Smart News

Zëvendës Ministri Bexheti, Ministria e Bujqësisë ndau 12 milionë denarë për projektin laboratorik të Universitetit të Tetovës

Sot, në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, u nënshkrua një marrëveshje e rëndësishme në prani të rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dekanit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, dhe shefit të laboratorit e koordinator i projektit, Prof. Dr. Ismail Ferati. Këtë nismë e njoftoi zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për zhvillimin e kapaciteteve shkencore dhe laboratorike në sektorin e bujqësisë.

Kjo marrëveshje përfshin financimin e një projekti laboratorik për krijimin e shembujve demonstrativë shkencorë, përmes blerjes së pajisjeve moderne laboratorike për analizën e cilësisë dhe sigurisë së ushqimit. Ky projekt, me vlerë prej 12 milionë denarë, është financuar përmes Programit për Mbështetje Financiare për Zhvillimin Rural për vitin 2024, pjesa II, masa 1: “Mbështetje teknike në bujqësi dhe zhvillimin rural,” nënmasa 1.6 – Investime për krijimin e shembujve demonstrativë shkencorë.

Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit do të pajiset me aparaturë moderne për analizën e metaleve të rënda dhe përbërësve të tjerë inorganikë në produktet bujqësore, duke kontribuar ndjeshëm në arritjen e objektivave të Ministrisë së Bujqësisë për cilësi dhe siguri ushqimore.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, theksoi se ky hap përfaqëson përkushtimin e qeverisë së re për rritjen e kapaciteteve shkencore të institucioneve arsimore dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve ushqimore.

Exit mobile version