Lajme
Ligji për të gjithë, fatura për shqiptarët?

Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, akuzoi Drejtorinë e të Ardhurave Publike për trajtim selektiv të qytetarëve që kanë punuar në bazat ushtarake në Irak dhe Afganistan, duke pretenduar se mbi 90 për qind e të prekurve janë shqiptarë. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe se institucionet kanë të drejtë të kërkojnë shlyerjen e detyrimeve tatimore të papaguara brenda afatit ligjor pesëvjeçar.
Tatimi i të ardhurave të qytetarëve që kanë punuar në bazat ushtarake amerikane dhe të NATO-s në Irak dhe Afganistan ka nxitur përplasje në Parlament ndërmjet deputetes së Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari, dhe ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Në qendër të debatit ishin vendimet tatimore të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, të cilat, sipas deputetes opozitare, po godasin financiarisht mijëra familje, kryesisht shqiptare. Ajdari ngriti dyshime se institucionet po zbatojnë standarde të dyfishta ndaj qytetarëve që kanë realizuar të ardhura jashtë vendit, ndërsa ministrja kundërshtoi pretendimet për diskriminim etnik dhe mbrojti ligjshmërinë e procedurave tatimore.
AJDARI: MBI 90 PËR QIND E TË PREKURVE JANË SHQIPTARË
Deputetja e BDI-së deklaroi se qytetarët që kanë punuar në kushte të rrezikshme në Irak dhe Afganistan, pas shumë vitesh po përballen me detyrime të mëdha tatimore dhe kamata ndëshkuese. Sipas saj, paratë e fituara nga këta punëtorë janë investuar në patundshmëri, biznese dhe në zhvillimin ekonomik të rajoneve prej nga vijnë.
Ajo pretendoi se mbi 90 për qind e qytetarëve të prekur nga këto vendime janë nga Pollogu, Kumanova dhe Likova, duke ngritur dyshime për trajtim selektiv mbi baza etnike.
“Kjo formë e goditjes retroaktive financiare ngjall dyshime të bazuara se institucionet shtetërore po përdorin mekanizma tatimorë në mënyrë selektive ndaj një komuniteti të caktuar etnik, duke penalizuar drejtpërdrejt familjet shqiptare dhe zhvillimin ekonomik të këtyre rajoneve”, deklaroi Ajdari.
Deputetja theksoi se shumë prej këtyre qytetarëve kanë qëndruar jashtë vendit më shumë se 183 ditë gjatë vitit, gjë që, sipas interpretimit të saj, duhet të merret parasysh gjatë përcaktimit të rezidencës tatimore dhe detyrimeve përkatëse.
Ajdari shkoi edhe më tej, duke pretenduar se përfaqësues të pushtetit kanë ndërmjetësuar për zgjidhjen e problemeve tatimore të një pjese të qytetarëve, por se nga këto ndërhyrje nuk kanë përfituar shqiptarët.
“Sipas informacioneve që kemi marrë nga qytetarët e prekur, eksponentët e pushtetit kanë ndërmjetësuar dhe kanë gjetur zgjidhje për një pjesë të qytetarëve që kanë punuar jashtë vendit, mirëpo nga kjo zgjidhje nuk kanë përfituar qytetarët shqiptarë. Në këtë rast mendoj se kemi të bëjmë me diskriminim etnik”, tha Ajdari.
Ajo kërkoi nga ministrja të sqarojë nëse Qeveria do të ndërmarrë masa për anulimin e vendimeve tatimore, të cilat deputetja i cilësoi si të jashtëligjshme, duke përmendur edhe mundësinë e një amnistie fiskale.
MINISTRJA: LIGJI LEJON KONTROLLIN PËR PESË VJET
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, hodhi poshtë pretendimet për tatim retroaktiv, duke sqaruar se legjislacioni u mundëson institucioneve të kontrollojnë dhe kërkojnë detyrimet e papaguara brenda një periudhe pesëvjeçare.
“Kur bëhet fjalë për ligjet tatimore, nuk ka retroaktivitet. Ligji lejon të ktheheni pesë vjet pas. Këtu nuk bëhet fjalë për retroaktivitet, por për detyrimin që ai që nuk ka paguar tatim gjatë këtyre pesë viteve, ta paguajë atë”, deklaroi Dimitrieska-Koçoska.
Sipas saj, fakti që në të kaluarën mund të mos jenë kryer kontrolle nuk i liron qytetarët nga detyrimet e tyre ligjore.
Ministrja theksoi se DAP-i ka informuar vazhdimisht qytetarët për detyrimet që burojnë nga të ardhurat e realizuara jashtë vendit, ndërsa vendimet për kontrollet janë në kompetencë të administratës tatimore.
“Pyetja është nëse është paguar tatimi apo nuk është paguar. Fakti që dikur nuk janë ndërmarrë kontrolle, ndërsa tani po ndërmerren, është vendim i personave që kanë punuar edhe në drejtoritë rajonale”, u shpreh ajo.
“TATIMI NUK NJEH SHQIPTARË DHE MAQEDONAS”
Dimitrieska-Koçoska kundërshtoi ashpër edhe akuzat për selektivitet etnik, duke deklaruar se ndër qytetarët e parë që kishin reaguar ndaj detyrimeve tatimore ishin maqedonas nga Kumanova që kishin punuar në Afganistan.
“Nuk e di pse edhe nga kjo temë përpiqeni të krijoni sërish tensione etnike, kur, për shembull, qytetarët e parë që reaguan ishin njerëz nga Kumanova që kishin punuar në Afganistan dhe ishin maqedonas. Maqedonasit ishin të parët që reaguan, jo shqiptarët”, deklaroi ministrja.
Ajo theksoi se përkatësia etnike nuk mund të jetë kriter për zbatimin e dispozitave tatimore. “Tatimi nuk njeh maqedonas apo shqiptarë. Ligji vlen njësoj për të gjithë. Tatimi nuk njeh maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vllehë apo cilindo komunitet tjetër etnik. Të gjithë qytetarët janë të barabartë para dispozitave tatimore”, tha Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja i bëri thirrje deputetes që çështjet tatimore të mos ndërlidhen me përkatësinë etnike, duke këmbëngulur se institucionet veprojnë brenda afateve të përcaktuara me ligj.
Pavarësisht kundërshtimeve mes deputetes dhe ministres, gjatë debatit nuk u paraqitën të dhëna zyrtare të detajuara për numrin e qytetarëve të përfshirë në kontrollet tatimore, shpërndarjen e tyre sipas rajoneve apo përmasat e detyrimeve financiare. Çështja mbetet e hapur për mijëra qytetarë që kanë realizuar të ardhura nga puna jashtë vendit, ndërsa debati parlamentar ka nxjerrë në pah dallimet ndërmjet interpretimit të detyrimeve ligjore nga Qeveria dhe pretendimeve të opozitës për zbatim selektiv të tyre. (koha.mk)
15:57
Nga komunat te spitalet, borxhet nuk kanë fund!
13:29
Këshilltarët e ASH-së, në Çair me iniciativë për lehtësimin e barrës financiare të çifteve të reja, kërkohet lirim 100% nga tatimi komunal
12:49
Taravari: Tash të jesh në #VLEN është e turpshme
10:55
Fyerja e kolegëve në punë mund të dënohen deri në një vit burg në Maqedoninë e Veriut
Të Gjitha Lajmet
Më të Lexuarat
01
Tronditëse në Shkup: Dy burra, 47 dhe 62 vjeç, dyshohen për abuzim seksual ndaj një fëmije nën 15 vjeç
02
Nga komunat te spitalet, borxhet nuk kanë fund!
03
Edi Rama mbështet kërkesën e Sofjes: Bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë
04
Parashikimi i motit
05
Arrestohet 39 vjeçari nga Banjica e Poshtme, dërgonte mesazhe dhe video kërcënuese, i kërkonte para një burrit nga Gostivari

Lajme
Tronditëse në Shkup: Dy burra, 47 dhe 62 vjeç, dyshohen për abuzim seksual ndaj një fëmije nën 15 vjeç

Lajme
Nga komunat te spitalet, borxhet nuk kanë fund!

Lajme ditore
Këshilltarët e ASH-së, në Çair me iniciativë për lehtësimin e barrës financiare të çifteve të reja, kërkohet lirim 100% nga tatimi komunal

Lajme
Taravari: Tash të jesh në #VLEN është e turpshme

Lajme
Fyerja e kolegëve në punë mund të dënohen deri në një vit burg në Maqedoninë e Veriut

Lajme
LSDM: Mickoski planifikon ta zhysë shtetin në borxh edhe 2 miliardë euro në vitin 2027

Lajme
Edi Rama mbështet kërkesën e Sofjes: Bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë




