Gazetari dhe analisti Seladin Xhezairi komenton për Flaka sondazhin më të fundit të Market Vision, duke e cilësuar si pasqyrë të zhgënjimit ndaj qeverisjes së VLEN-it me VMRO-DPMNE-në dhe ZNAM-in.
Driton Zenku
Në një prononcim për Flaka, gazetari dhe analisti i njohur Seladin Xhezairi ka komentuar rezultatet e sondazhit më të fundit të publikuar nga MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë Market Vision, duke theksuar se shifrat reflektojnë realitetin politik dhe zhgënjimin e thellë të elektoratit shqiptar ndaj koalicionit qeverisës VLEN.
“Sondazhet reflektojnë zbythjen dhe zhgënjimin e shqiptarëve”
“Këto si dhe sondazhe të mëhershme, përkojnë me realitetin nëpër të cilin po kalon Maqedonia e Veriut, përkatësisht ato, kur është fjala për shqiptarët, reflektojnë zhgënjimin e votuesve me ata që në zgjedhjet e fundit premtuan shumëçka, ndërsa pas më shumë se një viti qeverisjeje me VMRO-DPMNE-në dhe ZNAM-in, kemi një zbythje që po sanksionohet edhe përmes këtyre sondazheve,” thotë Xhezairi.
Sipas tij, grupimi që gëzonte përkrahjen e Prishtinës zyrtare dhe kryeministrit Kurti, ka dështuar në të dyja frontet – të brendshëm dhe ndërkombëtarisht.
“Në gjykimin tim, grupimi politik që ka mbështetjen e LVV-së dhe kryeministrit Albin Kurti, dështoi si në planin e brendshëm – kemi një degradim të interesave shqiptare – ashtu edhe në atë të jashtëm, ku negociatat për aderim të plotë në BE mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së ndryshimeve kushtetuese. Fitohet përshtypja se partia VMRO-DPMNE dhe kreu i saj, kryeministri Hristijan Mickoski, po e realizojnë në plotëni programin e tyre parazgjedhor, duke e bërë Maqedoninë – të maqedonasve, ndërsa katër subjektet shqiptare duket se vetëm janë të kënaqura me postet që ushtrojnë,” deklaron Xhezairi.
Nga analiza e Seladin Xhezairit del qartë se sondazhi i fundit nuk është i rastësishëm, por një pasqyrim i tendencave në rënie të mbështetjes për koalicionin VLEN. Zhgënjimi i votuesve shqiptarë ndaj performancës qeverisëse, dështimi për të avancuar interesat kombëtare dhe përmbushja e agjendës së VMRO-DPMNE-së në dëm të përfaqësimit të shqiptarëve janë faktorët kyç që kanë ndikuar në këtë zbythje. Flaka