Pentagoni refuzoi të komentojë lidhur me procedurën e ndërmarrë nga autoritetet amerikane.
Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane (USACE) ka shpallur kohët e fundit një kontratë të re për mbështetje të forcave amerikane në Evropën Juglindore, që përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe Bullgarinë, në interes të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në platformën federale SAM.gov, USACE-ja planifikon një marrëveshje kuadër pesëvjeçare, e cila përfshin projekte ndërtimi dhe mirëmbajtjeje në bazat ku operojnë trupat amerikane.
Punimet do të shtrihen nga ndërtimi i objekteve të reja dhe rinovimi i ndërtesave ekzistuese, deri tek rikonstruksioni i rrugëve, instalime elektrike, punime mekanike dhe ndërhyrje mjedisore për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.
Synimi, sipas dokumentacionit zyrtar, është mbështetja e pranisë së forcave amerikane dhe aktiviteteve të tjera të agjencive të SHBA-ve në rajon.
Procesi i përzgjedhjes së kompanive do të zhvillohet në dy faza, ndërsa faza e parë e tenderimit u shpall më 1 gusht.
Të pyetur nga Albanian Post lidhur me këtë procedurë, Pentagoni dha një përgjigje të shkurtër: “Ekipi ynë i politikave nuk ka asgjë për të shtuar në këtë moment lidhur me pyetjet tuaja dhe ka vendosur të mos komentojë”.
Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes përshëndeti më parë për herë të parë nismën e bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv për sigurinë rajonale.
Përmes një deklarate ekskluzive për Albanian Post, ai konfirmoi mbështetjen e SHBA-ve për ‘të gjitha format e koordinimit mbrojtës’ mes vendeve partnere në Ballkan.
“Mbështesim bashkëpunimin mbrojtës mes të gjithë partnerëve tanë ballkanikë”, theksoi zyrtari i Pentagon-it në një përgjigje zyrtare për AP-në.
Kjo deklaratë vjen në një moment kyç për arkitekturën e sigurisë në rajon, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar nismës shqiptaro-kroate për Mbrojtjen.
Pesë muaj pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova kanë kaluar në fazën e zbatimit praktik të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Sipas një raportimi të mëparshëm nga Radio Evropa e Lirë, janë hartuar plane të strukturuara për koordinimin ‘e thelluar’ ushtarak dhe blerje të përbashkëta armatimi, përfshirë edhe nga SHBA-të.
Më 18 korrik në Tiranë u mbajt takimi i parë operacional, ndërsa në shtator pritet të miratohet udhëzuesi zbatues nga të tre ministritë.