Connect with us

Lajme

Shfuqizimi i metodologjisë (nuk) lë vend për regjistrim të ri, edhe një tension i ri politik në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe një herë u paraqit si burim i debateve politike në vend. Kësaj radhe pasi shfuqizoi disa dispozita të Metodologjisë së zbatuar për Regjistrimin e vitit 2021 që ndau qytetarët në rezidentë dhe jorezidentë. Këtë vendim gjykata e mori pas iniciativës së ngritur nga deputeti Skender Rexhepi Zejd. Ky vendim, ka hapur debatin rreth nevojës për një regjistrim të ri në vend. Pozita mendon për regjistrim elektronik, derisa opozita e sheh të panevojshëm, shkruan Portalb.mk.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se pjesët e shënuara të Metodologjisë nuk janë në përputhje me vlerën themelore të rendit kushtetues – sundimin e ligjit. Nga aty kanë vlerësuar se drejtori i atëhershëm i Entit Shtetëror të Statistikave i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe, me një akt nënligjor (Metodologji), ka kryer kategorizimin e popullsisë rezidente dhe jorezidente, për të cilin nuk ka autorizim ligjor, sepse Ligji për Regjistrimin e Popullsisë, Familjeve dhe Banesave në Republikën e Maqedonisë 2021 nuk parashikon që kategorizimi i popullsisë të zhvillohet me akt nënligjor.

Për shkak të faktit se ky është një vendim shfuqizues, jo anulues, gjykata vëren se Vendimi do të zbatohet që nga momenti i publikimit të tij në Gazetën Zyrtare (për aktet nënligjore që do të miratohen në të ardhmen), por nuk do të zbatohet në mënyrë prapavepruese – për regjistrimin e vitit 2021 që është kryer tashmë.

Portalb ka kontaktuar ish-drejtorin e Entit Shtetëror për Statistike, Apostoll Simovski, por i njëjti na njoftoi se me deklaratë për situatën e krijuar nga vendimi i gjykatës do të deklarohet javën që vjen.

Ndërkohë, deputeti Rexhepi e ka përshëndetur triumfalisht vendimin e gjykatës. Ai theksoi se gjykata e rrëzoi ndarjen absurde e diskriminuese të qytetarëve në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, sipas tij, të bërë në mënyrë joligjore përmes metodologjisë së regjistrimit të vitit 2021.

“Ky vendim historik erdhi si rezultat i një iniciative që ne e dërguam në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar ndarjen e padrejtë që e fshinte diasporën nga trupi i kombit! Vendimi është i qartë: Këto ndarje nuk do të lejohen më në të ardhmen! KJO ËSHTË FITORE E DIASPORËS! Ju që jetoni në mërgim, që mbani familjet, që kontribuoni ekonomikisht dhe që e doni këtë tokë më shumë se shumë nga ata që marrin vendime për ne, sot keni fituar një betejë të rëndësishme për dinjitetin tuaj! Askush më nuk ka të drejtë të ju cilësojë si qytetarë “të dorës së dytë”. Askush nuk mund të ju përjashtojë më me metoda teknike e mashtrime statistike! Një komb – një popull – pa ndarje, pa kategorizime! Të bashkuar në të drejtat tona, qofshim brenda apo jashtë kufirit administrativ. E drejta e fituar sot, është një precedent për çdo betejë që na pret nesër”, shkruan deputeti Rexhepi.

Regjistrim apo marrëveshje?

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në pyetjen gazetareske se pse i ndanë shqiptarët në rezidentë dhe jo-rezidentë, tha se ka qenë marrëveshje, duke mos konkretizuar çfarë marrëveshje ka qenë?

“Shqiptarët as kanë qenë të ndarë dhe as do të ndahen ndonjëherë. Regjistrimi ka qenë në kuadër të gjithë marrëveshjeve dhe standardeve”, tha Ahmeti.

VLEN nga ana tjetër ka dorëzuar kallëzim penal për manipulim të mundshëm me regjistrimin e vitit 2021. Në një deklaratë për mediat, Fatmir Sabriu nga VLEN njoftoi se kallëzimi do të dorëzohet kundër ish-udhëheqësisë së Entit për Statistikë, zyrtarëve të ish-Qeverisë BDI-LSDM dhe personave të tjerë të përfshirë në një marrëveshje të dyshuar politike. VLEN pretendon se rezultatet e regjistrimit janë falsifikuar në mënyrë të qëllimshme, duke ulur numrin e shqiptarëve dhe duke dëmtuar të drejtat e tyre kushtetuese.

Pasojat e këtij akti janë të thella shton ai, si “numri i shqiptarëve të paraqitur në shumë fshatra, vendbanime dhe qytete është ulur në mënyrë drastike dhe të vetëdijshme. Me këtë, shqiptarët humbasin shumë të drejta personale dhe individuale (të garantuara me Kushtetutë), siç janë: punësimi, përfaqësimi politik dhe barazia gjuhësore. Po ashtu, edhe institucionet janë vënë në pozitë të marrin vendime për ndarjen e mjeteve dhe fondeve bazuar në të dhëna të gabuara dhe të zvogëluara, me ç’rast qytetarët në shumë komuna janë dëmtuar.” Ata kërkojnë nga Prokuroria Publike të hetojë këto dyshime.

Regjistrim i ri i popullsisë?

Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, vendi duhet të bëjë regjistrim sepse sipas tij, duhet të dimë se çka posedojmë, në kriteret e definuara nga Eurostat.

“Unë nuk thash se (regjistrimin elektronik) do ta bëjmë, ndoshta sërish do të jetë në terren. Ndoshta ne do të jemi shumë të pasur dhe do të kemi para që të harxhojmë për regjistrim në terren, etj. Por do ta ritheksoj, regjistrimi nuk duhet të jetë temë politike. Kanë mbaruar temat politike në lidhje me përqindje, me numra, të drejta, etj. Kjo ka mbaruar dhe nuk duhet askush ta përmend apo ta debatojë. Është e drejtë e arritur dhe e përfunduar. Neve na duhet numër i vërtet që ta dimë sesi zhvillohemi si shtet, kjo është esenca. Ta dimë se me çka posedojmë si shtet, dhe kur ta dimë, atëherë mund të marrim drejtim. Unë kur e përmenda regjistrimin elektronik, e përmenda në bazë të pyetjes nga ana e deputetit në Parlamentin e Maqedonisë, që erdhi si rezultat i Gjykatës Kushtetuese, për ta shfuqizuar metodologjinë e regjistrimit të kaluar. Dhe tani, nëse ajo metodologji nuk bën, ne faktikisht punojmë me të dhëna nga viti 2002, realisht, sepse nëse Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi atë metodologji. Ne për momentin punojmë me të dhëna 23 vjet të vjetra”, tha Mickoski.

Pas kësaj deklarate të Mickoskit i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Rexhepit. Deputeti e quajti skandaloze deklaratën e kryeministrit dhe ia bëri me dije se vendimi i Kushtetueses nuk i prek të dhënat e përgjithshme nga procesi statistikor.

“Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të kërkesës sonë, iniciativës sonë si Front Europian, ne kemi kërkuar dhe kemi arritur që të largohet ndarja, kategorizimi në rezidentë dhe jorezidentë, ndërsa të dhënat e përgjithshme fare nuk janë prekur, kanë mbetur ashtu çfarë kanë qenë”, tha mes tjerash deputeti Rexhepi.

Reagimet e partive opozitare shqiptare

“Që në vitin 2022, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, refuzoi publikisht t’i pranojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë, duke aluduar veçanërisht në faktin se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme. Ai atëherë premtoi se, sapo të vinte në pushtet, do të organizonte një “regjistrim elektronik” për të “korrigjuar” rezultatet. Ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sërë premtimesh nacionaliste të përmbledhura nën sloganin “t’iu tregohet vendi shqiptarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Për BDI-në është është tronditëse se koalicioni VLEN brenda kësaj qeverie, si theksohet në kumtesë, përmes avokatisë shokuese, po e legjitimojnë dhe po e verifikojnë këtë politikë të pushtetit.

“Të shantazhuar dhe të kapur, ata krijojnë përshtypjen e rreme se qeveria është multietnike dhe se brenda saj dikush po i mbron interesat e shqiptarëve. Shqiptarët nuk janë naivë dhe nuk do të pranojnë kurrë të bëhen subjekt i një “inxhinieringu digjital” nga ana e pushtetit, pa marrë parasysh që në këtë operacion po marrin pjesë aktive edhe shqiptarët e VLEN-it. Këto përpjekje nuk do të kalojnë. Për këtë i sigurojmë edhe shqiptarët por edhe ata që janë duke i bërë këto përpjekje të rrezikshme për ardhmërinë e shtetit”, mbaron reagimi i BDI-së.

Për ASH-në e Taravarit, ky paralajmërim, në kushtet aktuale politike, nuk është thjesht një veprim teknik, por një hap i rrezikshëm dhe i qëllimshëm, që vjen në funksion të deformimit të përqindjes reale të shqiptarëve dhe në kundërshtim flagrant me standardet ndërkombëtare statistikore dhe udhëzimet e Eurostat-it, të cilat përcaktojnë që regjistrimet e popullsisë duhet të realizohen në dekada të plota – përkatësisht në vitet që përfundojnë me “0” ose “1” (siç është 2030 apo 2031).

“Kjo tentativë, e ndërmarrë nga një qeveri monoetnike pa legjitimitet politik shqiptar, është tendencioze, e papranueshme dhe provokuese, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë ndarjen diskriminuese të popullsisë në “rezidentë” dhe “jorezidentë”, një ndarje që kishte vetëm një qëllim: uljen artificiale të përqindjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përpjekjet për regjistrim të parakohshëm janë sinjal i qartë i një plani të errët të VMRO-DPMNE-së për të riformatuar realitetin demografik dhe për të rrëzuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, mbi të cilën ndërtohet bashkëjetesa dhe balanca ndëretnike në vend”, thuhet në reagimin e ASH.

Nga ASH e paralajmërojnë publikisht VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Mickoski.

“Nuk do të lejojnë zbatimin e një regjistrimi të tillë të manipuluar dhe se do të përballen me shqiptarët – me popullin, me organizatat dhe me forcat e vërteta demokratike, jo me përfaqësuesit e VLEN-it që po e justifikojnë çdo hap të kësaj qeverie antishqiptare me kokën në thes. Shuplaka e parë politike do të vijë në muajin tetor, në zgjedhjet që do të dëshmojnë fundin e mashtrimit dhe rrëzimin e piramidës artificiale të VLEN-it. Atëherë do të nisë beteja e madhe për mbrojtjen e së vërtetës statistikore, të drejtës për përfaqësim dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit. Ne deklarojmë qartë dhe prerë se regjistrimi i popullsisë nuk do të ndodhë sipas vullnetit të Mickoskit, as sipas agjendave të ndikuara nga “Bota Serbe”. Nuk do të lejojmë manipulim me identitetin, me numrat dhe me të ardhmen e shqiptarëve, dhe çdo përpjekje për regjistrim të parakohshëm është sulm ndaj paqes, bashkëjetesës dhe themeleve të shtetit. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të ndalë çdo hap të mëtejshëm drejt këtij projekti të rrezikshëm dhe të tërhiqet nga planet destabilizuese, që rrezikojnë kohezionin social dhe orientimin strategjik të vendit”, thonë tutje nga ASH.

Pozita: Pse hesht BDI dhe për çfarë pazari urdhëruan fshirjen e mërgatës nga regjistrimi?

Nga ana tjetër, nga VLEN pyesin BDI-në, se pse hesht dhe për çfarë pazari urdhëruan fshirjen e mërgatës nga regjistrimi?

“Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetuese ndarjen në rezident dhe jorezident, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk jep asnjë përgjigje dhe nuk tregon se kush e mori vendimin që të fshihet mërgata shqiptare nga regjistrimi i popullsisë së vitit 2021? Për çfarë çmimi u shitën shqiptarët në këtë pazar të pistë politik? Koalicioni VLEN do të kërkojë përgjegjësi penale për të gjithë ata të cilët pa asnjë bazë ligjore, shpikën kategorinë e banorëve “jorezidentë”, duke tejkaluar kompetencat dhe duke përjashtuar me qëllim mërgatën nga të dhënat zyrtare” thonë nga VLEN.

Nga aty sqarojnë se nuk është diskutuar për organizim të një procesi të ri të regjistrimit të popullsisë para afatit të rregullt dhe se nuk do të ketë regjistrim tjetër vitin e ardhshëm.

“Çdo regjistrim i radhës duhet të jetë rezultat i analizave të thelluara dhe me konsensus politik. Regjistrimi i radhës i popullsisë do të korrigjojë mashtrimin e BDI-së dhe LSDM-së dhe të siguroj një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga të gjitha palët. VLEN mbetet fuqishëm në mbrojtje të mërgatës shqiptare, e cila për dekada ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e mbijetesës ekonomike, sociale dhe kombëtare të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ata nuk janë banorë “jorezidentë”, por pjesë e pandashme e këtij kombi dhe kontribuues të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit tonë”, thuhet në kumtesën e koalicionit VLEN.

Kujtojmë se, Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, deklaroi se Maqedonia është teknikisht e gatshme për të kryer regjistrim digjital të popullsisë në vitin 2026. Në një intervistë me Sitel, ai theksoi se ky proces është përfshirë tashmë në programin e qeverisë dhe se aktivitetet përgatitore janë duke u zhvilluar tashmë.

Sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 2021 i publikuar nga Enti Shtetërore e Statistikave, Popullsia e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut sipas përkatësisë etnike është si vijon:

54.21% – Maqedonase
29.52% – Shqiptarë
3.98% – Turq
2.34% – Rom
0.44% – Vlleh
1.18% – Serb dhe të tjerë

Continue Reading

Lajme

Maqedonia e Veriut ka çmimin më të lartë të kartonit të gjelbër në rajon

Published

on

By

Qytetarët e Maqedonisë paguajnë çmimin më të lartë për karton të gjelbër krahasuar me vendet fqinje. Në shumë vende të rajonit si Serbia, Bullgaria dhe Greqia, ky karton përfshihet në polisën bazë të sigurimit të automjeteve dhe merret automatikisht me regjistrimin e automjetit. Shoferët thonë se çmimi është shumë i lartë për standardin tonë dhe kërkojnë ulje të menjëhershme.

“Çmimi është shumë i shtrenjtë, për standardin tonë është shumë i shtrenjtë dhe duke parë vendet e tjera, të gjithë kanë karton të gjelbër bashkë me regjistrimin. Por tani duhet të sillemi siç komandon shteti.”
“Epo, kjo do të ishte mënyra më e mirë, kjo do ta ulte çmimin. Mund të mos u përshtatet atyre që nuk marrin fare karton të gjelbër, por sipas mendimit tim duhet të përfshihet në regjistrim.”

“Mendoj se e kemi çmimin më të lartë të kartonit të gjelbër kurse standardin më të ulët. Diçka duhet të ndryshojë.”
Ministria e Financave thotë se po punon për përgatitjen e një analize të hollësishme lidhur me çështjen e çmimit të kartonit.

“Ministria e Financave po bën analiza. Në rajon, Republikës së Maqedonisë i është dorëzuar një draft-udhërrëfyes, i cili është hartuar në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, i cili synon lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mjeteve motorike brenda shteteve anëtare të CEFTA-s. Lidhur me draft- udhërrëfyesin, po ndërmerren aktivitete për të përcaktuar hapat konkret në përputhje me dinamikën kohore. Më saktë, po punojmë për përcaktimin e propozimeve që do t’i paraqiten Qeverisë për miratim, pas së cilës ato do të ndahen me publikun”, thonë nga Ministria e Financave.

Si partia në pushtet VMRO-DPMNE ashtu edhe partia opozitare LSDM premtuan në fushatat e tyre zgjedhore se do ta ulnin çmimin e kartonit të gjelbër ose do ta bënin atë 1 euro.
Sipas të dhënave zyrtare që ka siguruar Alsat nga Agjencia për Mbikëqyrjen e Kompanive të Sigurimit dëshmohet se për pesë muaj, pra nga janari i këtij viti deri në maj, kompanitë e sigurimeve kanë lëshuar kartonë të gjelbër me vlerë 535.1 milionë denarë për mbi 100,000 kontrata, ndërsa kanë paguar dëmshpërblim prej 56.7 milionë denarë për pothuajse 600 aksidente. Vitin e kaluar, ata kanë lëshuar kartonë të gjelbër me vlerë 1.3 miliardë denarë për 274,268 kontrata kurse kanë paguar dëmshpërblim prej 449.2 milionë denarë për 1,561 kërkesa.

Muaji viti 2025 Fitimi nga pagesat Numri i kontratave Shuma e dëmeve të paguara Dëmet e paguara

Janar 96,5 mil denarë 18.317 23,7 mil denarë 122

Shkurt 94,3 mil denarë 17.699 48,9 mil denarë 118

Mars 98,9 mil denarë 18.641 36,5 mil denarë 108
Prill 114,3 mil denarë 21.930 31,7 mil denarë 141

Maj 131,1 mil denarë 25.267 25 mil denarë 101
Gjithsej 535,1 mil denarë 101.854 56.7 mil denarë 590

I-XII 2024 1,37 miliardë denarë 274.268 449,2 mil.denarë 1.561

Kartoni i gjelbër shërben si mbrojtje sigurimi për shoferët që udhëtojnë jashtë vendit. Qëllimi kryesor është të sigurohet kompensim për dëmet materiale dhe jomateriale të shkaktuara në ndonjë aksident trafiku. Nëse një automjet me targa maqedonase shkakton aksident jashtë vendit, shpenzimet për automjetet e dëmtuara dhe çdo shpenzim mjekësor do të mbulohen nga kompania maqedonase e sigurimeve që e ka lëshuar kartonin e gjelbër./Alsat.mk

Continue Reading

Lajme

Në 7 vitet e fundit 17 mijë nxënës dhe 7 mijë studentë më pak në Maqedoninë e Veriut

Published

on

By

“Në shtatë vitet e fundit, numri i nxënësve është zvogëluar për 17.000 dhe ai i studentëve për 7.000. Klasat dhe amfiteatrot po zbrazen. Nëse kjo nuk ndalet, shteti nuk mund të shpresojë në një të ardhme perspektive, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në konferencën e sotme me titull “Sfida demografike dhe zgjidhjet e mundshme”.

“Arsimi dhe shkenca nuk duhet të jenë faktorë që nxisin emigrimin. Ato duhet të jenë fusha që u ofrojnë të rinjve një proces cilësor të edukimit personal, por edhe mundësi për angazhim profesional, si në institucionet arsimore ashtu edhe në ato shkencore,” tha Janevska, duke shtuar se këtë vit buxheti i ministrisë është më i madhi deri tani për më shumë mundësi arsimore dhe shkencore.

“Po e forcojmë standardin e nxënësve dhe studentëve. Kemi futur masa dhe mbështetje financiare që më parë nuk ekzistonin, veçanërisht për fëmijët e talentuar që të marrin pjesë në gara të mëdha. E kemi rritur vëllimin e bursave dhe kemi zgjeruar të drejtat për më shumë nxënës dhe studentë. Po e harmonizojmë arsimin me nevojat e tregut të punës, në mënyrë që të rinjtë të mund të punësohen shpejt dhe të bëhen ekonomikisht të pavarur,” theksoi ministrja.

Ajo informoi gjithashtu se është në fazë përgatitjeje një ligj i ri për arsimin e lartë, i cili do të parashohë punësimin e studentëve më të mirë nga çdo gjeneratë në universitetet shtetërore.(INA)

Continue Reading

Lajme

Mesazh nga terreni: A po përgatitet Blerant Ramadani për Sarajin?

Published

on

By

Blerant Ramadani, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët dhe njëri nga emrat e përfolur si kandidat i mundshëm për Komunën e Sarajit me përkrahje edhe nga Fronti Evropian, ka lëshuar një sinjal të qartë nga terreni, shkruan Flaka

“Në parkun e bukur të Sarajit! Edhe më të bukur për Gjeneratat e Reja!”, ka shkruar Ramadani në një postim publik, duke shoqëruar mesazhin me fotografi bashkë me fëmijët e tij, në një nga hapësirat publike të kësaj komune.

Mesazhi është parë si një paralajmërim për projekte të mundshme zhvillimore në këtë komunë, me fokus tek gjeneratat e reja dhe investimet në infrastrukturën publike. Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar për kandidaturën, lëvizjet e fundit të Ramadanit në terren dhe retorika e përdorur e forcojnë profilin e tij si pretendent serioz për garën lokale.

Nëse kandidon me përkrahje nga Fronti Evropian, gara në Saraj mund të jetë një nga më të ndjekurat në zgjedhjet e ardhshme lokale. Flaka

Continue Reading

TOP Lajme