Connect with us

Lajme

Krejt çka tha sonte në T7 të Kosovës lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari

Published

on

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Pressing” në televizionin T7 të Kosovës, ka rrëfyer në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, duke analizuar dështimin e koalicionit VLEN, rolin e BDI-së, ndikimin e VMRO-së në politikat shqiptare dhe përjashtimin ekonomik të shqiptarëve, transmeton Flaka. Me tone kritike dhe një qasje reflektuese, Taravari dha sinjale për një ripozicionim të thellë të Aleancës në prag të zgjedhjeve lokale.

Duke nisur nga përvoja në qeveri, Taravari e pranoi haptazi se pritshmëritë për ndryshim përmes koalicionit opozitar VLEN nuk u realizuan.

“Premtuam ndryshim me VLEN-in, por për fat të keq, nuk arritëm të sjellim atë që qytetarët prisnin. Pas njëmbëdhjetë muajsh në qeveri, të gjithë në çdo institucion thoshin: ‘Nuk jeni ndryshimi’. Situata është më keq se para një, dy, pesë, dhjetë vitesh,” tha ai.

Ai shtoi se është më e ndershme të tërhiqesh nga një projekt që nuk funksionon, sesa të mbash një pozicion për interesa personale ose partiake.

Sipas Taravarit, koalicioni VLEN ka qenë një konstrukt i brishtë dhe artificial, i ndërtuar mbi baza jostabile.

“Koalicioni ishte i paqëndrueshëm dhe i ndërtuar mbi përçarje të thella ideologjike dhe organizative. Tre nga partitë ishin derivate të BDI-së. Vetëm ne vinim nga një linjë tjetër, ajo e PDSH-së. Ata tre funksiononin si një trup i përbashkët, ne ishim trupi i huaj aty.”

Ai kritikoi ndarjen e drejtësisë politike me “short” si shembull të mungesës së seriozitetit dhe të vizionit në qeverisje.

Duke komentuar rolin e liderit të Lidhjes Evropiane për Ndryshim, Izet Mexhiti, Taravari theksoi se ai ka trashëguar stilin politik të BDI-së.

“E kam përshëndetur ndarjen e tij nga BDI, sepse BDI nuk fitoheshte ndryshe. Por me kohën e kuptova se Mexhiti është duke ecur rrugës së BDI-së. Madje në disa tubime thotë: ‘Ne jemi BDI-ja e vërtetë’. BDI-zmi është shkollë politike – ai e ka në vete.”

Ai akuzoi VLEN-in për ushtrimin e një propagande të egër, që më parë, sipas tij, karakterizonte BDI-në.

“Propagandën më të fëlliqur që mund të ekzistojë, e ke në VLEN. BDI ka qenë eksperte për shpifje më parë, sot këtë e bën VLEN. Izet Mexhiti është ekspert për propagandë të zezë.”

Taravari nuk mohoi ndihmën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në fazën fillestare të formimit të VLEN-it, por theksoi se më pas nuk ka pasur ndikim direkt në vendimmarrje.

“Zotëri Kurti ka ndihmuar për të formuar koalicionin VLEN, por jo në funksionimin e tij të brendshëm. Nuk kemi kërkuar bekim nga askush. Por në Kosovë është interpretuar si goditje ndaj një prej figurave të UÇK-së, Ali Ahmetit.”

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Taravari është përpjekja e VMRO-DPMNE-së për të ndikuar në procesin zgjedhor në zonat shqiptare përmes “kandidatëve të pavarur të sponsorizuar”.

“Momenti që ta imponon partneri maqedonas kandidatin ‘e pavarur’, praktikisht ai nuk është kandidati yt. Sponsorizimi i tyre është një formë e re e kontrollit të heshtur, por shumë e rrezikshme.”

Sipas tij, ky është një zhvillim që synon të minojë autonominë politike të shqiptarëve dhe të zgjerojë kontrollin maqedonas në komunat me shumicë shqiptare.

Duke u ndalur tek dominimi 20-vjeçar i BDI-së në pushtet, Taravari deklaroi se kjo parti kishte nevojë të kalonte në opozitë pas zgjedhjeve të fundit.

“Momenti i duhur për BDI-në që të shkonte në opozitë ishte pas zgjedhjeve të fundit. Kjo do të ndihmonte edhe vetë partinë për t’u reformuar. Rotacioni politik sjell freski demokratike.”

Taravari konfirmoi publikisht se janë duke zhvilluar negociata me BDI-në për zgjedhjet lokale të tetorit, duke përjashtuar idenë e një bashkimi partiak.

“Po, ka bisedime. Ideja është që ku kemi ne kandidat të mos ketë BDI dhe anasjelltas. Të ketë përkrahje të ndërsjellë. Kjo është një marrëveshje taktike, e përkohshme, e konsultuar me anëtarësinë.”

Ai përmendi komuna si Gostivari, Vrapçishti, Tearca, Saraji dhe Studeniçani si zona ku mund të arrihet marrëveshje.

Në vijim, Taravari kritikoi ashpër koalicionin aktual me VMRO-në, duke e cilësuar si të dështuar në përmbushjen e pikave strategjike.

“Asnjë nga pikat nuk u realizua – as negociatat me BE-në, as zhvillimi ekonomik, as decentralizimi fiskal, as lufta kundër korrupsionit. Jo vetëm që nuk i nisëm negociatat me BE-në, por po largohemi gjithnjë e më shumë nga procesi.”

Sipas tij, vendi po orientohet drejt Beogradit në vend të Brukselit – një drejtim i rrezikshëm për shqiptarët.

Taravari akuzoi qeverinë për diskriminim ekonomik ndaj shqiptarëve, duke sjellë si shembull një kredi të madhe të marrë nga Hungaria.

“Nga 250 milionë euro të ndara për biznese private, nuk ka përfituar asnjë kompani me pronar shqiptar. Në mesin e 200 kompanive të mbështetura, nuk kishte asnjë shqiptare.”

Ai e cilësoi këtë si diskriminim të pastër institucional, që përkeqëson ndjeshëm pabarazinë ekonomike dhe shoqërore.

Deklaratat e Arben Taravarit shënojnë një moment reflektimi dhe ripozicionimi për Aleancën për Shqiptarët. Me një qasje kritike ndaj të kaluarës, por edhe me hapa pragmatikë drejt së ardhmes, ASH po shpalos një linjë të re politike, që synon të balancojë idealet me realitetin elektoral. Flaka

Lexo edhe: Taravari: Në Strugë dhe Gostivar, VMRO po ndërhyn përmes kandidatëve të pavarur

Taravari: Retorika antishqiptare po margjinalizon shqiptarët në institucione

Taravari: Në Kosovë e panë ndihmën e Kurtit si sulm ndaj UÇK-së

Taravari: Izet Mexhiti e mori me vete pjesën më të keqe të BDI-së – propaganda e zezë ka kaluar në VLEN

Continue Reading

Lajme

Bujar Osmani: Aleanca Kombëtare për Integrim po ngrihet në një forcë të bashkuar, të fortë dhe inspiruese

Published

on

By

Kandidati për kryetar komune të Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, sonte ka folur para aktivistëve të kuvendit vendor “Fehmi Lladrovci”, ku ka bërë thirrje për mobilizim strukturor dhe rezistencë që po forcohet çdo ditë e më shumë.

Postimi i plotë i Bujar Osmanit:

Lëvizja për rilindjen e Çairit po shpërthen mbi pritshmëritë tona dhe dëshmia më e gjallë ishte sot në hapjen e Shtabit në Këshillin Vendor “Fehmi Lladrovci”.

Të lodhur nga premtimet boshe, projektet e parealizuara, ambienti i papastër dhe mungesa e sigurisë, qytetarët e Çairit po i thonë mjaft stagnimit. Zëri i tyre nuk është thjesht kritikë, por rezistencë që po forcohet çdo ditë e më shumë.

Aleanca Kombëtare për Integrim po ngrihet në një forcë të bashkuar, të fortë dhe inspiruese. #besëlidhja #AKI

Continue Reading

Lajme

Blerant Ramadani takon banorët e Krushopekut, zotohet për investime në infrastrukturë dhe sport

Published

on

By

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar komune të Sarajit, Blerant Ramadani, së bashku me shefin e shtabit komunal, Senehat Murtezani, zhvilloi një takim me banorët e Krushopekut.

Ramadani theksoi se gjatë bashkëbisedimit u diskutua për disa projekte me rëndësi jetike për fshatin, si asfaltimi i rrugës që lidh komunën me Krushopekun, asfaltimi i rrugës që lidh Krushopekun me Nerezin, si dhe bekatonizimi i rrugicave të mbetura brenda vendbanimit.

Ramadani gjithashtu paralajmëroi se një prioritet tjetër do të jetë ndërtimi i kanalizimit atmosferik, për të zgjidhur përfundimisht problemet e ujërave të shiut dhe përmbytjeve. Po ashtu, u zotua se do të angazhohet për nisjen e punimeve të sallës së sportit pranë shkollës, e cila tashmë ka të kompletuar dokumentacionin.

“Banorët e Krushopekut dëshmuan edhe njëherë mikpritjen dhe besimin e tyre. U premtoj se këto kërkesa do të kthehen në projekte konkrete që do të ndryshojnë realisht jetën e këtij vendbanimi”, theksoi Ramadani.

Postimi i plotë i Blerant Ramadanit:

“Sot, bashkë me shefin e shtabit komunal, Senehat Murtezani, zhvilluam një takim të frytshëm me banorët e Krushopekut.

Diskutuam për projektet që janë jetike për fshatin: asfaltimin e rrugës nga komuna deri në Krushopek, asfaltimin e rrugës që lidh Krushopekun me Nerezin si dhe bekatonizimin e rrugicave të mbetura brenda fshatit.

Një tjetër prioritet do të jetë ndërtimi i kanalizimit atmosferik, i cili do të zgjidhë përfundimisht problemet e ujërave të shiut dhe përmbytjeve. Po ashtu, do të angazhohemi që salla e sportit pranë shkollës e cila ka të gjithë dokumentacionin e përfunduar të nisë më në fund punimet.

Banorët e Krushopekut dëshmuan edhe njëherë mikpritjen dhe besimin e tyre. U premtoj se këto kërkesa do të kthehen në projekte konkrete që do të ndryshojnë realisht jetën e këtij vendbanimi”, ka përfunduar Ramadani.

Continue Reading

Lajme

Bajram Rexhepi së bashku me rinistët e AKI vizituan Rrugën e Butiqeve në Tetovë

Published

on

By

Kandidati për kryetar komune të Tetovës nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bajram Rexhepi, sot së bashku me rinistët kanë vizituar rrugën e Butiqeve në Tetovën e vjetër. Rexhepi tha se në këtë rrugë të vjetër tetovare, shihen qartë vlerat dhe tradita e bizneseve të Tetovës.

Postimi i plotë i Bajram Rexhepit:

#Bashkë me të rinjtë e Aleancës Kombëtare për Integrim, sot ishim në Rrugën e Butiqeve, zemra e artizanatit dhe e bizneseve të vogla në Tetovën e vjetër. Vizituam dyqane, punëtori dhe u takuam me qytetarë që na pritën me ngrohtësi dhe me shumë interes për të dëgjuar ofertën tonë për Tetovën, por edhe për të ndarë idetë dhe sugjerimet e tyre që të bëhen pjesë e programit tonë zhvillimor.

Në këtë lagje tipike të qytetit shihen qartë vlerat dhe tradita e Tetovës, por njëkohësisht edhe sfidat e përditshme të bizneseve. Do t’i japim fokus të veçanrë stimulimit të këtyre veprimtarive, që mbajnë gjallë ekonominë lokale dhe ruajnë traditën në qytetit tonë.

#BashkëPërTetovën
#RiniaAKI ✅

Continue Reading

TOP Lajme