Deputetët e legjislaturës së nëntë do të përpiqen sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, i cili ka mbetur i bllokuar edhe pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Partia që ka të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit ka paraqitur deri tani tre emra: Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati. Asnjëri prej tyre nuk ka arritur të marrë shumicën e votave, duke mbledhur vetëm 57 vota pro në dy tentativat e fundit.
Edhe pse ende nuk dihet cili emër do të propozohet sot nga Lëvizja Vetëvendosje, është fakt që një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë.
Ndërkaq, AAK-ja në seancën e fundit abstenuan në votimin për Muratin, ndryshe nga dy herët e tjera kur votuan kundër Haxhiut dhe Gërvallës.
Vetëvendosje vazhdimisht ka sulmuar partitë ish-opozitare për bllokimin e Kuvendit.
PDK-ja ka deklaruar se do ta votojë çdo deputet të VV-së që nuk ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar të Albin Kurtit. LDK-ja, ndërkaq, është e vendosur të votojë kundër çdo kandidati të VV-së.
Ngërçi politik vazhdon të jetë shqetësues. Njohësit e politikës kërkojnë konsensus mes partive për të dalë nga kjo situatë, duke theksuar se zgjedhjet e reja nuk do të jenë zgjidhje, pasi rezultatet pritet të jenë përafërsisht të njëjta.
Argumenti i njohësve të politikës është se mungesa e institucioneve ka dëmtuar ndjeshëm qytetarët dhe ekonominë, ndërsa zgjidhja e vetme është dialogu dhe kompromisi politik.
“Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk do të sjellë ndryshime dramatike. Do të kemi përsëri një ngërç tjetër pas tyre,” ka theksuar analisti Argjend Zejnaj, raporton RTKlive.
Nga ana tjetër, politikanë dhe analistë janë optimistë se Kuvendi do të konstituohet së shpejti, megjithëse as Lëvizja Vetëvendosje dhe as ish-opozita nuk kanë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.
“Çdo vonesë dëmton popullin dhe institucionet. Duhet të formohen institucionet sa më parë,” ka thënë Jeton Halimi, politikan dhe analist.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë afat deputetëve që të zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët deri më 18 shtator, duke shtuar presionin mbi partitë për të gjetur një zgjidhje.