiskalizimi i pagesave me para në dorë tek fiskalizimi i pagesave pa para në dorë. „Ky sistem siguron regjistrim të saktë të TVSH-së dhe të ardhurave të subjekteve, duke mbyllur hapësirat për manipulime apo fshehje“, tha ajo.

Përveç përfitimeve fiskale, pritet edhe ndikim i madh ekologjik. Sipas llogaritjeve të kompanisë „Marand Konsultanti“, eliminimi i faturave në letër do të shpëtojë të paktën 12.000 drunj në vit, vetëm nga 40 mijë tatimpaguesit e regjistruar për TVSH.

Megjithëse në fillim pritet njëfarë rezistence, ekspertët besojnë se përfitimet do të jenë të menjëhershme: më pak shpenzime, më shumë efikasitet dhe komunikim i automatizuar mes biznesit dhe administratës tatimore.

Continue Reading

Lajme

VLEN ka mungesë të kuadrove për në Mbrojtje apo këtë pozitë e kanë nxjerrë në tezgë?

Published

on

By

Çfarë po ndodhë me kaolicioni VLEN si përfaqësues të shqiptarëve në qeveri, në mesin e shumë pozitave që akoma i kanë ngel të zbrazta është edhe pozita e zëvëndësministrit të Mbrojtjes. Kanë kaluar muaj të tërë prej kur Aleanca për Shqiptarët braktisi qeverinë dhe me këtë veprim la të zbrazët pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes. Një hapësirë e tillë që në kushte normale do të ishte mbushur menjëherë për të shmangur boshllëqe funksionale, vazhdon të qëndrojë e paprekur sikurse të ishte gjithçka në rregull. Me këtë situatë krijohet hapësira për të konstatuar që shqiptarët edhe në një fushë strategjike si mbrojtja po mbesin të anashkaluar, shkruan Zhurnal.

Një sektor i rëndësishëm si Mbrojtja pa shqiptar –

Ministria e Mbrojtjes është një nga institucionet më të ndjeshme e të rëndësishme të shtetit. Kjo nuk është vetëm administratë teknike por është garancia e sigurisë dhe mbrojtjes së integritetit territorial. Në një vend multietnik si Maqedonia e Veriut përfaqësimi proporcional në këtë institucion nuk është luks por domosdoshmëri. Megjithatë, aktualisht nuk ka asnjë zëvendësministër shqiptar që të mbikëqyrë proceset dhe të sigurojë që ky balancim respektohet.

Në katër muajt e fundit Ministria e Mbrojtjes ka marrë gjithsej 120 vendime për emërime në pozita të nënoficerëve. Nga këto, vetëm 14 kanë shkuar për shqiptarë. Shifrat janë të pamëshirshme më pak se 12 për qind përfaqësim në një shtet ku shqiptarët përbëjnë mbi një të katërtën e popullsisë. Ky disproporcion nuk është rastësi as anomali teknike. Kjo tregon një model të qartë vendimmarrjeje ku shqiptarët shtyhen në periferi ndërsa posti i zëvendësministrit mbetet bosh, pa askënd që të reagojë.

Pse hesht VLEN?

Koalicioni VLEN i cili trashëgoi detyrimin për të plotësuar këtë pozitë pas largimit të Aleancës për Shqiptarët, deri më sot nuk ka ofruar asnjë zgjidhje. Kjo heshtje sjellë dyshime të mëdha e që janë plotësisht legjitime. A është fjala për mungesë të kuadrove të përgatitur për një pozitë kaq delikate? Apo bëhet fjalë për një lojë politike ku kjo pozitë mbahet pezull për të shërbyer si kartë negociuese në marrëdhëniet brenda koalicionit?

Nëse është mungesë kuadrosh, atëherë kemi të bëjmë me një problem strukturor që prek të gjitha partitë shqiptare që përbëjnë VLEN-in paaftësinë për të ndërtuar profesionistë në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes. Nëse është lojë politike, atëherë problemi është edhe më i madh sepse shndërron përfaqësimin shqiptar në një mall pazari.

Një rrezik i dukshëm edhe më i thellë pozita mund të humbet –

Sa më shumë të zgjasë kjo vonesë aq më i madh bëhet rreziku që posti të merret nga një kuadër maqedonas. Këtu barra bie drejtpërdrejt mbi zëvëndëskryeministrin, Arben Fetai, i cili aktualisht është “bajraktari”i ASH-së në VLEN. Dhe, nuk do mend që Fetai duhet ta plotësoj këtë pozitë sa më parë që është e mundur që mos të ndodhë ky skenar i lartpërmendur që edhe këtë pozitë ta humbasin shqiptarët.

Ky problem merr edhe një dimension ndërkombëtar, pra nuk është çështje që fillon dhe përfundon vetëm brenda vendit. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, një aleancë ku përfaqësimi i barabartë dhe respektimi i diversitetit janë vlera bazë. Si mund të justifikohet përpara aleatëve fakti që një nga komunitetet kryesore të vendit nuk ka përfaqësim në Ministrinë e Mbrojtjes? Ky është paradoks që e vendos në pikëpyetje seriozitetin e shtetit në raport me standardet e Aleancës.

Pozita e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes nuk është thjesht një karrige bosh, por është pasqyra e një realiteti të hidhur se shqiptarët edhe pas më shumë se dy dekadash nga Marrëveshja e Ohrit, ende nuk janë të barabartë në shtetin që e quajnë të përbashkët.

Kujtojmë që, çdo ditë që kjo pozitë mbetet pa përfaqësues shqiptar mesazhi bëhet më i qartë barazia etnike në Maqedoninë e Veriut nuk është ende një normë por një betejë e papërfunduar. Dhe pyetja e madhe mbetet se a do të zgjohet politika shqiptare nga kjo letargji, apo do ta lërë këtë pozitë dhe me të edhe interesat e shqiptarëve në tryezën e pazareve? /Zhurnal.mk

Continue Reading

Lajme

Limani: Fillojnë punimet infrastrukturore në disa lokacione

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani në intervistën e tij të fundit u shpreh pas një ndërprerje të punimeve për shkak të mërgimtarëve, punimet infrastrukturore do të vazhdojnë në Komunën e Gostivarit.

“Këtë javë deri në fund të javës, do të fillojmë me dy-tre projekte infrastrukturore, edhe atë në rrugë “Pançe Popovski”. Me rikonstruim do të fillohet edhe në dy rrugët në “Mara Ugrinova” te stacioni i autobusëve. Në fillim të shtatorit do të vazhdohet edhe me bulevardin, pjesë të cilën e ndalëm për shkak të ardhjes së mërgimtarëve”, u shpreh kryetari Limani.

Kryetari Limani po ashtu theksoi se do të punohet në rrugën te varrezat e fshatit Çegran dhe në Banjicë të Epërme.

“Në shtator po ashtu do të fillojë rruga tek varrezat në fshatin Çegran, disa rrugë në fshatin Banjicë e Epërme që duhet të rikonstruohen pas realizimit të kanalizimit fekal”, u shpreh Limani.

Continue Reading

Lajme

Osmani aktivizon “Roja e Ndërtimit”, mekanizëm kundër kaosit urban në Çair

Published

on

By

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot e prezantoi mekanizmin e tretë kyç nga programi i tij për luftën kundër kaosit urban dhe ndërtimit të paligjshëm – sistemin “Roja e Ndërtimit”. Mekanizmi, siç tha ai, synon t’i japë fund ndërtimeve pa leje, kaosit urban dhe mbrojtjes politike të objekteve të paligjshme.

“Që prej kohësh në Çair është humbur ndjenja për rregull e disiplinë në ndërtim. Po ndërtohet pa leje dhe pa plan, madje me mbështetje të drejtpërdrejtë nga pushteti lokal. Qytetarët po e shohin se si komuna e tyre po shndërrohet në një xhungël betoni. Ky kaos urban nuk do të vazhdojë më”, theksoi Osmani.

Mekanizmi “Roja e Ndërtimit” është një koncept i ndërtuar nga pesë instrumente të drejtuara drejt parandalimit dhe mbikëqyrjes transparente të proceseve të ndërtimit:
1. Skaneri Urbanistik: Një hartë publike interaktive në kohë reale, e cila do të paraqesë të gjitha informacionet për ndërtimet në Çair. “Do të shihet nëse ndërtimi ka leje, nëse ka raportim për paligjshmëri, në cilin status ndodhet procedura, legalizim, rrënim apo ankesë”, shpjegoi Osmani.
2. Raportim anonim për ndërtimet e dyshimta: Çdo qytetar do të ketë mundësinë të raportojë në mënyrë anonime një ndërtim të paligjshëm ose të dyshimtë. “Qytetarët marrin një mjet në duar, ndërsa institucionet përballen me një mbikëqyrje publike që nuk mund ta shpërfillin më”, tha ai.
3. Tabela publike me kod QR në çdo kantier ndërtimi: Çdo objekt në ndërtim do të ketë detyrim të vendosë një poster informativ me kod QR, që do të mundësojë qasje në të dhëna për investitorin, lejen, mbikëqyrësin dhe afatin e ndërtimit. “Ky është kontroll publik në praktikë dhe fundi i lejeve të rreme, manipulimeve dhe dokumenteve të fabrikuara”, deklaroi Osmani.
4. Linja e kuqe për raportim të parregullsive dhe korrupsionit: Përmes telefonit, formularit online ose kanaleve Viber/WhatsApp, qytetarët do të mund të raportojnë presione, parregullsi ose praktika korruptive. Raportimet do t’i përcillen automatikisht ekipit antikorrupsion, inspektoratit komunal dhe do të publikohen në një buletin mujor transparence.
5. Auditim i plotë i të gjitha procedurave të ndërtimit: Osmani paralajmëroi se nga dita e parë do të kryhet një analizë e hollësishme e të gjitha ndërtimeve ekzistuese, lejeve dhe objekteve në proces. “Nuk do të lejoj askënd më të abuzojë me ligjin. Do të përcaktohet kush dhe si e ka lejuar ndërtimin”, theksoi ai.

Në fjalimin e tij para publikut, Osmani nënvizoi se lufta kundër krimit urban kërkon mekanizma konkretë, jo vetëm deklarata politike.

“Krimi ndërtimor nuk zgjidhet me deklarata, por me mekanizma kontrolli dhe transparence. Këto mjete janë përgjigjja ime, ato janë sistematike, publike dhe operative”, potencoi ai.

Osmani porositi se Çairi duhet t’ia kthejë rendin urbanizmit nëse dëshiron të ketë hapësirë jetese cilësore dhe të sigurt:
“Nëse duam që Çairi të jetë komunë me rregull, duhet t’i vëmë nën lupë ndërtimet pa leje, mafien urbane dhe patronët politikë. Unë jam gati”, përfundoi Osmani.

Continue Reading

TOP Lajme