Connect with us

Lajme

Pse të sapodiplomuarit e sotëm janë në telashe?

Published

on

Tregu i punës është tronditur nga themelet, shkruan The Economist. Duhet të na vijë keq për të rinjtë ambiciozë. Për dekada me radhë, rruga drejt një jete të mirë ishte e qartë: shko në universitet, diplomohu, gjej një punë, pastaj shijo përfitimet. Por të rinjtë e sotëm, ndonëse punëtorë e të përkushtuar, duken sikur kanë më pak mundësi sesa më parë. Të ndjekësh një karrierë në sektorin e teknologjisë? Kompanitë e mëdha po shkurtojnë vende pune. Në sektorin publik?

Nuk ka më prestigjin që kishte dikur. Inxhinier? Shumica e inovacionit, nga automjetet elektrike tek energjitë e rinovueshme, tani po ndodh në Kinë. Avokat? Inteligjenca Artificiale së shpejti do t’ua zërë vendin. E as që bëhet fjalë të bëhesh gazetar. Në mbarë Perëndimin, të rinjtë e sapodiplomuar po humbasin pozicionin e privilegjuar që gëzonin; në disa raste, e kanë humbur tashmë. Të dhënat për punësimin e sinjalizojnë këtë ndryshim.

Matthew Martin nga shoqëria e konsulencës Oxford Economics, ka analizuar amerikanët e moshës 22 deri në 27 vjeç me diplomë bachelor ose më të lartë. Për herë të parë në histori, shkalla e papunësisë për ta është më e lartë se mesatarja kombëtare. Rritja e papunësisë në mesin e të diplomuarve të rinj vjen kryesisht nga ata që kërkojnë punë për herë të parë.

Ky trend nuk kufizohet vetëm në Amerikë. Në Bashkimin Europian, shkalla e papunësisë për të rinjtë me arsim të lartë po afrohet me nivelin e përgjithshëm për grupmoshën e tyre, që përfshin edhe të rinjtë pa arsim të lartë (shih grafikun 1). Britania, Kanadaja, Japonia duket se po ndjekin të njëjtën prirje. Edhe të rinjtë më elitarë, si të diplomuarit me MBA (master në administrim biznesi), po e pësojnë.

Në vitin 2024, vetëm 80% e të diplomuarve në shkollën e biznesit të Stanford kishin gjetur punë tre muaj pas diplomimit, nga 91% në vitin 2021. Deri pak kohë më parë, “primi i diplomimit në universitet”, fakti që të diplomuarit fitonin më shumë sesa të tjerët, ishte në rritje (shih grafikun 2). Por së fundmi ka rënë, përfshirë në SHBA, Britani dhe Kanada.

Duke përdorur të dhëna të Rezervës Federale të Nju Jorkut për të rinjtë amerikanë, llogaritet se në vitin 2015 të diplomuarit në universitet kishin një pagë mesatare 69% më të lartë se ata me vetëm shkollë të mesme. Deri vitin e kaluar, primi ishte ulur në 50%.

A është diçka e keqe që të diplomuarit po humbasin privilegjet e tyre?

Edhe kënaqësia nga puna është më e ulët. Një sondazh gjithëpërfshirës sugjeron se në SHBA “hendeku i kënaqësisë së të diplomuarve”, diferenca në nivelin e kënaqësisë në punë midis të diplomuarve dhe jo të diplomuarve, është tani rreth tre pikë përqindjeje, nga një diferencë afatgjatë prej shtatë pikësh.

A është diçka e keqe që të diplomuarit po humbasin privilegjet e tyre? Nga ana etike, jo domosdoshmërisht. Asnjë grup nuk ka të drejtë të jetë mbi mesataren. Por praktikisht, ndoshta po. Historia tregon se kur njerëzit e zgjuar, ose ata që mendojnë se janë të tillë, performojnë më keq nga sa besojnë se meritojnë, ndodhin gjëra të këqija.

Peter Turchin, shkencëtar nga Universiteti i Connecticut, argumenton se “mbiprodhimi i elitës” ka qenë shkaktari i drejtpërdrejtë i çdo lloj trazire ndër shekuj, me “kundërelitat” që udhëheqin revoltën. Historianët identifikojnë “problemin e tepricës së njerëzve të arsimuar” si një nga faktorët që çuan në revolucionet e vitit 1848 në Europë.

Luigi Mangione do të ishte pjesë e kësaj kundër-elite. Mangione, i diplomuar në Universitetin e Pensilvanisë, duhej të kishte një jetë shumë të mirë. Por sot ai është i akuzuar për vrasjen e drejtorit të një kompanie sigurimesh shëndetësore. Më domethënës është fakti që shumë njerëz mirëkuptojnë dhe ndajnë ndjenjat e përjashtimit që ai përjetoi: ai ka marrë mbi 1 milion dollarë donacione.

Pse po e humbasin të diplomuarit statusin e tyre?

Ndoshta për shkak të zgjerimit të pranimit masiv të universiteteve, që uli standardet. Nëse universitetet pranojnë aplikantë më pak të talentuar dhe bëjnë një punë më të dobët në formimin e tyre, punëdhënësit me kalimin e kohës mund të presin më pak diferencë mes të diplomuarve dhe jo-diplomuarve. Një studim i fundit, nga Susan Carlson e Universitetit Shtetëror të Pittsburg dhe kolegë të saj, sugjeron se shumë studentë sot janë analfabetë funksionalë.

Një numër shqetësues i studentëve të letërsisë angleze nuk arrijnë të kuptojnë romanin “Bleak House” të Charles Dickens. Shumë prej tyre ngatërrohen që në rreshtin e parë: “Michaelmas term lately over, and the Lord Chancellor sitting in Lincoln’s Inn Hall.” Sigurisht, disa universitete ofrojnë degë studimi pa vlerë për kandidatë që nuk duhet të jenë aty. Nga ana tjetër, ka pak lidhje mes numrit të të diplomuarve dhe primit të pagës në afat të gjatë: të dy u rritën në SHBA gjatë viteve ‘80.

Për më tepër, nëse flisni me studentët në shumicën e universiteteve, sidomos ato elitare, do të kuptoni që nuk janë budallenj. Studentët në Stanford janë jashtëzakonisht të zgjuar. Dikur, disa studentë në Oxford dhe Cambridge e pranonin me kënaqësi edhe një notë të ulët, mjaft që të kalonin. Sot, kjo është e paimagjinueshme.

Një artikull i ri nga Leila Bengali e degës së San Franciskos të Rezervës Federale dhe kolegët e saj ofron një arsye tjetër për të vënë në dyshim tezën “të diplomuarit janë më pak të zotë”. Ata zbulojnë se ndryshimi në primin e universitetit “reflekton kryesisht faktorë të kërkesës, konkretisht ngadalësimin e ritmit të ndryshimit teknologjik që favorizon aftësitë”. Me fjalë të thjeshta, punëdhënësit sot mund të gjejnë punonjës pa diplomë universitare për të bërë punë, që më parë u përkisnin vetëm të diplomuarve.

Diplomë me rezultate të shkëlqyera? Nuk i intereson askujt

Kjo vlen veçanërisht për ato punë që kërkojnë njohuri bazë teknologjike. Deri së fundmi, shumë persona mund të mësonin përdorimin e kompjuterit vetëm në universitet. Sot, të gjithë kanë një smartphone dhe ata pa diplomë universitare janë gjithashtu të aftë në teknologji. Pasojat janë të qarta. Në pothuajse çdo sektor të ekonomisë, kërkesat arsimore po bëhen më pak strikte, sipas të dhënave të faqes së punësimeve Indeed.

Sektori amerikan i shërbimeve profesionale dhe biznesit punëson më shumë persona pa arsim të lartë sesa 15 vite më parë, edhe pse numri i tyre në popullatë është ulur. Punëdhënësit kanë shkurtuar gjithashtu vendet e punës në industritë, që zakonisht favorizonin të diplomuarit. Në BE, numri i të rinjve 15-24 vjeç të punësuar në sektorin e financës dhe sigurimeve ka rënë me 16% nga 2009 në 2024. Në SHBA ka vetëm pak më shumë punë në “shërbimet ligjore” sesa në vitin 2006.

Për një student britanik që shpresonte të fitonte para, rruga e qartë ishte një punë në një bankë. Por që nga viti 2016, numri i të rinjve në sektorin ligjor dhe atë financiar ka rënë me 10%. Deri në sezonin e tretë të serialit “Industry”, që tregon jetën e disa të sapodiplomuarve nga universiteti në një bankë londineze, shumica e personazheve kryesorë janë larguar ose kanë ndërruar jetë.

Nuk mund të fajësohet Inteligjenca Artificiale për rënien e mundësive. Kjo teknologji duket se mund të automatizojë punë të nivelit fillestar të njohurive, si arkivimi ose punët e thjeshta ligjore. Por tendencat e përshkruara në këtë artikull kanë nisur para ChatGPT. Ka shumë faktorë që ndikojnë. Shumë industri që tradicionalisht punësonin njerëz me diplomë universitare, kanë pasur vështirësi kohët e fundit. Vite aktiviteti të vakët në bashkime e blerje kompanish kanë ulur kërkesën për juristë. Bankat e investimit nuk janë më aq agresive sa para krizës financiare globale të viteve 2007-2009.

A ka më vlerë universiteti?

Amerikanët duket se po vendosin për “jo”. Nga 2013 deri në 2022, numri i të regjistruarve në programet bachelor ra me 5%, sipas të dhënave nga OECD. Por në shumicën e vendeve të pasura, ku arsimi i lartë është më i lirë sepse financohet pjesërisht nga shteti, të rinjtë vazhdojnë të dynden drejt universiteteve. Përjashtuar SHBA-në, regjistrimet në vendet e OECD u rritën nga 28 milionë në 31 milionë në dekadën deri më 2022. Në Francë, numri i studentëve u rrit me 36%; në Irlandë me 45%.

Qeveritë po subvencionojnë diploma të padobishme, duke nxitur të rinjtë të humbin kohë me studime pa vlerë. Studentët mund të mos jenë duke zgjedhur as degët e duhura. Jashtë SHBA-së, përqindja e studentëve në art dhe shkenca sociale është kryesisht në rritje. Po ashtu, në mënyrë të pashpjegueshme, edhe regjistrimi në degët e gazetarisë. Nëse këto prirje pasqyrojnë pritshmëritë e të rinjve për të ardhmen e punës, atëherë ata vërtet janë në telashe./ Monitor/

Continue Reading

Lajme

Sondazhi i “UBO”-s së VLEN-it, i pabesueshëm dhe i pakonfirmuar – përpjekje e dështuar për të relativizuar anketat reale

Published

on

By

Një i ashtuquajtur sondazh i shpërndarë nga përfaqësues të koalicionit VLEN, dhe që i atribuohet një subjekti të quajtur “UBO”, ngre dyshime serioze për vërtetësinë dhe besueshmërinë e tij. Sipas analizës së bërë, ky “sondazh” nuk ka asnjë element transparent ose metodologjik që ta klasifikojë si të besueshëm.

Nuk dihet periudha e realizimit, nuk dihet numri dhe forma e të anketuarve, nuk ka as infogramë, as tabela, as statistika, madje as emri i porositësit nuk publikohet. Ai nuk figuron as në faqen zyrtare të kompanisë së përmendur, çka e bën këtë publikim një produkt të pakontrolluar dhe jashtë çdo standardi profesional të matjeve të opinionit publik.

Ky material i dyshimtë duket se është shpërndarë me të vetmin qëllim: të relativizojë dhe diskreditojë anketën serioze të MKD.mk, e realizuar në bashkëpunim me agjencinë e njohur “Market Vision”, e cila njihet për saktësi në parashikime dhe rezultate që janë konfirmuar në ciklet zgjedhore të mëparshme.

Sondazhi i “UBO”-s, pa burime, pa metodologji, pa komunikatë zyrtare dhe pa asnjë transparencë, është një manipulim i dështuar dhe tentativë e qartë për të mashtruar opinionin publik në një moment kritik politik për koalicionin VLEN, që po përballet me rënie drastike të mbështetjes, sipas të dhënave zyrtare të sondazheve kredibile.

Continue Reading

Lajme

Arben Taravari e shkëputi elektoratin e ASH-së nga VLEN – Arben Fetai nuk arriti ta ndalë

Published

on

By

Arben Fetai, i vetëshpallur si trashëgimtar politik i ASH-së brenda koalicionit VLEN, nuk ka arritur të matet as në nivelin minimal të përkrahjes në mesin e liderëve shqiptarë, sipas anketës më të fundit të realizuar nga MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë Market Vision, raporton Flaka. Kjo e bën rolin dhe peshën e tij politike brenda VLEN-it praktikisht të papërfillshme, sidomos në krahasim me rejtingun që gëzon ASH e Arben Taravarit pas ndarjes.

Sipas anketës, koalicioni VLEN ka pësuar një tkurrje drastike nga 13% në vetëm 7.7%, duke humbur 5.3% të mbështetjes brenda pak muajsh. Kjo rënie ndodh pas largimit të ASH-së së Taravarit, e cila tashmë matet veçmas dhe ka 3.6% mbështetje.

Kjo situatë tregon se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit të dikurshëm të VLEN-it ka ndjekur Taravarin në rrugëtimin e tij opozitar, duke dëmtuar rëndë strukturën elektorale të koalicionit të mbetur.

Rezultatet ngrejnë pyetje serioze për legjitimitetin dhe fuqinë reale të VLEN-it në zgjedhjet e ardhshme dhe theksojnë nevojën për një ristrukturim të thellë politik nëse synon të mbijetojë në skenën politike shqiptare.

Në të njëjtën kohë, të dhënat tregojnë se opozita shqiptare e drejtuar nga BDI dhe ASH është tashmë dyfish më e fuqishme se vetë VLEN-i, duke përmbysur balancat politike dhe duke shënuar një moment kritik në riorientimin e skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Anketa e MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë Market Vision është realizuar në periudhën nga 20 qershori deri më 4 korrik 2025, duke përdorur metodën CATI – intervistim telefonik me ndihmën e kompjuterit, mbi një mostër prej 1.200 të anketuarve. Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë së Veriut sipas: rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike, bazuar në të dhënat për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021. Flaka

Continue Reading

Lajme

Anketa e re: Ahmeti i pari mes shqiptarëve, Taravari i dyti – Liderët e VLEN-it në fund të listës

Published

on

By

Sipas të dhënave më të fundit nga një anketë e realizuar nga MKD.MK, në bllokun politik shqiptar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, vazhdon të mbajë vendin e parë për nga niveli i besimit me 6%, duke konfirmuar epërsinë e tij ndaj rivalëve politikë shqiptarë, shkruan Flaka

Arben Taravari, lideri i Aleancës për Shqiptarët, i cili aktualisht ndodhet në opozitë, gjithashtu renditet ndër figurat më të besueshme, përpara disa prej liderëve të partive në pushtet.

Sa i përket liderëve të koalicionit VLEN, ata vijojnë të qëndrojnë në nivele të ulëta të besueshmërisë: Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami kanë rreth 2% mbështetje secili, ndërsa Afrim Gashi (Alternativa) përmendet me vetëm 1%. Zeqirja Ibrahimi dhe Arben Fetai nuk rezultojnë në listën e liderëve me përkrahje mbi 1%.

Ndërkohë, Venko Filipçe, kryetar i ri i LSDM-së, zë vendin e tretë me 4.7%, ndërsa në kampin opozitar maqedonas, Maksim Dimitrievski (ZNAM) dhe Dimitar Apasiev (Levica) janë në nivel të barabartë me nga 3% mbështetje.

Anketa reflekton qartë fragmentimin e kampit shqiptar në pushtet dhe vazhdimësinë e dominimit të figurave tradicionale si Ahmeti dhe Taravari, pavarësisht ndryshimeve të fundit në skenën politike.

Anketa është realizuar në periudhën nga 20 qershori deri më 4 korrik 2025, duke përdorur metodën CATI – intervistim telefonik me ndihmën e kompjuterit, mbi një mostër prej 1.200 të anketuarve. Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë së Veriut sipas: rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike, bazuar në të dhënat për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021. Flaka

Lexo edhe: Anketa e re: Opozita shqiptare dyfish më e fuqishme se koalicioni VLEN

Anketa- VLEN pëson rënie të fortë pas largimit të ASH-së së Taravarit: Nga 13% në 7.7%

Continue Reading

TOP Lajme