Aktivistja e njohur Nafije Selmani ka reaguar ndaj deklaratës së ish-kryetarit të Qytetit të Shkupit, Trifun Kostovski, në lidhje me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Në një reagim të artikuluar me tone të respektshme, por njëkohësisht të drejtpërdrejtë, Selmani vlerëson përpjekjet e Kostovskit për të nxitur bashkëjetesën ndëretnike, por thekson se qasja e tij relativizon padrejtësitë që përjetojnë komunitetet jo-maqedonase në vend.
“Kur Arben Taravari dhe Aleanca për Shqiptarët flasin për mospranimin e statusit si qytetarë të rendit të dytë, ata nuk shpikin ndasi, por denoncojnë një realitet të hidhur që shumë shpesh injorohet,” shprehet Selmani.
Ajo thekson se barazia nuk është thjesht një ideal moral, por një domosdoshmëri institucionale që ende mungon për qytetarët shqiptarë, turq, romë, boshnjakë dhe të tjerë. Sipas saj, të kërkosh barazi nuk nxit ndasi, por është thelbi i një shoqërie të drejtë dhe funksionale.
Selmani gjithashtu thekson se z. Taravari nuk është përçarës, por përfaqësues i zërit të atyre që shpesh mbeten të paqenë në sistemin politik dhe institucional të Maqedonisë së Veriut.
Në fund të reagimit të saj, Nafije Selmani kujton me mirënjohje një moment personal kur, në vitin 2005, u punësua si një nga të parët shqiptarë në administratën e Qytetit të Shkupit gjatë kohës kur Trifun Kostovski ishte kryetar. Ajo e quan këtë një dëshmi se Kostovski ka ditur të vlerësojë profesionalizmin përtej përkatësive etnike dhe partiake.
“Ju ruani respektin tim për atë kohë, sepse nuk latë që përkatësitë fetare, etnike apo partiake të bëhen barrierë. Prandaj, pikërisht nga ju presim më shumë mirëkuptim për të drejtat e barabarta sot,” përmbyll reagimin e saj Selmani.