Lëvizja Demokratike e udhëhequr nga Izet Mexhiti po përballet me një valë të re pakënaqësish dhe largimesh në radhët e saj, vetëm pak ditë pas përvjetorit të dytë të themelimit, shkruan Flaka.
Pas reagimeve të figurave të njohura në parti, një tjetër përplasje ka shpërthyer në Studeniçan, ku një grup aktivistësh të nëndegës së Batincës ka dalë publikisht kundër kandidatit të propozuar për kryetar komune nga koalicioni VLEN, duke e cilësuar atë si “anonim” dhe “të imponuar”.
Emir Ismaili, aktivist i njohur i VLEN-it dhe pjesë e nëndegës së Lëvizjes Demokratike në Batincë, reagoi ashpër:
“Unë, Emir Ismaili, aktivist i flakt i VLEN-it, nuk pajtohem që një person anonim të paraqitet si kandidat për kryetar të komunës së Studeniçanit, kur atë nuk e njeh askush. Si është e mundur që unë, që kam qenë gjithmonë në vijën e kuqe, në kohët kur rrallëkush dilte kundër zullumit, të mos e njoh fare këtë person?”
Ai pyeti se “ku ishte ky kandidat deri dje” dhe nëse ka qenë ndonjëherë pjesë e aktiviteteve të VLEN-it:
“A ka qenë ndonjëherë në radhët e VLEN-it? Sepse unë, me të vërtetë, nuk e njoh! Tetori është afër – populli nuk harron dhe nuk pranon lojëra me kandidatë anonimë!”
Ismaili theksoi se nuk është i vetëm në këtë qëndrim:
“Nëndega Batinc nuk e përkrah një kandidat që nuk ka marrë pjesë asnjëherë në asnjë mbledhje apo tubim të VLEN-it. Bashkë me mua, edhe 33 anëtarë të nëndegës jemi kundër këtij vendimi.”
Ai e krahason vendosjen e kandidatit me praktikat autoritare të së kaluarës:
“Ky është kandidat i imponuar si në kohë të komunizmit – nga një person në kryesi të VLEN-it, jashtë normave të demokracisë, duke nënçmuar aktivistin e VLEN-it dhe kundër dëshirës së popullit të Karshiakës për ndryshime!”
Dorëheqje dhe rikthim në BDI
Në të njëjtën kohë, një nga figurat themeluese të Lëvizjes Demokratike, Naim Salihu – anëtar i Këshillit Themelues dhe i Kryesisë Qendrore – ka njoftuar publikisht dorëheqjen nga partia dhe rikthimin në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).
Në një deklaratë të ashpër, Salihu akuzoi drejtimin aktual se pas hyrjes në qeveri me VMRO-DPMNE, nuk ka sjellë avancim të pozitës së shqiptarëve, por “degradim të plotë” dhe “fshirje të arritjeve të 20 viteve”:
“Unë nuk mund të jem pjesë e kësaj faqeje të errët të historisë. Kthehemi aty ku duhet të jemi, në radhët e BDI-së, për të ndalur përdhosjen e arritjeve tona. Vendimi im është i menduar thellë dhe i ndershëm ndaj vetes dhe kombit.”
Zëra kritikë nga brenda dhe nga rrethi i ngushtë i Mexhitit
Atmosfera e tensionuar brenda LD-së është pasqyruar edhe në deklaratat e figurave të tjera. Bashkim Saiti, anëtar nga Kumanova, kritikoi mungesën e strukturave funksionale, pavarësisht dy viteve nga themelimi:
“Dy vjet nuk janë pak – e hala pa struktura, pa organe që punojnë, pa drejtim të kjartë ku po shkojmë. Rinia ka prit me durim, por pritja e gjatë kthehet në zhgënjim. O veprojmë sot burrnisht, o e mbyllim me faqe të bardhë.”
Në të njëjtën linjë reagoi edhe Muhamet Ameti, një tjetër themelues i Lëvizjes, i cili përvjetorin e dytë e quajti “përvjetorin e fundit pa organe, pa llogaridhënie dhe vetëm me fjalë por pa vepra”. Mesazhin e tij e mbështeti publikisht edhe Fejzulla Kovaçi, kushëri i vetë liderit Mexhiti:
“Shumë e vërtetë, po kur mundin që e dham mos ju qoftë hallall.”
Reagimet, që vijnë si nga baza ashtu edhe nga rrethi i afërt i drejtimit të partisë, po e thellojnë perceptimin e një krize të brendshme serioze në Lëvizjen Demokratike – krizë që mund të ketë pasoja të dukshme në skenën politike shqiptare në vend në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit. /Flaka Media/