Aktivistja e njohur qytetare, Nafie Selmani, në një postim të gjatë në rrjetet sociale ka ndarë përjetimet e saj personale dhe politike, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj subjektit politik VLEN.
Selmani pranon se për një kohë kishte qenë e mashtruar nga dikush që e konsideronte mik – një referencë e qartë ndaj Zeqirija Ibrahimit, i cili, sipas saj, kishte përvetësuar meritat për një mbështetje që në fakt i takonte Arben Taravarit, duke ia mohuar atij rolin real dhe kontributin në disa procese brenda VLEN-it.
Më poshtë e gjeni shkrimin e plotë të Nafie Selmanit:
“ E vërteta nuk mund të fshihet pafundësisht
Për një kohë, kisha qenë e mashtruar nga dikush që e kisha konsideruar mik. Kishte përvetësuar meritat për një mbështetje duke ia mohuar plotësisht z. Taravari rolin dhe kontributin real.
E vërteta nisi të dalë në dritë pas aktit të ulët dhe burracak të deputetit Bekim Qoku, i cili më përjashtoi në mënyrë të fshehtë, klandestine, pa asnjë shpjegim, pa asnjë bazë ligjore, dhe pikërisht aty ku miratohen ligjet. Dhe këtë e bëri me bekimin e plotë të partnerëve të tij politikë, VLEN-it, në një proces që ishte mbyllur.
Unë nuk i kam bërë kurrë padrejtësi qëllimisht askujt. Gjithmonë kam pasur frikë nga padrejtësia. Prandaj pranova me mirëkuptim propozimin e një miku tim për një takim mbrëmë me z. Arben Taravari
Në këtë takim, i thashë fjalët që më rëndonin ndërgjegjen: Më vjen keq që të kam akuzuar pa të drejtë, e ndikuar nga një besim i verbër tek Zeqirijahi dhe nga një propagandë e shëmtuar, e ndërtuar sipas stilit gebelsian nga subjekti politik ku ai bën pjesë bashkë me aleatët e tij. Nëse mua m’i bënë këto pas shpine, imagjinoj si kanë vepruar me ju!
Ky ballafaqim nuk kishte për qëllim të më shfajësonte mua, por të ruaja dinjitetin tim dhe të qëndroja në anën e së vërtetës. Sepse e vërteta, ndershmëria dhe drejtësia nuk mund të mbeten përherë nën hijen e gënjeshtrës dhe manipulimit politik.
Kush ka guxim të përballet me të vërtetën, ka edhe dinjitetin, dhe fiton edhe respektin”, ka përfunduar Selmani.