Connect with us

Lajme

​“Protesta në Beograd e paparashikueshme, mund të kalojë në luftë qytetare”

Published

on

Në mes tensionesh, rreth orës 16:00 pritet të fillojë protesta në Beograd të Serbisë, e cila konsiderohet të jetë më e madhja ndonjëherë në këtë vend. Mijëra studentë nga qytete e fshatra të ndryshme të Serbisë, por edhe protestues të tjerë raportohet të jenë stacionuar para Kuvendit të Serbisë, por edhe te Slavia, ku do të ketë skenë, kor dhe folës.

Pavarësisht se studentët në Serbi po organizojnë protesta duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, politikanët shqiptarë nga Lugina e Preshevës thonë se presidenti Aleksandër Vuçiq, nuk do të jep dorëheqje.

Sipas tyre, protesta e sotme në Beograd është e paparashikueshme dhe mund të ketë përplasje e ndërhyrje të forcave policore.

Ish-deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani në një prononcim për KosovaPress thotë se numri i protestuesve mund të arrijë afro një milion, derisa nuk përjashton tensionet e mundshme. Ai potencon se kjo protestë është një tregues për Vuçiq se kjo rrugë është e pakapërcyeshme për të.

Hasani: Vuçiq është një diktator i llojit të vet

“15 marsi është zgjedhur për shkak të 15 viktimave të Novi Sadit dhe kjo protestë është një tregues shumë i rëndësishëm që Vuçiq nuk është më interesant dhe se duhet të shkojë. Për shkak se nëse mblidhen afër një milion studentë të gjithë Serbisë, me sektorin privat dhe pjesën opozitare, kjo do të thotë që ai nuk e ka përkrahjen në Serbi dhe është bërë një lider i tepërt, i cili punon me kokë të veten…Beogradi dy ditët e fundit është duke u mbushur nga të gjitha vendet, qytetet, fshatrat e Serbisë…Nëse pjesa tjetër qeveritare fillon të bëjë dhunë, mund të vije deri te një përplasje, një kacafytje. Për shkak se është edhe një grup tjetër i cili është i vogël në përkrahje të Vuçiq, të cilët kanë mbledhur thasë me gurë, kanë sjellë disa traktorë dhe shtëpiza. Sot Vuçiq do ta kuptojë se është rrugë shumë e pakapërcyeshme e ardhmja e tij. Ai është kokëfortë, dorëheqje nuk jep dhe është një diktator i llojit të vet”,tha Hasani.

Hasani thekson se protesta mund të kalojë në luftë qytetarë, nëse studentët ia mësyjnë institucioneve shtetërore, me ç’rast do të reagojnë forcat policore dhe ushtria.

Hasani: Protesta mund të kalojë në luftë qytetare

“Kemi informata që edhe Daqiq do t’i largohet Vuçiqit. Është e paparashikueshme për shkak se ka shumë njerëz, me qindra-mijëra, ndoshta edhe një milion protestues. Gjithçka është e paparashikueshme nëse fillojnë studentët t’i marrin institucionet shtetërore dhe të ecin, atëherë Vuçiq do të reagojë me polici, ushtri dhe në këtë rast mund të vije edhe te lufta qytetare”, thekson Hasani.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa thotë se televizionet shtetërore dhe ato që përkrahin Vuçiq nuk po transmetojnë asnjë sekuencë nga protesta e sotme. Sipas tij, RTS dhe disa të tjerë, po shfaqin filma vizatimorë dhe dokumentarë ose pjesë të studentëve që mbështesin Vuçiq.

Përveç tjerash, për KosovaPress Mustafa shprehet se protesta mund të pasohet me incidente gjatë orëve në vazhdim.

Mustafa: Televizionet shtetërore në Serbi nuk shfaqin protestën, japin filma vizatimorë

“Ne nuk mund të shohim këtu prej televizione shtetërore të Serbisë, Radio Televizioni i Serbisë nuk jep asnjë sekuencë të tubimit të sotëm. Happy Televizoni dhe Pink që janë në krah të presidentit Vuçiq nuk iu vjen turp që në këto situata, kur e gjithë Serbia është grumbulluar në Beograd, ata japin filma vizatimorë ose dokumentarë të tjerë. Në kohën lajmeve japin disa sekuenca, edhe atë për ata studentë që i ka grumbulluar rreth presidencës së presidenti Vuçiq që kërkojnë vazhdimin e mësimeve në fakultete dhe universitete të Serbisë…Ka një numër të madh të buqëve që me traktorë kanë ardhur në mes të Beogradit. Janë parkuar në vende të caktuara ku shihet demolomi i xhamave të traktorëve, nga ana e akterëve që janë pjesë e strukturës politike dhe të brendshme të Serbisë, të udhëhequr nga Vuçiq dhe në këtë drejtim deri në orët e vona të mbrëmjes sa do të zgjasë protesta do të ketë edhe incidente, mbase mund të jenë edhe më të rënda”, tha Mustafa.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi thotë se ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm për protestën e sotme në Beograd, derisa shton se pushteti aktual atje ka paralajmëruar se mund të ketë dhunë.

Mustafi: Kjo do të jetë protesta më e madhe në Beograd

Shumica kanë paralajmëruar se kjo do të jetë protesta më e madhe ndonjëherë e bërë në Beograd çfarë edhe kanë të drejtë. Pasur parasysh që tashmë studentë që kanë filluar që në dhjetorin e vitit të kaluar në mënyrë sistematike e kanë pasur ngritje të vetëdijes ndaj represionit të dyfishtë që ju ndodhë përmes inxhinierimit të lajmeve të rreme dhe lajmeve që kanë krijuar një realitet tjetër alternativ. Ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm gjithandej. Pushteti ka paralajmëruar që do të ndodhë dhunë. Pushteti i Vuçiq, i një totalitaristi modern ka paralajmëruar që sikur po përgatitet një revolucion me ngjyra. Megjithatë, kjo sipas tij nuk do të funksionojë”, potencon Mustafi.

Ndonëse protesta është paralajmëruar të jetë paqësore, Mustafi thotë se mund të ketë inskenime të situatave nga grupe të kontrolluara të Vuçiqit, për të legjitimuar përdorimin e dhunës. Sipas Ragmi Mustafit, edhe pas kësaj proteste Vuçiq nuk do të jep dorëheqje, derisa shton se këtë të fundin e ka kapur paniku.

Mustafi: Mund të ketë inskenime në protestë, për ta legjitimuar përdorimin e dhunës nga shteti

“Vuçiq si duket për herë të parë ndihet se nuk është në kontroll të situatës, atë e ka kapur edhe paniku. Gjithsesi, studentët ka paralajmëruar protesta do të jetë e qetë, paqësore…Ndoshta dorëheqje nuk do të jap, nuk e pres që mund të jep. Vuçiq mund të mbajë pushtetin ndoshta edhe për një kohë, por ai si duket të mbajë një shoqëri të tërë në gjendje pezullimi mes frikës dhe iluzionit. Nëse ai tashmë nuk reflekton, kjo është vetëm fillimi i fundit të tij…Mund të inskenohet një situatë e vërtetë, madje tani kemi edhe paralajmërime se ka pasur disa që kanë shkelur me vetura protestuesit. Mund të jenë inskenime nga ato grupet fashiste që kanë qenë nën kontrollin e Vuçiqit…Për të legjitimuar më pas përdorimin e monopolit të dhunës nga shteti. Në anën tjetër, mund të ketë një situatë në të cilën gjithashtu studentët që janë në parkun ‘Pionir’ mbështetës të Vuçiqit që quhen studentë që e duan të mësojnë, të ketë prapë edhe aty një inskenim që mund të jetë mes studentësh për të legjitimuar dhunën e presidentit Vuçiq”, thotë Mustafi.

Studentët në Serbi kanë organizuar protesta dhe bllokada për katër muaj në disa qytete të mëdha, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, pas shembjes së një strehë betoni në stacionin hekurudhor më 1 nëntor 2024.

Ata kërkojnë publikimin e të gjitha dokumenteve të lidhura me rikonstruksionin e stacionit hekurudhor për të përcaktuar se kush mban përgjegjësi për këtë aksident, ndjekjen penale të personave që kanë sulmuar protestuesit, si dhe pezullimin e procedurave ndaj të arrestuarve gjatë protestave të mëparshme.

Continue Reading

Lajme

Dy zyrtarë shqiptarë në takim gjysmë zyrtar, pa flamur shqiptar!

Published

on

By

Nga Medai Shaholli

Dje Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe zv.kryeministri i “Severnës” Izet Mexhiti, janë takuar me rastin e mbajtjes së samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor nën patronazhin e BE-së.

Ajo që ra në sy nga ky takim është se baba Bini dhe evgjiti i Çairit në këtë takim rasti, nuk kishin mbi tavolinë flamur shqiptar, por njëri kishte vënduar flamurin lara-lara, që nuk e dëshironte para se të bëhej kryeministër, por pasi u bë e flaku tutje shqiponjën dhe e mbanë atë me lara-lara si domosdoshmëri protokollare, ndërsa tjetri e mban një ventilator të “državës”!

Kush ia ndalon këtyre trimave të ndryshimit të mbanin edhe një flamur shqiptar mbi tavolinën e vockël të takimit gjysmë zyrtar?
Njeri hoqi dorë nga bashkimi kombëtar si sajesë për t’u treguar patriot ndërsa tjetri në emër të ndryshimit u bë vasal i despotit Micko.

Ja pra si duket përfaqësimi i shqiptarëve të “Severnës” dhe i atyre të Kosovës, pasi rrahën gjoks për bashkim kombëtar dhe për ndryshim, sot nuk guxojnë të vëndojnë një flamur shqiptar mbi tavolinë, pasi nuk e lejon despoti Micko që brenda territorit të “državës” nuk mund të përdoret tjetër flamur veç ventilatorit!

Këtu përfundon dhe rrëfenja për bashkim kombëtar dhe për ndryshim!

Ky ishte shpërblimi dhe kusuri që shqiptarët e “Severnës” morën nga baba Bini, qëkur u bë kumbar i miqësisë së re VREDI-VMRO, se me këtë qeveri do të vinte ndryshimi për shqiptarët dhe se tani e tutje me komitët në krye shqiptarët do të fitonin lirinë dhe barazinë e munguar.

Përfundimisht, këta dy politiqenë nuk përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, por vetëm të mendereve të tyre!

Continue Reading

Lajme

Anketë: Të rinjtë skeptikë për të ardhmen e Maqedonisë në BE, korrupsioni numër një

Published

on

By

Nga një sondazh i realizuar në fund të qershorit 2025 me mbi 1.000 të rinj në Maqedoninë e Veriut, rezulton se euro-skepticizmi është në rritje. Pavarësisht se 41% e të rinjve shprehen pozitivisht për Bashkimin Evropian, pothuajse gjysma e tyre nuk besojnë se vendi do të bëhet pjesë e Unionit ndonjëherë, përcjell INA.

Mungesë besimi dhe pritshmëri të ulëta

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike (IDUEP), 46,5% e të anketuarve janë të bindur se Maqedonia e Veriut nuk do të arrijë të anëtarësohet në BE. Vetëm 6,7% besojnë se kjo do të ndodhë në pesë vitet e ardhshme, ndërsa 35,8% e shohin këtë mundësi në një të ardhme më të largët.

Të rinjtë janë gjithashtu skeptikë për pozicionin e vendit krahasuar me fqinjët e Ballkanit Perëndimor. 53,2% besojnë se Shqipëria do të jetë anëtarja e radhës e BE-së, ndjekur nga Mali i Zi (34,5%) dhe Serbia (14,7%), ndërsa vetëm 8,2% e shohin Maqedoninë e Veriut si pjesë të Unionit brenda vitit 2030.

Korrupsioni, problemi numër një

Korrupsioni është identifikuar si pengesa kryesore në rrugën drejt integrimit evropian. Plot 84,6% e të rinjve e konsiderojnë atë si faktor kryesor që e frenon procesin e anëtarësimit. Mosmarrëveshjet bilaterale (61%) dhe mungesa e besimit në institucionet vendore (60%) renditen gjithashtu si arsye të rëndësishme për ngecjen e procesit. Sipas IDUEP, rezultatet tregojnë se sfidat kryesore nuk janë vetëm të jashtme, por thellësisht të lidhura me situatën e brendshme politike dhe funksionimin institucional.

Çfarë kërkojnë të rinjtë nga BE-ja?

Kur pyeten për temat që i lidhin me BE-në, të rinjtë vënë theksin te mundësitë konkrete:

76,2% kërkojnë mundësi për punësim dhe jetesë në vendet e BE-së,

55,1% interesohen për programet edukative si Erasmus+,

50% për çështjet e të drejtave të njeriut.

Interesa të tjera përfshijnë mbrojtjen e mjedisit (48,1%), digjitalizimin dhe inovacionin (44,5%) dhe shkëmbimin kulturor (32,2%).

Anketa është realizuar nga IDUEP – Shkup në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Ekselencë (ECE – Bruksel), Fondacionin “Friedrich Naumann” dhe platformën rinore “Studentarija”. Ajo përfaqëson një pasqyrë të rëndësishme për institucionet kombëtare dhe për vetë BE-në, duke treguar domosdoshmërinë për veprime konkrete për të rinjtë dhe për të ardhmen evropiane të vendit.(INA)

Continue Reading

Lajme

Prej sot regjim i posaçëm për automjetet e rënda transportuese në rrugët shtetërore

Published

on

By

Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Lidhja Auto Moto e Maqedonisë (LAMM) rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Nga 1 korriku deri më 31 gusht, në rrugët shtetërore në Maqedoni po vendoset një regjim i përkohshëm veror i trafikut, i cili ndalon lëvizjen e automjeteve të rënda transportuese me një masë totale mbi 15 ton, gjatë fundjavës dhe në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta. Terminet janë si më poshtë:

e premte nga ora 17:00 deri në 22:00,

e shtunë nga ora 09:00 deri në 18:00 dhe

e diel nga ora 09:00 deri në 22:00.

Në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndalesa do të zbatohet edhe nga e hëna deri të enjten nga ora 11:00 deri në 17:00.

Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë, lule, ndihmë humanitare, kultura drithërash dhe mallra që prishen, naftë dhe derivate të naftës, transport të materialeve të rrezikshme dhe automjete që kryejnë transport për kompani që kanë lidhur kontrata për zbatimin e projekteve në rrugët shtetërore me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore.

Në rrugën magjistrale A2: aksi rrugor Shkup – Ohër – Shkup (e vlefshme deri më 1 shtator),lëvizja e automjeteve të rënda transportuese, masa totale e të cilave tejkalon 7.5 ton, ndalohet gjatë fundjavave, në intervalet e mëposhtme:

e premte nga ora 15:00 – 22:00,

e shtunë nga ora 07:00 deri në 12:00 dhe nga ora 18:00 deri në 24:00

e diel nga ora 07:00 deri në 22:00.

Ky regjim i veçantë trafiku vendoset gjatë verës me qëllim që të shmanget mbingarkesa e trafikut në aksin rrugor që të çon në destinacionin turistik më të vizituar në Republikën e Maqedonisë, të zvogëlohet mbingarkesa në pikat e pagesës dhe në përgjithësi të sigurohet rrjedhë më e shpejtë e automjeteve dhe lëvizje e papenguar e turistëve.

Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihmë humanitare, drithëra dhe të lashta, si dhe mallra që prishen lehtë.

Continue Reading

TOP Lajme