Connect with us

Lajme

VLEN shpall “ofensivë kundër bixhozit”, ASH: Një mashtrim që garanton monopolin e bixhozit nën dirigjimin e Mexhitit

Published

on

Në një zhvillim të bujshëm politik dhe ligjor, koalicioni VLEN ka dalë me një komunikatë të ashpër duke e cilësuar miratimin e Projektligjit për Lojërat e Fatit si “hapin më vendimtar kundër karteleve të bixhozit” në vend. Por, vetëm pak orë më pas, Aleanca për Shqiptarët ka reaguar fuqishëm, duke e cilësuar ligjin si një mbulesë për krijimin e një monopoli shtetëror të bixhozit, të kontrolluar nga strukturat politike dhe klienteliste të qeverisë, siç e quan ASH, FLEN, transmeton Flaka.

VLEN: Po e thyejmë rrethin vicioz që shndërroi varfërinë në valutë për kartelet e bixhozit

Sipas VLEN-it, miratimi i projektligjit është hapi i parë drejt çmontimit të perandorisë së bixhozit, për të cilën ata fajësojnë BDI-në dhe qeveritë e kaluara. “Trashëguam një shoqëri të pushtuar nga kazinot dhe bastoret, me mbi 7,000 aparate VLT që zbraznin pa mëshirë xhepat e qytetarëve,” thekson deklarata.

VLEN njofton se me këtë ligj:

Do të hiqen 4,000 aparate, duke reduktuar infrastrukturën e bixhozit me 70%;
Ndalohet çdo formë reklame për lojërat e fatit;
Krijohet një zonë mbrojtëse prej 500 metrash rreth shkollave;
Nuk do të ketë më licenca për degë të pafundme të bastoreve;
Rriten tarifat dhe detyrimet tatimore, ndërsa parashikohen masa penale dhe konfiskim për shkelësit;
Janë bllokuar mbi 200 faqe ilegale online, që shndërronin shtëpitë e qytetarëve në kazino virtuale.
“Po e zhvillojmë këtë luftë për familjet dhe të ardhmen që ua kemi borxh brezave tanë. Ky është fillimi i një epoke të re, ku kazinot nuk do të kenë më vend mes nesh,” përfundon VLEN.

ASH: Mexhiti, garantues i industrisë së bixhozit – jo luftëtar kundër saj

Por Aleanca për Shqiptarët nuk e pranon këtë narrativë. Në një kundërpërgjigje të fortë publike, ASH e quan këtë projektligj një iluzion të rrezikshëm, që në realitet forcon industrinë e bixhozit në emër të “rregullimit”.

“Izet Mexhiti nuk është armiku, por garantuesi më besnik i industrisë së bixhozit në vend. Në vend të reformës kemi riciklim të figurave që prej vitesh shërbejnë oligarkëve,” akuzon ASH, duke shtuar:

“Në çdo hallkë të kësaj skeme – nga Lotaria Shtetërore te koncesionet në Çair e deri te bastoret nëpër qytete – del emri i Mexhitit.”

Emërime të dyshimta dhe kapje të institucioneve publike

ASH hedh dritë mbi emërimin e Ahmet Miftarit si zëvendësdrejtor i Lotarisë Shtetërore, të cilin Mexhiti e prezantoi si kuadër të VMRO-së, por që sipas ASH-së është “bashkëpunëtor i ngushtë i Mexhitit dhe kuadër i Lëvizjes Demokratike.”

“Përfshirja e familjarëve të tij në Bordin Drejtues të Lotarisë dëshmon për një kapje të plotë të këtij institucioni, tashmë të shndërruar në vegël klienteliste.”

Rasti në malin Kozhuf: Bastoret përballë ekologjisë

ASH denoncon edhe heshtjen e Mexhitit përballë shkatërrimit të pyjeve në malin Kozhuf nga kompania e Gjoko Sterjoskit, pronar i rrjetit të njohur të bastoreve “Sportlife”.

“Kjo heshtje nuk është pasivitet – është kompromis,” thekson ASH, duke akuzuar se ekologjia po sakrifikohet në emër të interesave të bixhozit.

Kujtesë për të kaluarën: Çairi dhe Muminoviç

ASH përmend edhe lidhjet e mëhershme të Mexhitit me Rafet Muminoviç, një figurë kontraverse në industrinë e bixhozit. Sipas Aleancës, gjatë mandatit të tij në Çair, Mexhiti i dha Muminoviçit koncesione për pika bastesh dhe kazino në hapësira publike, përfshirë edhe stadiumin e Çairit.

Neni 24 – “hajmali” për bastoret pranë shkollave

ASH veçon si më problematik nenin 24 të projektligjit, i cili sipas tyre “dëshmon mungesë të plotë vullneti për mbylljen e bastoreve pranë shkollave.” Ky nen:

Parashikon distancë 500m vetëm për kazinot, jo për bastoret;
Ndalon vetëm pajisjet elektronike në bastore pranë shkollave, jo vetë aktivitetin e basteve;
Ia lë matjen e distancës kompanive private, duke hapur mundësi për manipulim;
Vendimmarrja për distancën i lihet Agjencisë së Kadastrës, jo institucioneve arsimore apo komunave.
ASH: Lufta e vërtetë bëhet me ligje të qarta dhe vullnet politik, jo me paravanë të industrisë

Në përmbyllje, Aleanca për Shqiptarët thekson:

“Lufta kundër bixhozit nuk bëhet me statuse në Facebook. Bëhet me ligje të qarta, kontrolle të rrepta dhe vullnet të sinqertë politik.”

Ata kërkojnë mbyllje të plotë, të pakushtëzuar dhe pa asnjë përjashtim të të gjitha formave të lojërave të fatit në afërsi të shkollave dhe lagjeve të banuara, si dhe transparencë të plotë për çdo licencë dhe vendimmarrje.

Artikulli thellon debatin mes dy kampeve shqiptare në pushtet dhe opozitë, ku ndërsa VLEN kërkon të mbajë flamurin e reformës, ASH kërkon të ekspozojë fasadën dhe lidhjet e fshehta që, sipas saj, e ushqejnë industrinë e bixhozit në Maqedoninë e Veriut. Flaka

Continue Reading

Lajme

ASH: 2.500 punësime në letër, poste reale vetëm për të afërmit e qeveritarëve të FLEN

Published

on

By

Aleanca për Shqiptarët denoncon ashpër hipokrizinë e përfaqësuesve të koalicionit, siç e quajn ata, FLEN, VLEN të cilët çdo ditë e më shumë tregojnë tendencë për të mashtruar opinionin publik, duke justifikuar dështimet e njëpasnjëshme dhe duke mbrojtur interesat personale dhe familjare në kurriz të shqiptarëve.

“Pak javë para zgjedhjeve lokale – datë kjo që për ironi të fatit u shpall nga kryetari i Kuvendit Afrim Gashi – Zeqirja Ibrahimi, një nga zërat më të zhurmshëm të FLEN-it në rrjetet sociale, vazhdon të premtojë punësimin e mbi 2.500 shqiptarëve në institucionet shtetërore. Ky është një premtim jo vetëm i pabazë, por edhe juridikisht i pamundur, pasi Ligji për Zgjedhje ndalon qartë punësimet gjatë periudhave parazgjedhore,” thekson Aleanca për Shqiptarët.

Sipas Aleancës, ndërkohë që FLEN shpalos iluzione në publik, në terren po ndodhin punësime të përzgjedhura për familjarët e ministrave dhe zëvendësministrave, si:

Kushëri i zëvendëskryeministrit Arben Fetai
Vëllai i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni
Bashkëshorti i zëvendësministres së Sportit, Safije Sadiku Shaini
Vëllai i ministrit Orhan Ibrahimi
Vajza e Latif Arifit
Dhëndri i ministrit Azir Aliu
“Ky është realiteti i FLEN: për militantin e ndershëm nuk ka as kontratë, e jo më vend të përhershëm, ndërsa për familjarët e funksionarëve, shpërblimi është me rroga të majme dhe pozita kyçe,” thekson Aleanca për Shqiptarët.

Aleanca i cilëson këto veprime si nepotizëm të pastër, i cili është shpërblim për besnikërinë politike ndaj VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se FLEN nuk përfaqëson shqiptarët, por është vetëm instrument i partisë që historikisht ka luftuar të drejtat dhe barazinë e tyre.

“Në vend të transparencës, FLEN ofron kamuflime. Në vend të llogaridhënies, mashtrime. Në vend të përfaqësimit të denjë, puthadorë të VMRO-së,” thekson Aleanca për Shqiptarët.

Sipas tyre, sondazhet e fundit e kanë bërë të qartë vendin e FLEN-it, ndërsa tetori do të jetë jo vetëm dita e ndëshkimit, por edhe demaskimi i kësaj garniture të paaftë dhe të korruptuar.

“Aleanca për Shqiptarët është dhe do të mbetet në krah të qytetarëve, jo të interesave familjare dhe politike të individëve të zhytur në pazare,” përfundon Aleanca. Flaka

Continue Reading

Lajme

Arben Fetai, zëvendëskryeministër për “Qeverisje të Mirë”, në qendër të akuzave për “Qeverisje të keqe”

Published

on

By

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, po përballet me një valë kritikash të ashpra publike dhe mediatike për një sërë shkeljesh ligjore dhe etike, të cilat hedhin dyshime serioze mbi integritetin dhe përkushtimin e tij ndaj funksionit që mban, shkruan Flaka

Së pari, Fetai është akuzuar për keqpërdorim të emailit zyrtar qeveritar, duke e përdorur atë për shpërndarjen e kumtesave partiake, në lidhje me subjektin politik që ai përfaqëson. Ky veprim përbën shkelje të qartë të ndarjes ndërmjet funksionit publik dhe angazhimit partiak, duke e vënë në konflikt interesi dhe duke dëmtuar kredibilitetin institucional të zyrës së tij.

Për më tepër, vetë Fetai ka postuar një fotografi në rrjetin social Facebook ku shihet duke konsumuar cigare brenda zyrës së tij, një veprim në kundërshtim flagrant me Ligjin për Mbrojtje nga Duhani, i cili ndalon pirjen e duhanit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura, përfshirë institucionet shtetërore.

Sot, portali “360 shkallë” publikoi një material investigativ, ku dy automjete zyrtare, që përdoren nga zëvendëskryeministrat Izeti Mexhiti dhe Arben Fetai, janë fotografuar të parkuara në mënyrë të paligjshme rreth orës 23:00 pranë qendrës tregtare “Mavrovka”, në afërsi të selisë së koalicionit VLEN. Pavarësisht se gazetarët kanë kërkuar përgjigje nga institucionet shtetërore mbi përdorimin e automjeteve jashtë orarit dhe për qëllime të mundshme politike, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e Qeverisë, Ministrisë së Ekologjisë apo nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë.

Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me ligjet në fuqi, por edhe kompromentojnë rëndë parimet e qeverisjes së mirë, për të cilat z. Fetai është mandatuar të kujdeset. Në këtë kontekst, heshtja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe e institucioneve të tjera të kontrollit dhe transparencës, ngre pikëpyetje serioze për funksionimin e sistemit të llogaridhënies në vend.

Në një kohë kur qytetarët presin standarde të reja të integritetit dhe profesionalizmit në qeverisje, rasti i Arben Fetait rrezikon të kthehet në një simbol të keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe dështimit për të ndarë politikën nga institucioni.

A duhet të jetë Fetai shembull i qeverisjes së mirë, apo ilustrim i keqqeverisjes moderne?
Pse hesht Komisioni për Parandalim të Korrupsionit?
A do të kërkohet përgjegjësi për shkeljet e konstatuara?

Këto janë pyetje që presin përgjigje, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe ndëshkim për ata që e keqpërdorin pushtetin në emër të interesit publik. Flaka

Continue Reading

Lajme

Konkurset publike para zgjedhjeve, BDI: Tentativë e pushtetit për të mashtruar opinionin

Published

on

By

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj hapjes së mbi 730 konkurseve publike në administratë, të cilat janë shpallur në prag të zgjedhjeve të tetorit. Sipas BDI-së, ky veprim nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për manipulim politik dhe blerje të përkrahjes elektorale.

“BDI e konsideron hapjen e mbi 730 konkurseve publike në prag të zgjedhjeve si një përpjekje të hapur dhe të dëshpëruar të Qeverisë për të manipuluar qytetarët dhe për të blerë përkrahje politike përballë humbjes së pashmangshme që e pret në tetor,” thuhet në deklaratën e lëshuar për mediat.

Sipas partisë, Qeveria aktuale po përpiqet të mbulojë një vit të plotë dështimesh, përfshirë mungesën e reformave, ngecjen në integrimet evropiane, dështimet në politikën e jashtme dhe mungesën e përparimit ekonomik.

“Pas një viti të dështuar në çdo drejtim, pa reforma reale, pa progres në integrimin evropian, pa zhvillim ekonomik, pa përmirësim të standardit jetësor dhe me dështime spektakolare në politikën e jashtme, kjo Qeveri po përpiqet të mbulojë dështimin me mjete të vjetra: punësime parazgjedhore në administratë,” thekson BDI.

Sipas tyre, konkurset që do të duhej të ishin instrument për ndërtimin e institucioneve funksionale, janë shndërruar në vegla elektorale, që synojnë të krijojnë iluzionin e një Qeverie aktive.

“Konkurset e shpallura janë të dizajnuara për të krijuar iluzionin e një Qeverie që ‘po punon’, kur në të vërtetë po dështon në çdo plan,” shton më tej partia.

BDI akuzon Qeverinë për mashtrim të drejtpërdrejtë të qytetarëve, duke i trajtuar ata si numra në fushatë, në vend që të ofrojë zgjidhje për problemet reale të shoqërisë.

“Kjo është një tentativë tjetër e radhës për të mashtruar qytetarët, për t’i trajtuar ata si numra në fushatë dhe për të siguruar mbështetje politike përmes interesit të ngushtë klientelist,” vijon deklarata.

Megjithatë, BDI shprehet e bindur se qytetarët nuk do të bien pre e këtij manipulimi dhe se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një referendum popullor kundër Qeverisë aktuale.

“Zgjedhjet e ardhshme do të jenë një referendum i qytetarëve kundër kësaj politike manipuluese dhe të paaftë, një mundësi për të ndëshkuar keqqeverisjen, paaftësinë dhe arrogancën që po i kushton vendit vite të tëra stagnimi.”

BDI përfundon me një mesazh të qartë për pushtetin aktual:

“Asnjë konkurs i lënë i papërfunduar deri në zgjedhje nuk do të mund të rikthejë besimin e qytetarëve ndaj një pushteti që i ka tradhtuar pritjet dhe ka dështuar në çdo angazhim publik.”

“Qytetarët nuk manipulohen. Qytetarët gjykojnë. Dhe gjykimi do të jetë i qartë në tetor.” Flaka

Continue Reading

TOP Lajme