Nga Naser Selmani
Kërkesa e kryeministrit Mickovski që rrahjes brutale të nxënësve shqiptarë në Tetovë nga tifozët e Teteksit të mos i jepet karakter etnik është paturpësi e skajshme. Nëse dhuna ndaj fëmijëve shqiptarë nuk ka motive etnike, pse kryeministri nuk i tregon motivet e vërteta të kësaj dhune barbare?
Me qasjen e tij, Mickovski dhe qeveria kanë nxitur përshkallëzimin e gjuhës së urrejtjes dhe të dhunës etnike. Kur tifozët maqedonas në Kumanovë kërkuan vdekjen e shqiptarëve, reagimi i tij ishte i vakët: njëherë tha se nuk i dëgjoi thirrjet, pastaj e minimizoi duke thënë se ishte një grup i vogël.
Sikur institucionet të kishin vepruar me vendosmëri, tifozët e Pelisterit nuk do të guxonin të kërkonin vdekjen e shqiptarëve në ndeshjen me Shkupin.
Fakti që autorët e urrejtjes dhe dhunës etnike nuk zbrapsen dëshmon se institucionet veprojnë dobët, ose në rastin më të keq, i tolerojnë me vetëdije. Pikërisht për këtë arsye, në Veles dhe Tetovë shfaqen grafite me thirrje për vdekjen e shqiptarëve, të cilat nesër mund të nxisin dhunë në vende të tjera.
Për t’u shfajësuar, Mickovski madje akuzoi opozitën shqiptare për dhunën etnike – një absurditet që nuk bind askënd. E vërteta është se mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes në Kumanovë dhe Manastir çoi në dhunën e Vojvodëve ndaj nxënësve shqiptarë në Tetovë. Kur urrejtja nuk ndëshkohet, ajo kthehet në dhunë fizike.
Institucionet përshkallëzojnë dhunën sepse tregojnë edhe standarde të dyfishta sipas përkatësisë etnike. Sulejman Llamallari dënohet me dy vjet e gjysmë burg për një debat verbal, ndërsa tifozët që përdorin gjuhën e urrejtjes kundër shqiptarëve dyshohen për kundërvajtje. Cilësimi i saktë i veprës do të ishte
gjuhë e urrejtjes që parasheh dënim me burgim deri në pesë vjetë.
Këto raste dëshmojnë se drejtësia është selective dhe thellon përçarjet ndëretnike.
Motivet e Mickovskit janë të qarta: me retorikën antishqiptare ai kërkon të ruajë lidershipin në parti, të kompensojë humbjet në zgjedhjet lokale, t’i shërbejë Vuçiqit për të shpërqendruar protestat në Serbi dhe të shantazhojë BE-në me kartën e destabilizimit.
Sa largë do të shkojë Mickovski varet prej sjelljes së partive shqiptare, në pushtet dhe opozitë. Në këtë skenar, më në siklet është VLEN-i.
Nëse nuk arrin të ndalë përshkallëzimin e dhunës etnike, do të paguajë çmim të lartë në zgjedhjet lokale. Sepse nga dhuna kundër shqiptarëve përfitojnë VMRO-ja dhe opozita shqiptare, ndërsa humb VLEN. Do të dëshmohet se janë parti në pushtet, pa pushtet, e pafuqishme të parandalojë dhunë kundër shqiptarëve.