Connect with us

Lajme

Kontrollorët te M-NAV përsëri në protestë pasi në konkursin e fundit u punësuan familjarë të pushtetarëve dhe partiakëve

Published

on

Në shpalljen kontestuese, për shkak të së cilës më 10 korrik kontrollorët e fluturimeve në Navigacionin e Maqedonisë (M-NAV) u kërcënuan se do të hidheshin në grevë, janë pranuar: Ivana Jug – bashkëshortja e të ndjerit Igor Jug, njërit prej të dënuarve për sulmin e organizuar në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, Atanas Stamnov – bashkëshorti i drejtoreshës së Regjistrit Qendror të Maqedonisë, Anita Stamnova, si dhe nënkryetari i Unionit të Forcave të Reja të VMRO-DPMNE-së, Filip Gjorgjiev, zbulon SAKAMDAKAZAM.MK, përcjell Portalb.mk.

Gjorgjiev është pranuar në vendin e punës “studentit AI”, ndërsa Jug dhe Stamnov janë pranuar në vendin e punës “ndihmës për zhvillim, investime dhe prokurime”.

Tashmë disa ditë me radhë me këmbëngulje e kërkojnë Drejtorin e M-NAV, Vlladimir Risteski, për ta pyetur nëse gjatë procesit të punësimit ishte e rëndësishme që kandidatët të ishin anëtarë të partisë, si dhe për pyetje të tjera, por ai as nuk iu përgjigjet telefonatave dhe as nuk përgjigjet në mesazhet e dërguara në SMS dhe Viber.

Risteskin, me të cilin në Këshillin Drejtues të M-NAV janë edhe drejtorët Kliment Çepunjoski dhe Fatmir Zimberi, fillimisht e pyetëm se pse dje (16.07.2025) u ripublikua një pjesë e kësaj shpallje, për tre vende pune (dy me arsim të mesëm dhe një vend për “këshilltar” me arsim të lartë).

Informacioni jozyrtar është se kandidatët e tjerë nuk e kanë pasur dokumentacionin e nevojshëm, domethënë nuk i i kanë plotësuar kushtet, prandaj dje është shpallur, ripublikuar një pjesë e shpalljes nga data 9 korrik, vetëm për ato vende që pothuajse u zunë nga kandidatë të tjerë pa lidhje partiake. Njëri nga kandidatët është refuzuar sepse nuk ka pasur njohuri nga gjuha angleze.

Shpallja është përsëritur për vendin e punës “operator i transmetimit të të dhënave dhe autorizim dhe mbikëqyrje të fluturimeve”, për vendin e punës “student AI” dhe për vendin e punës “këshilltar i pavarur”.

Drejtori nuk na u përgjigj as dhe se pse në fazën e dytë kandidatët janë intervistuar vetëm nga tre drejtorët, pa dëshmitarë? Punonjësit në M-NAV thonë se ata nuk kanë lejuar që gjatë intervistimit të marrë pjesë madje as procesverbalisti.

Sipas marrëveshjes së arritur nga menaxhmenti i M-NAV, Qeveria dhe Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimit, për ta parandaluar grevën dhe mbylljen e qiellit mbi Maqedoni, gjatë intervistave me kandidatët për punësim për cilin do vend punë në këtë ndërmarrje shtetërore, detyrimisht është dashur të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Sindikatës.

Greva e kontrollorëve të fluturimeve e planifikuar për më 10 korrik u parandalua sepse Qeveria garantoi se do t’i përmbushte të gjitha kërkesat e përcjella përmes Sindikatës. Duhej të merrnin fund punësimet partiake, duhej të merrej miratimi nga Ministria e Financave për një shpallje për të paktën 6 kontrollorë të fluturimeve, sepse ka mungesë të tyre, si dhe meteorologëve, inxhinierëve dhe profesionet e tjera qenësore. Duhet të ishte shpallur edhe një tender për përzgjedhjen e një agjencie ndërkombëtare, të pavarur, e cila do të kryente një analizë të gjendjes aktuale në M-NAV, si dhe pozitave qenësore që duhen plotësuar për funksionimin normal të ndërmarrjes, por Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimeve u mashtrua.

Sa i përket temës së punësimeve me libreza partiake më 14 korrik kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në ngjarjen “Një vit me rezultate” në të cilin Drejtoria e Doganave raportoi për punën e saj në vitin paraprak, tha:

“Për një vit me punë të palodhur, vizion dhe një qasje ekonomike, po e ngrejmë vendin në këmbë, pjesë pas pjese, institucion pas institucioni, sistem pas sistemi. Qytetarët e njohin qasjen e re. Ata e dinë se ne nuk premtojmë mrekulli, se punojmë shumë çdo ditë për të ndërtuar një sistem që nuk varet nga librezat partiake, por nga drejtësia, llogaridhënia dhe barazia.”

Mickoski, si udhëheqës i opozitës, deklaroi: “Librezat partiake nuk duhet të jenë kriter për punësim.” Ai tha edhe se: “Nëse duam të ndërtojmë një shtet të bazuar në njohuri dhe kompetenca, librezat partiake nuk duhet të jenë kriter për punësim, por njohuritë dhe aftësitë. Ajo që po e them tani mund të mos u pëlqejë shumë njerëzve edhe në partinë tonë, por mendoj se diku duhet të fillohet. Dhe nëse ne duhet ta fillojmë këtë si shumë procese në shtet, le të fillojmë.”

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Maqedonisë (SKTAM) më 10 korrik e anuloi vendimin e shpallur për grevë, e cila duhej të zhvillohej atë ditë. Kryetari i SKTAM-së, Aleksandar Tasevski, tha se kërkesat e sindikatës po ecin përpara, më saktësisht, kërkesa për punësimin e kontrollorëve dhe për zbatimin e një analize funksionale që duhet të përcaktojë se cilat vende pune dhe sa drejtues nevojiten është miratuar.

Kujtojmë se, sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Maqedonisë më 19 qershor i kishte dërguar një letër paralajmëruese Bordit të Drejtorëve të Navigacionit Maqedonas (M-NAV) se më 10 korrik, kontrollorët do të hyjnë në grevë dhe do të mbyllin qiellin nëse vazhdon të punësohet personel i panevojshëm partiak në vend të kontrollorëve të trafikut ajror, inxhinierëve dhe meteorologëve.

Reagimi i tyre erdhi pas një konkursi për punë të shpallur nga MNAV.

Continue Reading

Lajme

“Sipas dinamikës së Bilall Kasamit, stadiumi i Tetovës do të ndërtohet në vitin 2050” JA KONTRATA dhe DINAMIKA

Published

on

By

Para disa ditësh, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami deklaroi se në muajin tetor, skuadra e Shkëndijës do të zhvillojë ndeshje në stadiumin e ri, duke theksuar se punimet po ecin sipas dinamikës së paraparë.

Portali TS sot ka qenë në vendin e ngjarjes dhe situata në terren tregon një realitet krejt ndryshe – ndërtimi i stadiumit, me këtë ritëm, nuk pritet të përfundojë as për 20 vite, e jo më deri në tetor siç pretendon kryetari i komunës.

Kontrata për ndërtimin e stadiumit është nënshkruar më 18 mars 2024,(Që mund të shihet më poshtë), pra ka kaluar gati 2 vite.

Sipas kontratës së nënshkruar ndërmjet Ndërmarrjes Publike “Tetova-Transport” (në emër të Komunës së Tetovës) dhe kompanisë “EProperty – Ekologu”, dinamika e ndërtimit ishte përcaktuar kështu:

Në vitin e parë duhet të përfundohej 28.66% e punimeve,

Në vitin e dytë 37.22%,

Dhe në vitin e tretë 34.12%.

Tani jemi drejt fundit të vitit të dytë dhe sipas dinamikës është dashur të jetë 65.88% e ndërtimit, sipas pamjeve të publikuara nga vetë Bilall Kasami si dhe videove të portalit TS, është e dukshme se deri më tani janë realizuar vetëm 5-7% e punimeve totale në stadium.

Atëherë shtrohet pyetja: Si do të përfundohet stadiumi brenda muajit tetor, kur kanë mbetur më pak se një muaj, ndërsa punimet janë në vetëm 5%?

Duhet të përfundohen edhe 95% të punimeve që stadiumi të jetë gati për të pritur ndeshje.

Nga ana tjetër, burime të portalit TS bëjnë të ditur se kompania EProperty ka lëshuar fatura në vlerë mbi 1 milionë euro, ndërsa Ndërmarrja “Tetova-Transport” nuk ka paguar ende asnjë shumë.

Nëse vazhdohet me këtë ritëm, sipas “dinamikës” së paraqitur nga Bilall Kasami, stadiumi mund të përfundojë vetëm rreth vitit 2050, dhe vetëm atëherë Shkëndija mund të luajë në fushën e saj të re./TS/

Më poshtë keni VIDEON- Kontratën dhe Dinamikëne punimeve:

Continue Reading

Lajme

Çair nxjerr në Shesh kontraditat dhe dobësinë e VLEN-it

Published

on

By

Nga Liridon Ramadani

Mbrëmë në Çair u bë hapja e shtabit zgjedhor, dhe për mua ky moment tregoi qartë se Çairi është pika ku përplaset kontradikta e brendshme e VLEN-it, por njëkohësisht shihet edhe frika e tyre nga humbja e thellë. Në Çair, ata nuk mund të thirren në emër të “ndryshimit”. Si mund të flasë për ndryshim Izet Mexhiti, i cili për tri mandate ka qenë kryetar komune, e pastaj edhe përmes Visar Ganiut ka vazhduar ta udhëheqë Çairin edhe dy mandate tjera? Për të mbuluar këtë boshllëk, narrativën e ndryshimit po mundohen ta zëvendësojnë me një narrativë të re atë të “lokalizmit”, sikur kinse tash është koha që Shkupi të udhëheqë politikën shqiptare. Por pikërisht këtu nis kontradikta e madhe: kjo qasje automatikisht e minon rolin e Bilallit brenda VLEN-it, sepse gjithë pesha dhe imazhi po i mvishen Izetit, i cili tashmë perceptohet si lideri i tyre. Dhe kjo është pika që e tregon fytyren e vërtet të Vlenit. Pse? Sepse Izet Mexhiti nuk shihet si figurë e ndryshimit, por si pushtetar 20-vjeçar. Me këtë, jo vetëm që ia mveshin VLEN-it barrën e së kaluarës, por edhe ua heqin nga dora figurave të tjera të cilat tash e humbin arsyen për t’u thirrur në ndryshim. Kështu, Bilalli bie në një pozitë periferike politike: edhe nëse fiton, fitorja e tij do të jetë vetëm plotësuese, por jo vendimtare.
Në anën tjetër, bie në sy mungesa dhe injorimi i Arben Fetait. Ky fakt është mesazh i qartë se roli i tij brenda VLEN-it ka marrë fund. Nga promotor dhe truri i vetëshpallur i ndryshimit, ai sot është lënë jashtë loje, i padukshëm dhe i parëndësishëm.
Dhe e gjitha kjo së shpejti do të sjellë përplasje të brendshme në kampin e VLEN-it. Përplasjet që do t’i nxjerrin në sipërfaqe kontraditat e tyre dhe që do t’i çojnë drejt një humbjeje më të thellë se sa e kanë pritur.

Continue Reading

Lajme

AKI-Tetovë akuzon Kasamin për keqmenaxhim me rrugët 185 dhe 186

Published

on

By

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) – Tetovë ka reaguar sot publikisht, duke akuzuar kryetarin në ikje të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për keqmenaxhim dhe politika destruktive informon Tetovasot.

“Para më shumë se një viti e gjysmë, në mënyrë klandestine, Komuna e Tetovës hoqi kalldrëmet nga rrugët 185 dhe 186 për t’i përdorur në projektin e Rrugës së Butiqeve. Si pasojë e kësaj sjelljeje të papërgjegjshme, banorët e këtyre dy rrugëve jetojnë sot një ‘golgotë’ të vërtetë: rrugët janë të pakalueshme, makinat po dëmtohen, rastet emergjente mjekësore përballen me pengesa serioze dhe fëmijët kanë vështirësi për të shkuar në shkollë”, thuhet në reagimin e AKI-së.

Sipas AKI-së, ironia qëndron tek fakti se edhe vetë projekti i Rrugës së Butiqeve, me emrin “Ringjallja e zejeve për zhvillim të përbashkët turistik”, nuk është ide apo meritë e kryetarit në ikje. Ky projekt është fituar si grant nga Bashkimi Evropian në kohën kur Komuna udhëhiqej nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Kjo është dëshmia më e mirë e një pushteti që punon pa plan dhe në mënyrë të çorganizuar, duke dëmtuar qytetarët për interesa politike. Por eksperimenteve të tilla po u vjen fundi. Më 19 tetor qytetarët e Tetovës do t’i thonë mjaft mashtrimeve dhe do të zgjedhin opsionin që sjell zhvillim me plan, përkushtim dhe dinjitet për çdo lagje dhe çdo qytetar,” thuhet në deklaratën e AKI-së.TS

Continue Reading

TOP Lajme