Connect with us

Lajme

Romantika e Çairit e ndarë mes krimit dhe politikës

Published

on

Sipas pretendimeve të Kryetares së Qytetit së Shkupit, Danella Arsovska, në Komunën e Çairit ka një legalizim masiv ilegal të objekteve që janë ndërtesa shumëkatëshe, komplekse banimi elitare, e jo ndërtesa të vogla dhe rikonstruime. Por, ajo thotë edhe se kjo është komuna e vetme në të cilën ka një numër kaq të madh falsifikimesh për legalizimin e ndërtesave pa leje, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Në një deklaratë Arsovska thotë se garanton se një gjë të tillë nuk ka askund tjetër, por se nëse do kishte dokumentacion edhe për komunat e tjera, ajo do i raportonte menjëherë.

“Ja edhe këtu në Qytetin e Shkupit, nëse doni të flisni për këtë, do të ishte politikisht e përshtatshme të thuhej se ndonjë kryetar komune nga radhët e VMRO DPMNE-së e ka bërë këtë ose se ndonjë kryetar komune nga radhët e LSDM-së e ka bërë këtë, por ja që nuk e kanë bërë. Askush nuk ka falsifikuar dokumente ashtu siç bën Visar Ganiu dhe askush në vitin 2024 nuk ka lejuar që të ndërtohen ndërtesa 12, 13-katëshe me 70, 80 apartamente ashtu siç bën Visar Ganiu. Më besoni kur ju them se unë jam vënë kundër një bande të organizuar kriminale siç ishte BDI-ja, ndërsa tani përballë meje është VLEN-i dhe që po përpiqen të më heshtin me të gjitha format e kërcënimeve kundër meje dhe familjes sime”, thotë Arsovska.

Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu e akuzoi Arsovskën se po punon për BDI-në që ka frikë nga disfata në zgjedhjet lokale.

“Arsovska po punon për BDI-në, ajo nuk komunikon me asnjë kryetar komune përveç kryetarit të Komunës së Sarajit. Bujar Osmani dhe Blerim Bexheti, mjaft u fshehët pas Arsovskës. Ajo që po bëni e bëni nga paniku sepse e dini se do të humbni në zgjedhjet lokale në Çair”, tha Ganiu më 25 maj të vitit 2025.

Danella Arsovska erdhi në postin e kryetares së Qytetit të Shkupit si kandidate e pavarur e mbështetur nga partia në pushtet VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Por për një kohë të shkurtër midis tyre shpërtheu zënkë dhe filluan me akuza të ndërsjella. Në ndërkohë ajo u akuzua se kishte formuar koalicion me BDI-në, pasi kishte bërë disa ndryshime në postet e drejtorëve në ndërmarrjet e qytetit.

Ajo njoftoi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale, por se do t’i zbulojë të gjitha krimet e garniturës aktuale në pushtet të udhëhequr nga koalicioni i VMRO DPMNE dhe VLEN, ku bëjnë pjesë edhe ish-zyrtarë të BDI-së.

Njëri prej tyre është zëvendëskryeministri aktual Izet Mexhiti, tani kryetar i partisë Lëvizja Demokratike, i cili ishte kryetar i Komunës së Çairit nga viti 2005 deri në vitin 2017. Disa afera për ndërtimet e paligjshme në këtë komunë për të cilat raportuan mediat, lidheshin pikërisht me atë.

Arsovska thotë se për çdo ditë pranon kërrcënime se nuk ka mbrojtje dhe nuk ndihet e sigurt. Thotë se ajo, familja e saj dhe punonjësit e Qytetit të Shkupit do të jenë të sigurt kur të arrestohet Visar Ganiu.

Luftë e sinqertë apo e targetuar kundër krimit?

Pothuajse të gjithë mandatin Danella Arsovska e kaloi me kritika nga publiku për shkak se shumë shpesh e linte dhe po e len qytetin pa transport publik, ndërsa ajo u grind edhe me transportuesit privatë edhe me punonjësit e NQP-së. Gjatë mandatit të saj ndodhi edhe që qyteti të ngulfatet në mbeturina për shkak se Ndërmarrjet Komunale refuzuan t’i binden.

Nga ana tjetër, ditëve të fundit ajo ka filluar të postojë edhe video në rrjetet sociale ku është duke gjurmuar për kyçje të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit. Këtë fundjavë raportoi për një kyçje të paligjshme në Komunën e Sarajit, ndërsa dje njoftoi se çdo ditë identifikohen nga 30 kyçje të paligjshme, nga të cilat ujiten ara të tëra, për ndërtime të paligjshme, për të mbushur pishina.

Ajo thotë se si pasojë e kësaj nuk ka ujë të mjaftueshëm, kështu që këto ditë në kryeqytet ose nuk ka presion në zonat më të larta ose ka kufizime të ujit në disa nga vendbanimet. Sipas këshilltarit të pavarur në Qytetin e Shkupit nga Qyteti i Gjelbër Human, Gorjan Jovanovski, duhet të respektohet lufta kundër çdo krimi, por se duhet të jepet një përgjigje se pse po fillohet pikërisht tani.

“Është shumë e rëndësishme që të ketë vazhdimësi në luftë. Nëse nuk ka vazhdimësi, atëherë është e pamundur të dihet nëse ajo luftë është e sinqertë apo e targetuar. Por nëse është shumë e fiksuar dhe e fokusuar në një moment të caktuar, duhet të shpjegohet pse”, thotë Jovanovski.

Megjithatë, sipas tij,është mirë që të bëhet një luftë e këtillë me krimin, por kjo duhet të ndodhë çdo vit, gjë që do të dëshmojë se qëllimi për ta eliminuar krimin nga shoqëria është kristal i qartë.

Inspektorati Shtetëror në vitin 2024 ka lëshuar një kumtesë të veçantë për Çairin, ndërkohë që sot po hesht

Kryetarët e Komunës së Çairit nuk i kanë përmbushur kompetencat e tyre ligjore dhe kanë lejuar ndërtim kaotike të paligjshëm. Ky është titulli i kumtesës së lëshuar nga Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm në prill të vitit 2024. Sipas inspektoratit, për periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2020 në komunë më shumë janë ndërtuar ndërtime të paligjshme sesa që janë lëshuar leje ndërtimi sipas ligjit.

“Është lejuar ndërtimi i një numri të madh ndërtesash dhe objektesh afariste, me çka është shkaktuar dëm ndaj interesit publik duke mos paguar shërbime komunale për to, dhe duke lejuar që individë të caktuar të përfitojnë në kurriz të qytetarëve të ndershëm duke i anashkaluar ligjet. Këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të vogla të Ligjit për Ndërtimin, të cilat gjithsesu duhet të sanksionohen, por bëhet fjalë për shkelje të rënda të të gjitha ligjeve duke lejuar ndërtimin e ndërtesave kolektive të banimit pa leje përkatëse dhe në vende ku ato nuk parashikohen nga Plani i Detajuar Urbanistik”, thuhet në raportin e inspektoratit të muajit prill të vitit 2024.

Inspektorati ka kryer mbikëqyrje inspektuese të jashtëzakonshme në Çair sepse ka pranuar 327 parashtresa nga kompani ose nga individë, që kanë bërë denoncimin e ndërtimeve pa leje. Nga Inspektorati kanë theksuar se Komuna nuk ka inspektor komunal të ndërtimit, i cili do ta zbatonte Ligjin për Ndërtim dhe do të parandalonte ndërtimet e paligjshme në vetë komunën.

Sipas Inspektoratit Komuna ka pasur mundësi ligjore të lidhë një marrëveshje ndërkomunale me një nga komunat fqinje që kanë inspektorë komunal të ndërtimit ose të autorizojë një punonjës administrativ për t’i kryer detyrat e një inspektori, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Kryetarët e Komunës së Çairit nuk i kanë përmbushur përgjegjësitë ligjore të parashikuara me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, me çka në territorin e Komunës së Çairit janë lejuar ndërtime kaotike të paligjshme pa i sanksionuar ato në përputhje me dispozitat ligjore të Ligjit për Ndërtimin dhe Ligjit për Mbikëqyrjen Inspektuese, ndërsa në lidhje me Kodin Penal, më saktësisht në përputhje me nenin 244-a të të njëjtit ligj”, shkruajnë nga Inspektorati.

Pranë Inspektorati kanë arritur edhe kallëzime penale për ndërtime të paligjshme që janë kryer ose po kryhen në Komunën e Çairit, të cilat iu janë dorëzuar autoriteteve, thuhet në kumtesë.

REL dërgoi pyetje te inspektorati dhe tentoi të kontaktojë me drejtorin, por pa sukses kështu që nuk mori përgjigje për pyetjet.

Prokuroritë hapën lëndë për ndërtime të paligjshme dhe falsifikim në Çair

Në Prokurorinë Themelore Publike Shkup dhe në Prokurorinë për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë hapur disa lëndë lidhur me ndërtimet e paligjshme në Komunën e Çairit. Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup thonë se menjëherë pas pranimit të lëndës të cilën e dorëzoi Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është kryer kontroll dhe identifikim i parcelave konkrete.

“Më 5 qershor, prokurori publik lëshoi ​​një urdhër të detajuar drejtuar Drejtorisë së Policisë Financiare, duke kërkuar që në përputhje me ingerencat e saj ligjore, të marrë të gjithë dokumentacionin nga Komuna e Çairit për parcelat në fjalë, të marrë dokumentacion për procedurat për legalizimin e objekteve në fjalë, të marrë dokumentacion nga Qyteti i Shkupit dhe Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Patundshme, të kryejë bisedime me personat e emëruar konkretisht, si dhe të kryejë verifikime të tjera dhe të ofrojë prova lidhur me statusin e ndërtimit në lokacionet e përmendura nga viti 2010 deri më sot”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Në të njëjtën Prokurori është hapur edhe lëndë pas zërit të arrirë pas publikimit në media për dyshime lidhur me legalizimin e ndërtimeve të paligjshme që në kohën e legalizimit as që kishin filluar të ndërtoheshin. E tillë ishte kronika që u transmetua në emisionin “360 Gradë” në shtator të vitit 2023, në të cilën flitej për disa ndërtesa që nuk ekzistonin para miratimit të ligjit për ndërtimet e paligjshme, por që u legalizuan pikërisht sipas atij ligji, edhe pse nuk mund të përfshiheshin me të. Si dëshmi për këtë u përdorën imazhe satelitore.

Nga Prokuroria thonë se edhe ata përdorin imazhe të tilla në proceset, por se gjykata shpesh i refuzon ato si prova.

Përndryshe, sipas Prokurorisë, janë urdhëruar inspektime edhe në kompani të caktuara, si dhe në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për zbulimin e krimeve dhe autorëve. Ende po veprohet sipas tij, thonë nga atje.

Continue Reading

Lajme

Europe Elects vulos sondazhin e së shtunës: Opozita Shqiptare – BDI e ASH 15%, VLEN 8%

Published

on

By

Sipas një ankete të re të realizuar nga agjencia Market Vision për platformën Europe Elects, VMRO-DPMNE vazhdon të kryesojë bindshëm në skenën politike të Maqedonisë së Veriut me 53% të mbështetjes elektorale.

Në vendin e dytë renditet BDI me 12%, duke kaluar LSDM-në që aktualisht ka vetëm 11%. Kjo përforcon pozicionin e BDI-së si forca më e madhe politike shqiptare, por edhe si forca e dytë në nivel republikan sipas këtij sondazhi.

Rezultatet e tjera:

LEVICA: 6%
ZNAM: 5%
Aleanca për Shqiptarët (ASH): 4%
Lëvizja BESA: 4%
Lidhja Demokratike (LD): 2%
Alternativa: 2%
Sondazhi është zhvilluar në periudhën 20 qershor – 4 korrik 2025, me një mostër prej 1.200 të anketuarve në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Ndarja e ASH-së së Taravarit, e cila aktualisht matet veçmas dhe ka rejting 3.6%, duket se ka ndikuar drejtpërdrejt në shpërbërjen e bazës elektorale të VLEN-it, duke e zvogëluar ndikimin e tij në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kjo rënie e rejtingut ngre pikëpyetje të mëdha për fuqinë reale të VLEN-it në zgjedhjet e ardhshme dhe shtron nevojën për ristrukturim apo riformatim të qasjes politike të këtij koalicioni tashmë të fragmentuar. Flaka

Continue Reading

Lajme

Pas Edi Ramës, edhe Presidenti Bajram Begaj injoron VLEN-in: Takohet vetëm me Ali Ahmetin

Published

on

By

Pas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka anashkaluar takimet me përfaqësuesit e koalicionit VLEN gjatë vizitës së tij në Ohër, në kuadër të ftesës zyrtare të Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Në faqen e tij zyrtare në Facebook, Presidenti Begaj ka publikuar dy albume fotografish nga vizita në Maqedoninë e Veriut. Në njërin, ai informon për takimin bilateral me Presidenten Siljanovska-Davkova, ndërsa në tjetrin, dokumenton takimin me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.

“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike,” ka shkruar Begaj në postimin e tij.

Mungesa e takimeve me liderët e VLEN-it vjen në një kohë kur raportet diplomatike mes Tiranës dhe përfaqësuesve të këtij koalicioni janë të tensionuara. Kujtojmë se edhe Edi Rama, gjatë samitit të fundit në Shkup, zgjodhi të takohej vetëm me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, me nënkryetarin dhe ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, si dhe me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tashmë pjesë e opozitës shqiptare.

Ndërkohë, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Mejdani, disa herë është akuzuar, injoruar dhe përbuzur nga përfaqësues të koalicionit VLEN.

Ky zhvillim i fundit duket se konfirmon një linjë konsistente të Tiranës zyrtare, që ka zgjedhur të komunikojë vetëm me aktoret politikë që e konsideron legjitimë dhe të besueshëm, duke lënë jashtë VLEN-in – një mesazh diplomatik që tashmë po lexohet me vëmendje në Shkup. Flaka

Continue Reading

Lajme

Xhezairi për Flaka: VLEN-i i përkrahur nga Kurti ka dështuar – Mickoski po realizon Maqedoninë e maqedonasve

Published

on

By

Gazetari dhe analisti politik Seladin Xhezairi, në një prononcim për Flaka, ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe efektet e bashkëqeverisjes së koalicionit VLEN me VMRO-DPMNE-në dhe ZNAM-in. Sipas tij, grupimi politik që gëzon përkrahjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, ka dështuar në përmbushjen e pritshmërive, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Driton Zenku

“Në gjykimin tim, grupimi politik që ka mbështetjen e Prishtinës zyrtare, të LVV-së dhe kryeministrit Albin Kurti, dështoi si në planin e brendshëm – kemi një degradim të interesave shqiptare – ashtu edhe në atë të jashtëm,” thekson Xhezairi.

Ai nënvizon se negociatat për anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Evropian vijojnë të mbeten të bllokuara, për shkak të mungesës së ndryshimeve kushtetuese, përfshirë futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

“Negociatat për aderim me të drejta të plota në BE vazhdojnë të mbeten të bllokuara për mungesë të ndryshimit të Kushtetutës dhe futjes edhe të bullgarëve në të,” shton ai.

Në vlerësimin e Xhezairit, ndërsa VMRO-DPMNE dhe lideri i saj, kryeministri Hristijan Mickoski, po e realizojnë pa pengesa programin e tyre shtetformues, katër partitë politike shqiptare në pushtet nuk po arrijnë të mbrojnë interesat e komunitetit që përfaqësojnë.

“Fitohet përshtypja se partia VMRO-DPMNE dhe kreu i saj, kryeministri Hristijan Mickoski, po e realizojnë në plotëni programin e tyre parazgjedhor, duke e bërë Maqedoninë – të maqedonasve, ndërsa katër subjektet politike shqiptare duket se u vetëmjaftojnë vetëm postet që ushtrojnë!” përfundon Xhezairi.

Ky vlerësim i ashpër i analistit vjen në një kohë të tensionuar politike, kur rezultatet e sondazheve të fundit po tregojnë një zhgënjim të qartë të elektoratit shqiptar me përfaqësuesit e tij në pushtet. Flaka

Continue Reading

TOP Lajme