Në Maqedoninë e Veriut, fushatat lokale shpesh ngatërrohen me teatër diplomatik. Kandidatët për kryetarë komunash flasin për NATO-n, BE-në, madje edhe për tensionet ndërkombëtare sikur të ishin ambasadorë në OKB-së, shkruan PressOnline.al
Por e vërteta është shumë më e thjeshtë (dhe më e hidhur): kryetari i komunës nuk do të negociojë me Tramp-in, por me kompaninë që duhet të pastrojë lagjen. Ai nuk do të bëjë marrëveshje me Ursula von der Leyen, por do të duhet të merret me prindërit që kërkojnë kopsht për fëmijët.
Diplomacia e asfaltit!
Çfarë vlere ka një deklaratë për integrimet evropiane kur trotuari yt është më i shkatërruar se rrugët e një fshati të harruar? Çfarë kuptimi ka një fjalim për NATO-n kur ndriçimi i lagjes fiket pas orës 9 dhe qytetarët ecin në terr?
Politikanët e dinë mirë këtë realitet, por e shmangin me mjeshtëri. Është shumë më e lehtë të bësh poezi nacionaliste sesa të shpjegosh pse nuk ke rregulluar kanalizimin e qytetit.
Flamuj të mëdhenj, buxhete të vogla
Formula është e thjeshtë: sa më i madh flamuri në miting, aq më i vogël plani urbanistik për komunën. Sa më shumë që kandidatët shesin “çështje kombëtare”, aq më pak flasin për menaxhimin e mbeturinave, për ndotjen, për hapësirat e gjelbra, për transportin publik.
Në vend të programeve me numra konkretë – sa rrugë do asfaltohen, sa parqe do ndërtohen, sa shkolla do rinovohen – qytetarët dëgjojnë retorikë boshe. Një teatër absurd, ku fjalimet janë më të mëdha se realiteti i jetës së përditshme.
Qytetari s’pi ujë nga fjalimet!
Një qytetar nuk mund të pijë ujë të pastër nga “procesi i integrimit”, nuk mund të ushqehet me “dialog rajonal” dhe nuk mund të ngrohë shtëpinë me “stabilitet gjeopolitik”. Ai ka nevojë për ujë real, transport funksional, hapësira të pastra dhe shërbime cilësore.
Por këto janë “shumë të vogla” për mendjet e mëdha të politikanëve tanë, që preferojnë të flasin për Vuçiqin dhe Brukselin sesa për kontejnerët që kundërmojnë nën dritaret e qytetarëve.
Çfarë duhet të bëjë qytetari?
Është e thjeshtë: kur një kandidat për kryetar komune fillon të flasë për diplomaci në fushatë, duhet të fikësh televizorin ose të ndalosh duartrokitjet. Në vend të fjalimeve madhështore, kërko transparencë për buxhetin komunal, për shërbimet bazë dhe për planet konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt jetën tënde.
Në zgjedhjet lokale të tetorit, mos bini pre e politikanëve që duan të shiten si burrështetas globalë. Ata nuk do të zgjidhin çështjen e Kosovës, nuk do të përshpejtojnë integrimin në BE, dhe nuk do të ndryshojnë balancat botërore. Por mund – nëse kanë vullnet dhe aftësi – të rregullojnë rrugën, të pastrojnë lagjen, të ndërtojnë kopshtin, të ndriçojnë sheshet.
Nëse kanë dëshirë për diplomaci, le të kandidojnë për në OKB. Për komunat tona na duhen njerëz që dinë të pastrojnë mbeturinat.(PressOnline.al)