Connect with us

Lajme

Visar Ademi – kandidatura e një sateliti të shkëputur nga realiteti i Gostivarit, e shpalli më 9 Korrik – Ditë Zie për qytetin

Published

on

Me një fjalim të lexuar, të ngjitur dhe të montuar me stil të vjetruar, Visar Ademi u shfaq sot si “kandidat i pavarur” për Gostivarin – një qytet në të cilin, me sa duket, nuk ka jetuar prej shumë vitesh. Fjalimi i tij, ndonëse i shkurtër, dërgoi sinjale shqetësuese për mungesën e lidhjes emocionale dhe seriozitetit të vërtetë që kërkon një kandidaturë për një komunë kaq të rëndësishme.

Ademi, në një ripërsëritje të narrativës së konsumuar nga Nevzat Bejta, deklaroi se “kandidatura e tij është kërkuar nga qytetarët” – një klishe tashmë e tejkaluar nga politikanë që përpiqen të justifikojnë zbritjen në skenë pa legjitimitet real. Mirëpo, e vërteta është se shumica e qytetarëve të Gostivarit nuk e njohin fare. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, ai vendosi të fillojë fjalimin duke listuar titujt akademikë dhe biografinë, si për të ndërtuar nga e para një figurë që mungon në kujtesën kolektive të qytetit.

Prezantimi i tij ishte statik, i vetmuar dhe emocionalisht i ftohtë. Pa qytetarë përreth, pa mbështetje, dhe mbi të gjitha – pa asnjë ide konkrete për të ardhmen e Gostivarit. Nuk përmendi projekte, vizion për arsimin, zhvillimin urban, ekonominë lokale apo jetën publike. Në vend të kësaj, foli për veten, për shkollimin dhe përvojat e tij në Afrikë – sikur të ishte në një intervistë për poste ndërkombëtare, jo për kryetar të një qyteti që përballet çdo ditë me papunësi, varfëri dhe ikje masive të të rinjve.

Kandidatura e tij vjen në një atmosferë të ngjashme me atë të Mendi Qyrës në Strugë, i cili u paraqit fillimisht si i pavarur, por më pas mori përkrahjen e koalicionit VLEN. Ky zhvillim ngjalli reagime dhe dyshime të forta nga opozita shqiptare, e cila e akuzoi Qyrën si kandidat të afërt me VMRO-DPMNE, duke pretenduar se kandidatura e tij është koordinuar përmes zyrës së liderit të kësaj partie, Hristijan Mickoski.

Një fakt që nuk mund të anashkalohet është tajmingu i shpalljes së kandidaturës: 9 Korriku – një datë e ndjeshme dhe e dhimbshme për qytetin e Gostivarit. Pikërisht në këtë ditë, në vitin 1997, qytetarët shqiptarë përjetuan dhunë shtetërore, represion dhe sakrifica që janë ende të gjalla në kujtesën kolektive. Të shpallësh kandidaturën në këtë datë, pa asnjë reflektim apo ndjeshmëri për historinë e qytetit, tregon një shkëputje të thellë emocionale dhe politike nga realiteti i këtij komuniteti.

Video-mesazhi i Ademit përfundoi me një fjali befasuese: “Shihemi në Gostivar” – një deklaratë që vetëm sa konfirmoi atë që të gjithë e dinë: ai nuk është pjesë e jetës së përditshme të qytetit. Jeton në Shkup dhe po rikthehet vetëm për të kandiduar. Kjo distancë – fizike dhe shpirtërore – nuk mund të prodhojë besim, e aq më pak një qeverisje të suksesshme dhe të ndershme.

Kandidatura e Ademit nuk sjell shpresë, por rikthen një model të vjetruar, të komanduar nga lart, pa rrënjë në realitetin lokal. Ajo i ngjan më shumë një zbritjeje me “parashutë politike” sesa një lëvizjeje të natyrshme qytetare. Për më tepër, përforcon dyshimet për strategji të planifikuara nga struktura të mëdha politike që kërkojnë të kontrollojnë pushtetin vendor përmes figurave “të pavarura” vetëm në letër.

Qytetarët e Gostivarit meritojnë më shumë. Më shumë se një fjalim të lexuar dhe një figurë që rikthehet vetëm për zgjedhje. Ata meritojnë një vizion real, një plan të qartë, dhe mbi të gjitha – një përfaqësues që jeton me ta, i kupton sfidat e tyre dhe është i pranishëm jo vetëm për vota, por për të ndërtuar së bashku të ardhmen.

Continue Reading

Lajme

Blerant Ramadani: “Rinia e Sarajit është energjia që ndërton të ardhmen”

Published

on

By

Sot, Saraji u pa ndryshe – me më shumë energji, ide dhe jetë. Bashkë me kryetarin aktual Iljas Veseli, Blerant Ramadani zhvilloi një takim me të rinjtë, të cilët nuk e shohin politikën si fjalë boshe, por si mjet për të ndryshuar realitetin e përditshëm.

“Çdo propozim, çdo ide dhe çdo ëndërr e të rinjve do të jetë pjesë e plan-programit tonë 2025-2029. E ardhmja ndërtohet vetëm kur politika u jep hapësirë atyre që do ta jetojnë nesër,” theksoi Ramadani.

Takimi në Saraj shënoi edhe njëherë vizionin për ta bërë rininë pjesë të çdo vendimi dhe procesi politik. Mesazhi ishte i qartë: ky është Saraji i së ardhmes, i ndërtuar mbi guximin, mendimin kritik dhe kërkesën e brezit të ri për të qenë pjesë aktive në vendimmarrje.

Continue Reading

Lajme

Blerant Ramadani: Saraji po flet me zë për Aleancën Kombëtare për Integrim

Published

on

By

Kandidati për kryetar komune në Saraj, nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim, Blerant Ramadani sot ka takuar në një kaffe rasti bashkëqytetarët e tij duke marrë mbështetje për Aleancën Kombltare për Integrim si një referendum ndaj kësaj qeverie antishqiptare, shkruan Top24

Saraji po flet me një zë – për Aleancën Kombëtare për Integrim! Një kafe rasti me bashkëqytetarë të vendosur për të vazhduar bashkë, me dinjitet dhe vendosmëri! #AleancaKombëtarepërIntegrim #Saraj #ZgjedhjetLokale #MaqedoniaeVeriut

Continue Reading

Lajme

Kujt i dërgoi mesazh me postimin e tij te fundit ambasadori Meidani?

Published

on

By

Në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendje një postim dje i Ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, i cili në mesin e deklaratave të forta para zgjedhore ka zgjedhur të përcjellë një mesazh përmes fabulës së njohur të Jean de La Fontaine, “Bretkosa që dëshironte të ishte po aq e madhe sa demi.”

Në ilustrimin e shpërndarë shihet bretkosa që fryhet deri në shpërthim, përballë një demi të qetë e të qëndrueshëm. Shënimi shoqërues i fabulistit francez – “Bretkosa, duke dashur të ishte sa demi, u fry derisa plasi” – është interpretuar nga shumë ndjekës si një alegori e drejtuar ndaj situatës politike aktuale në Maqedoninë e Veriut dhe mburrjeve arrogante pa vend e llogjikë.

Mesazhi i nënkuptuar i postimit duket të ironizojë politikanë që, në prag të zgjedhjeve të tetorit, mburren me forcën, premtime e pushtet, por që rrezikojnë të mbeten të zbuluar e të dështojnë përballë realitetit me të cilin dukshëm kanë humbur kontakt.

Ky stil komunikimi, përmes referencave letrare e satirike, ka krijuar diskurs në rrjetet sociale, duke u cilësuar si një mënyrë e zgjuar e diplomatit shqiptar për të dhënë mesazhe pa përdorur gjuhë të drejtpërdrejtë politike.

Continue Reading

TOP Lajme