Connect with us

Lajme

Sindikata godet problemet në shëndetësi: Parkim i pasigurt, mungesë digjitalizimi dhe urgjenca në kolaps – kërkesa të qarta për ministrin e ri

Published

on

Pas emërimit të ministrit të ri të Shëndetësisë, Azir Aliu – reagimet nuk kanë munguar nga sektori sindikal. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punonjësve Shëndetësorë, Bobi Bojçevski, përmes një deklarate për PressOnline.al ka theksuar nevojën urgjente për një qasje profesionale dhe menaxheriale në udhëheqjen e sektorit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut.

“Ne si lëvizje sindikale gjithmonë kemi kërkuar dhe kemi shpresuar që në krye të Ministrisë së Shëndetësisë të vijë një menaxher i vërtetë, një person që ka vizion dhe aftësi për të zbatuar reforma të domosdoshme në këtë sektor. Kërkojmë një ministër që e njeh sistemin nga brenda dhe që nuk do t’i shërbejë interesave politike, por qytetarëve dhe punonjësve të shëndetësisë”, deklaroi Bojçevski.
Sipas tij, sistemi aktual shëndetësor ka nevojë për transformim rrënjësor, që mund të realizohet vetëm nëse udhëhiqet nga persona të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime të guximshme.

“Ne nuk kemi nevojë për figura dekorative, por për profesionistë që e dinë se çfarë kërkon realisht sektori i shëndetësisë. Të gjitha kërkesat tona janë të drejta, dhe presim që ministri i ri të dëgjojë zërin e punonjësve që janë shtylla e këtij sistemi”, shtoi Bojçevski.
Ai rikujtoi se sindikata është e hapur për bashkëpunim dhe për dialog konstruktiv, por njëkohësisht do të jetë e zëshme dhe e vendosur kur bëhet fjalë për të drejtat dhe dinjitetin e punonjësve shëndetësorë.

Një nga problemet më të mëdha dhe të vazhdueshme me të cilat përballen pacientët dhe stafi mjekësor në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup është mungesa akute e parkimit. Kështu deklaron Sindikata e Pavarur e Punonjësve Shëndetësorë dhe e personelit administrativ-teknik, duke alarmuar për gjendjen e rënduar me automjetet e dëmtuara dhe mungesën totale të sigurisë në hapësirat ekzistuese.

“Sipas statistikave tona, 99% e të punësuarve në Qendrën Klinike kanë pasur probleme me automjetet e tyre – nga dëmtimet dhe gërvishtjet, deri te pamundësia për të gjetur një vend të sigurt parkimi. Shkojnë me veturë të padëmtuar, kthehen me veturë të dëmtuar. Nuk ka kamera, nuk ka përgjegjës, nuk ka askënd për të mbuluar dëmin,” thuhet në reagimin sindikal të siguruar nga PressOnline.al
Sindikata i bën thirrje institucioneve kompetente, përkatësisht Qendrës Klinike, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ndërmarrjes Publike për Parkim, të bashkëfinancojnë ndërtimin e një garazhi me kate, i cili do të ishte zgjidhje ekonomike dhe afatgjatë për këtë problem.

“Ky objekt do të ishte ndër më profitabilët në të gjithë kompleksin e klinikave, sepse përveç stafit do të shërbente edhe për pacientët dhe vizitorët,” thuhet më tej në reagim.
Në të njëjtën kohë, Sindikata ngrit edhe një pyetje serioze: pse ende nuk është ndërtuar Klinika e re, ndonëse për vonesat po paguajnë penalitete vetë qytetarët?

Sindikata liston pesë prioritete që ministri i ri duhet të ketë në fokus:

1. Punësimi urgjent i stafit shëndetësor dhe teknik, për shkak të mungesës në institucionet publike shëndetësore;
2. Zgjidhja përfundimtare e kontratave të përkohshme me “kontratë vepre”;
3. Regionalizimi i sistemit shëndetësor;
4. Përmirësimi i shërbimit të Urgjencës në qytetin e Shkupit;
5. Investimi në pajisje mjekësore dhe mbështetje për shoqatat brenda sektorit shëndetësor.

Sindikalistët nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” në Shkup kanë ngritur një sërë shqetësimesh serioze për kushtet e punës dhe shërbimeve për pacientët, duke i dërguar një listë me kërkesa të qarta ministrit të ri të Shëndetësisë.

Në deklaratën e Sindikatës së Pavarur të Punonjësve Shëndetësorë dhe personelit administrativ-teknik, theksohet si problem madhor mungesa e hapësirave të sigurta për parkim, dëmtimi i përditshëm i automjeteve të stafit, mungesa e kamerave dhe përgjegjësisë për dëmet.

“Shkojnë me veturë të padëmtuar, kthehen me veturë të dëmtuar. 99% e të punësuarve kanë përjetuar ndonjë dëmtim. Nuk ka kamerë, nuk ka as përgjegjës, e as zgjidhje,” thuhet në deklaratë.

Sindikata propozon ndërtimin e një garazhi me kate me bashkëpunim institucional mes Klinikës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ndërmarrjes Publike të Parkimit, me vlerë të lartë ekonomike dhe efekt të menjëhershëm.
Përveç infrastrukturës, një çështje e nënvizuar është digjitalizimi i sistemit shëndetësor, që mbetet prapa standardeve moderne.

“Ende përdorim libreza shëndetësore, receta dhe referime në letër, si dhe vërtetime që lëshohen me dorë. Sistemi ‘Termini im’ duhet të zgjerohet dhe të modernizohet. Duhet të kemi një kartelë digjitale shëndetësore, me të cilën pacienti të paraqitet te mjeku amë apo specialist – si në çdo shtet të BE-së. Mjaft më me letra.”(PressOnline.al)

Continue Reading

Lajme

Nga deponia në park: Rrëfimi frymëzues i Bujar Osmanit për fëmijërinë dhe misionin e tij

Published

on

By

Kandidati i Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, përmes një video pronocimi në faqen e tij në rrjetin social Facebook ka ndarë një rrëfim personal nga fëmijëria e tij në Seravë, i cili sipas tij ka formësuar misionin e tij për t’i shërbyer komunitetit, përcjell PressOnline.al.

Ai kujton se në moshën 17 vjeçare, pranë shtëpisë së tij ndodhej një deponi me mbeturina dhe makina të vjetra të shkatërruara. Në vend që të priste ndihmën e dikujt tjetër, Osmani nisi vetë aksionin: trokiti derë më derë për të mbledhur mbështetje nga fqinjët, dhe së bashku arritën të ndërtonin parkun dhe fushën e parë të lagjes.

“Që si fëmijë e kuptova se ndryshimi fillon nga vetë ne. Kur kujdesesh për lagjen tënde, ajo mbetet për të gjitha brezat që do të vijnë,” u shpreh Osmani, duke theksuar se ky ka qenë parimi i tij gjatë gjithë jetës, qoftë si mjek, shërbyes publik apo funksionar.

Ai shton se tashmë është koha ta vazhdojë atë mision aty ku u rrit – në Çair, me synimin për të lënë pas “vepra e jo fjalë boshe”.

Në vazhdim, fjalimi i tij i plotë në video prononcimin e shpërndarë:

Kur isha fëmijë, këtu kishte një deponi, erë, mbeturina dhe vetura të vjetra, të shkatërruara. Isha vetëm 17 vjet kur vendosa që nga kjo deponi të bënim park dhe një fushë të vogël. Në vend që të prisnim dikë tjetër ta rregullonte, trokita në çdo derë, te çdo fqinj i lagjes për të kërkuar mbështetje. Secili dha aq sa mundi, të gjithë ndihmuan sa patën mundësi. Me atë që mblodhëm dhe me shumë punë të përbashkët, bëmë parkun e parë dhe fushën e parë në lagjen tonë. Që si fëmijë e kuptova se ndryshimi fillon nga vetë ne, kur kujdesesh për lagjen tënde dhe për komunitetin tënd, ajo mbetet për të gjitha brezat që do të vijnë. Unë besoj se nuk ka asgjë më fisnike se sa të shërbesh dhe të ndihmosh, që nga ajo kohë e deri më sot ky ka qenë misioni im, të lë pas vepra e jo fjalë boshe. Gjithë jetën ia kam kushtuar shërbimit ndaj qytetarëve, si mjek, si shërbyes publik dhe si funksionar. Tani ka ardhur koha të ndihmoj aty ku jam rritur, në Çair dhe të vazhdoj atë që e fillova si fëmijë.

Video materiali: https://www.facebook.com/share/v/1GXam5XuK6/

Continue Reading

Lajme

ASH: Aliut i kanë mbaruar gënjeshtrat – mashtrimi më i madh në histori me punësimet në Spitalin e Tetovës doli zbuluar

Published

on

By

Në një konferencë për media, Genc Selmani, nga Departamenti i Shëndetësisë në Aleancën për Shqiptarët, akuzoi ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, për mashtrim publik dhe përdorim politik të stafit shëndetësor.

Selmani tha se edhe pse Fondi i Sigurimit Shëndetësor kishte refuzuar kërkesën për punësime, Aliu vazhdoi të deklaronte se punonjësit do të merrnin vendet e punës, duke përfshirë edhe militantë të VLEN-it. “Ministrit të Shëndetësisë i kanë mbaruar gënjeshtrat. Kjo është një nga manipulimet më të mëdha të bëra ndonjëherë me personelin shëndetësor,” tha ai.

Ai theksoi se procesi i punësimeve është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhje, neni 8A, i cili ndalon çdo punësim të ri pas shpalljes së zgjedhjeve, përveç rasteve urgjente dhe të pashmangshme. “Punësimi i stafit mjekësor nuk përbën urgjencë ligjore, pasi personeli aktual ka kontrata aktive,” deklaroi Selmani.

Selmani gjithashtu akuzoi ministrin për marketing politik: “Ky proces nuk kishte për qëllim përmirësimin e shëndetësisë, por marketingun politik të ministrit. Lista përfshinte edhe militantë të VLEN-it, gjë që e bën të qartë shfrytëzimin elektoral të dinjitetit të mjekëve dhe infermierëve,” tha ai.

Në përmbyllje të konferencës për media, Selmani njoftoi se Aleanca për Shqiptarët do të dorëzojë ankesë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe kërkoi fundin e praktikës së listave partiake. “Vendet e punës duhet t’u takojnë kandidatëve meritorë dhe jo militantëve partiakë. Do të kërkojmë hetim të plotë dhe do të mbrojmë dinjitetin dhe mirëqenien e çdo qytetari,” përfundoi ai.

Continue Reading

Lajme

Konkursi për specializantë në Spitalin e Tetovës pritet të anulohet? (Dokument)

Published

on

By

Pas shumë parregullsive, pritet të anulohet konkursi për pranimin e mjekëve specializantë në Spitalin Klinik të Tetovës, i cili ishte shpallur në kohën e ish-drejtorit Agim Berisha.

Sipas informacioneve jozyrtare që ka siguruar portali TS, përgjigjja përfundimtare nga Komisioni Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative, Procedura nga Marrëdhëniet e Punës dhe Mbikëqyrje Inspektuese në Shkallën e Dytë pritet të çojë në anulimin e plotë të konkursit për pranimin e mjekëve specializantë në Spitalin Klinik të Tetovës.

Ky vendim pritet të miratohet pas vërejtjeve të ashpra të dhëna ndaj ish-drejtorit, i cili sipas të dhënave ka vepruar në kundërshtim me normat ligjore, si dhe për shkak të disa parregullsive të rënda procedurale të evidentuara nga organet kompetente.

Portali TS mëson se shumë kandidatë për specializim, të cilët nuk janë pranuar, kanë dorëzuar ankesa në institucionet përkatëse. Sipas tyre, disa janë përballur edhe me kërcënime për t’u tërhequr nga ankesat.

Nga Spitali i Tetovës ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me këtë konkurs, por vlen të theksohet se konkursi për punonjës administrativ është refuzuar nga Ministria e Financave. Nuk dihet nëse konkursi për motrat medicinale do të kalojë, për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale, edhe pse ato tashmë e kanë përfunduar provimin administrativ.

Portali TS ka siguruar edhe dëshmi nga ankesat e specializantëve dhe një vendim ku shihet se është anuluar konkursi.

Continue Reading

TOP Lajme