Aleanca për Shqiptarët me keqardhje konstaton se Ministri aktual i Shëndetësisë, z. Azir Aliu, vijon të mashtrojë opinionin publik me rikiciklime të projekteve tashmë të përfunduara nga paraardhësit e tij, në vend se të ofrojë ndonjë qasje konkrete, profesionale dhe me impakt në sektorin jetik të shëndetësisë.
Deklarata e fundit e ministrit Aliu për hapjen e 300 vendeve të reja të lira për kuadro nga radhët e specializantëve privatë është vetëm përpjekje për të marrë lavdinë e një pune që tashmë është përgatitur, inicuar dhe proceduar nga ish-ministri i Shëndetësisë dhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari.
Është e pakuptimtë që një ministër të sillet si zëdhënës i projekteve të paraardhësve të tij, duke mohuar kontributin e tyre dhe duke përvetësuar punën e kryer nga të tjerët.
Që nga dita e emërimit, z. Aliu më shumë është marrë me vizita protokollare e fotografo-seanca në spitale, se sa me sfidat reale që përjeton sistemi ynë shëndetësor. Nga gafa me parkingjet në hotele private për stafin mjekësor, deri te deklaratat bombastike për “digjitalizimin e sistemit”, një proces që është përmbyllur vite më parë, z. Aliu po dëshmon se është i shkëputur nga realiteti i profesionistëve të shëndetit.
I vetmi aktivitet konkret që mund t’i faturohet kabinetit të tij është punësimi i familjarëve, miqve, duke kthyer kështu Ministrinë e Shëndetësisë në një degë të nepotizmit politik dhe jo të reformës institucionale.
Aleanca për Shqiptarët thekson se shëndetësia nuk është ekuacion digjital dhe aq më pak një zyrë për marketing personal. Nëse ministri Aliu vazhdon me këtë retorikë dhe qasje deri në fund të mandatit të përkohshëm të kësaj qeverie teknike, historia do ta regjistrojë si një nga ministrat më joprofesionalë dhe më të padukshëm në funksionin që i është besuar ndonjëherë.
Shëndetësia kërkon përkushtim, transparencë dhe profesionalizëm – jo shfaqje për media, përfundojnë nga Aleanca për Shqiptarët.