Connect with us

Lajme

Minçev demanton VLEN-in: S’ka më punësim me etni – Ligji i ri për përfaqësim shkon në Komisionin e Venecias

Published

on

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, njoftoi se propozim-ligji për përfaqësim të drejtë do të shqyrtohet në seancën e sotme qeveritare dhe më pas do t’i dërgohet për vlerësim Komisionit të Venecias, përpara se të procedohet në Kuvend.

Duke komentuar përmbajtjen e ligjit, Minçev theksoi se fokusi do të jetë te punësimi në bazë të kompetencës, cilësisë dhe profesionalizmit, e jo përkatësisë etnike.

“Ligji është përgatitur nga një grup ekspertësh, sipas parimeve kushtetuese dhe Marrëveshjes së Ohrit. Balancuesi është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ndaj nevojitej një kornizë e re. Përfaqësimi i drejtë do të rregullohet përmes akteve nënligjore, në koordinim me rekomandimet e Komisionit të Venecias,” tha Minçev.

Ndërkohë, BDI ka reaguar ashpër, duke e cilësuar ligjin si një përpjekje për të zëvendësuar një mekanizëm të detyrueshëm dhe funksional me një strukturë joefektive dhe të mjegullt. Sipas tyre, ligji rrezikon pasqyrimin real të përbërjes etnike në administratë, dhe dobëson përfaqësimin e drejtë.

Continue Reading

Lajme

ASH: Ligj i VLEN-it – Draft i Tanjës! Përfaqësimi i drejtë, i dorëzuar me krenari në duart e diskriminimit

Published

on

By

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje në seancë qeveritare Propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një tekst që jo vetëm nuk garanton barazi, por e rrëshqet përfaqësimin e shqiptarëve në terrenin e përjashtimit të heshtur institucional.

Që në fillimet e këtij procesi, Aleanca për Shqiptarët ka paralajmëruar me këmbëngulje se ky ligj përmban kurthe të rrezikshme, të fshehura pas një gjuhe burokratike dhe standardesh universale që nuk i përgjigjen realitetit diskriminues të administratës shtetërore. Kemi theksuar në vazhdimësi se çdo ligj që nuk garanton matje proporcionale, nuk parashikon sanksione, dhe nuk e trajton përkatësinë etnike si kategori e domosdoshme për politika publike, është një ligj për dekor e jo për drejtësi.

Fatkeqësisht, ajo që paralajmëruam sot po bëhet realitet: përfaqësues të VLEN-it jo vetëm që nuk e kundërshtuan këtë produkt politikisht të dëmshëm, por po krakosen me krenari për një ligj të hartuar nga Tanja Karakamisheva-Jovanovska – figurë e njohur për përpjekjet e saj sistematike për të relativizuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për ta zhveshur përfaqësimin etnik nga çdo garanci konkrete.

Në vend që të garantojë barazi reale, ky ligj e trajton deklarimin e përkatësisë etnike si një element “vullnetar”, gjë që pamundëson ndërtimin e çdo mekanizmi të detyrueshëm për përfaqësim proporcional. Nuk ka as kalkulim të bazuar në të dhënat e regjistrimit, as sistem të matshëm të përfshirjes. Vetëm fjalë si “meritë” dhe “kompetencë”, që në kontekstin tonë burokratik dhe të politizuar, përdoren si mjete për përjashtim të heshtur.

Balancuesi, mekanizmi i vetëm që deri tani ka ofruar mundësinë për monitorim statistik, hiqet pa asnjë zëvendësim funksional. Në vend të tij, ligji propozon një “Trup Koordinues”, pa kompetenca ekzekutive dhe pa të drejtë sanksioni – një strukturë formale që nuk mund të bëjë asgjë përveç raportimit të zbrazët. Po ashtu, në asnjë dispozitë të këtij ligji nuk parashihen masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin. Në mungesë të sanksioneve, ky ligj është një dokument i pafuqishëm, pa dhëmbë, dhe i krijuar për të mos pasur ndikim.

Për më tepër, në këtë tekst nuk bëhet asnjë referencë ndaj Kushtetutës apo Marrëveshjes së Ohrit, duke e ndarë qëllimisht ligjin nga themelet e tij legjitime dhe historike. Ky nuk është ligj i përfaqësimit të drejtë – është legalizim i diskriminimit përmes gjuhe administrative.

Ajo që e bën këtë situatë edhe më të rëndë është sjellja e përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, të cilët në vend se të mbrojnë interesin e qytetarëve që i përfaqësojnë, sot shfaqin entuziazëm për një ligj që ua ka hartuar një autore e diskredituar politikisht dhe ideologjikisht. Për të njëjtin ligj që Aleanca për Shqiptarët e ka denoncuar prej muajsh si të rrezikshëm, përfaqësuesit e VLEN-it sot japin deklarata krenarie dhe e shesin si arritje!

Aleanca për Shqiptarët rithekson që ky ligj është rezultat i një procesi të mbyllur, jo-gjithëpërfshirës, dhe të njëanshëm. Është dëshmi e qartë e asaj çfarë ndodh kur përfaqësimi politik shqiptar reduktohet në dekor qeveritar dhe hesht përballë vendimeve që dëmtojnë interesin e qytetarëve shqiptarë.

Prandaj, kërkojmë urgjentisht që Kuvendi të ndalojë avancimin e këtij projektligji dhe të iniciohet një proces i ri, transparent dhe gjithëpërfshirës, ku përfaqësuesit shqiptarë, ekspertët e komunitetit dhe institucionet relevante të kenë rol të drejtpërdrejtë dhe vendimtar në hartimin e një ligji të drejtë, të zbatueshëm dhe me garanci reale.

Ky nuk është moment për heshtje dhe aq më tepër për vetëknaqësi të përfaqësueve jolegjitim të VLEN-it – është moment për rezistencë politike me të gjitha mekanizmat demokratike, thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.

Continue Reading

Lajme

Degradimi institucional i shqiptarëve – një pasqyrë e sfidave nën qeverisjen VLEN

Published

on

By

Editorial nga PressOnline.al

Koalicioni VLEN, përbërë nga Lëvizja Demokratike, BESA dhe Alternativa, erdhi në pushtet me premtime të mëdha për përfaqësimin e interesave shqiptare dhe avancimin e çështjeve kombëtare në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, pas një periudhe qeverisjeje, shqetësimet dhe pakënaqësitë brenda shqiptar janë bërë të dukshme dhe po rriten dita-ditës, shkruan PressOnline.al

Një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë është mungesa e rezultateve konkrete në sektorët jetikë si arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik në komunat me shumicë shqiptare. Për shumë qytetarë, premtimet për përparim në këto fusha janë mbetur thjesht fjalë pa mbështetje dhe realizim në realitet.

Gjithashtu, brenda koalicionit VLEN janë evidentuar tensione dhe përçarje, të cilat ndikojnë në mungesën e një qëndrimi të përbashkët dhe një vizioni të qartë për të ardhmen. Kjo situatë dobëson jo vetëm unitetin politik por edhe besimin e qytetarëve që presin bashkëpunim efikas dhe vendime të shpejta për problemet që i prekin direkt.

Shqiptarët ndjehen të anashkaluar, pasi nuk kanë përfaqësimin e duhur në nivelet më të larta të pushtetit, duke e parë veten më shumë si partnerë të dobët sesa si bashkëqeverisës të barabartë.

Në këtë kuadër, qytetarët shqiptarë kërkojnë një ndryshim rrënjësor: një qeverisje që do të sjellë rezultate të prekshme, do të forcojë unitetin politik shqiptar dhe do të përfaqësojë me dinjitet interesat e komunitetit në çdo vendim të rëndësishëm – jo një qeverisje servile dhe pa takat.

Qeverisja e koalicionit VMRO – VLEN për një vit tregon një degradim të dukshëm institucional të komunitetit shqiptar, i cili përballet me pengesa dhe sfida të shumta në rrugën e tij drejt barazisë dhe integrimit evropian.

Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet përfaqësim i Drejtë. Po ashtu, Ligji për Gjuhët, që duhet të jetë një gur themeli i përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, mbetet i mangët në zbatim. Mungesa e aplikimit të këtij ligji përkeqëson ndjenjën e diskriminimit dhe pamundësisë për përdorimin e gjuhës amtare në jetën publike.

Një tjetër problem madhor është heqja e kriterit 20% si si referencë kushtetuese për Shqipen. Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, koalicioni VLEN nuk ka arritur të finalizojë përmirësime që do të forconin pozicionin institucional të shqiptarëve. Integrimi në Bashkimin Evropian, i cili duhet të ishte prioritet strategjik i qeverisë, po shkon me hapa të ngadaltë dhe pa rezultate konkrete. Kjo krijon një hendek mes pritshmërive të shqiptarëve dhe realitetit politik dhe ekonomik në vend.

Në këtë situatë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ndjehen të degraduar institucionalisht, me një përfaqësim të dobët, ligje të pambyllura dhe një perspektivë të zymtë integrimi.

Në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, narativa nacionaliste e partisë VMRO-DPMNE ndaj shqiptarëve vazhdon të jetë një pengesë e madhe për përparimin dhe barazinë e komunitetit shqiptar. Kjo narrativë, që shpesh ka për qëllim të minojë të drejtat dhe pozicionin politik të shqiptarëve.

VMRO-DPMNE ka kultivuar prej vitesh një qëndrim skeptik dhe shpesh armiqësor ndaj kërkesave shqiptare për barazi dhe përfaqësim të drejtë. Kjo përfshin kundërshtimin ndaj ndryshimeve kushtetuese, ligjeve për gjuhët dhe çdo iniciativë që fuqizon pozicionin institucional të shqiptarëve. Duke u mbështetur në këtë narrativë, VMRO ka ndikuar në bllokimin ose zvarritjen e proceseve të rëndësishme që lidhen me të drejtat e komunitetit shqiptar.

Nga ana tjetër, koalicioni VLEN, po e shfrytëzon këtë situatë politike për të konsoliduar pushtetin e tij, por jo gjithmonë në mënyrë që të avancojë interesat reale të shqiptarëve. Në disa raste, politika e VLEN është perceptuar si kompromis i tepërt dhe dorëzim ndaj presioneve maqedonase, duke sjellë një degradim të pozitës institucionale të shqiptarëve dhe mungesë progresi në çështjet kyçe si Ligji për Përfaqësim të Drejtë, Ligji për Gjuhët, ndryshimet kushtetuese per heqjen e 20 % për Shqipen dhe futjen e komunitetit bullgar në Preambulë.

Kjo dinamikë e dyfishtë – nacionalizmi maqedonas i VMRO-DPMNE-së dhe qasja e rezervuar e koalicionit VLEN – po krijon një qorrsokak për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Në vend që të shfrytëzohet si mundësi për bashkëpunim dhe përparim, situata po përdoret për të mbajtur shqiptarët në një pozicion të dobët institucional dhe politik.(PressOnline.al)

Continue Reading

Lajme

Sindikata godet problemet në shëndetësi: Parkim i pasigurt, mungesë digjitalizimi dhe urgjenca në kolaps – kërkesa të qarta për ministrin e ri

Published

on

By

Pas emërimit të ministrit të ri të Shëndetësisë, Azir Aliu – reagimet nuk kanë munguar nga sektori sindikal. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punonjësve Shëndetësorë, Bobi Bojçevski, përmes një deklarate për PressOnline.al ka theksuar nevojën urgjente për një qasje profesionale dhe menaxheriale në udhëheqjen e sektorit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut.

“Ne si lëvizje sindikale gjithmonë kemi kërkuar dhe kemi shpresuar që në krye të Ministrisë së Shëndetësisë të vijë një menaxher i vërtetë, një person që ka vizion dhe aftësi për të zbatuar reforma të domosdoshme në këtë sektor. Kërkojmë një ministër që e njeh sistemin nga brenda dhe që nuk do t’i shërbejë interesave politike, por qytetarëve dhe punonjësve të shëndetësisë”, deklaroi Bojçevski.
Sipas tij, sistemi aktual shëndetësor ka nevojë për transformim rrënjësor, që mund të realizohet vetëm nëse udhëhiqet nga persona të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime të guximshme.

“Ne nuk kemi nevojë për figura dekorative, por për profesionistë që e dinë se çfarë kërkon realisht sektori i shëndetësisë. Të gjitha kërkesat tona janë të drejta, dhe presim që ministri i ri të dëgjojë zërin e punonjësve që janë shtylla e këtij sistemi”, shtoi Bojçevski.
Ai rikujtoi se sindikata është e hapur për bashkëpunim dhe për dialog konstruktiv, por njëkohësisht do të jetë e zëshme dhe e vendosur kur bëhet fjalë për të drejtat dhe dinjitetin e punonjësve shëndetësorë.

Një nga problemet më të mëdha dhe të vazhdueshme me të cilat përballen pacientët dhe stafi mjekësor në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup është mungesa akute e parkimit. Kështu deklaron Sindikata e Pavarur e Punonjësve Shëndetësorë dhe e personelit administrativ-teknik, duke alarmuar për gjendjen e rënduar me automjetet e dëmtuara dhe mungesën totale të sigurisë në hapësirat ekzistuese.

“Sipas statistikave tona, 99% e të punësuarve në Qendrën Klinike kanë pasur probleme me automjetet e tyre – nga dëmtimet dhe gërvishtjet, deri te pamundësia për të gjetur një vend të sigurt parkimi. Shkojnë me veturë të padëmtuar, kthehen me veturë të dëmtuar. Nuk ka kamera, nuk ka përgjegjës, nuk ka askënd për të mbuluar dëmin,” thuhet në reagimin sindikal të siguruar nga PressOnline.al
Sindikata i bën thirrje institucioneve kompetente, përkatësisht Qendrës Klinike, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ndërmarrjes Publike për Parkim, të bashkëfinancojnë ndërtimin e një garazhi me kate, i cili do të ishte zgjidhje ekonomike dhe afatgjatë për këtë problem.

“Ky objekt do të ishte ndër më profitabilët në të gjithë kompleksin e klinikave, sepse përveç stafit do të shërbente edhe për pacientët dhe vizitorët,” thuhet më tej në reagim.
Në të njëjtën kohë, Sindikata ngrit edhe një pyetje serioze: pse ende nuk është ndërtuar Klinika e re, ndonëse për vonesat po paguajnë penalitete vetë qytetarët?

Sindikata liston pesë prioritete që ministri i ri duhet të ketë në fokus:

1. Punësimi urgjent i stafit shëndetësor dhe teknik, për shkak të mungesës në institucionet publike shëndetësore;
2. Zgjidhja përfundimtare e kontratave të përkohshme me “kontratë vepre”;
3. Regionalizimi i sistemit shëndetësor;
4. Përmirësimi i shërbimit të Urgjencës në qytetin e Shkupit;
5. Investimi në pajisje mjekësore dhe mbështetje për shoqatat brenda sektorit shëndetësor.

Sindikalistët nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” në Shkup kanë ngritur një sërë shqetësimesh serioze për kushtet e punës dhe shërbimeve për pacientët, duke i dërguar një listë me kërkesa të qarta ministrit të ri të Shëndetësisë.

Në deklaratën e Sindikatës së Pavarur të Punonjësve Shëndetësorë dhe personelit administrativ-teknik, theksohet si problem madhor mungesa e hapësirave të sigurta për parkim, dëmtimi i përditshëm i automjeteve të stafit, mungesa e kamerave dhe përgjegjësisë për dëmet.

“Shkojnë me veturë të padëmtuar, kthehen me veturë të dëmtuar. 99% e të punësuarve kanë përjetuar ndonjë dëmtim. Nuk ka kamerë, nuk ka as përgjegjës, e as zgjidhje,” thuhet në deklaratë.

Sindikata propozon ndërtimin e një garazhi me kate me bashkëpunim institucional mes Klinikës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ndërmarrjes Publike të Parkimit, me vlerë të lartë ekonomike dhe efekt të menjëhershëm.
Përveç infrastrukturës, një çështje e nënvizuar është digjitalizimi i sistemit shëndetësor, që mbetet prapa standardeve moderne.

“Ende përdorim libreza shëndetësore, receta dhe referime në letër, si dhe vërtetime që lëshohen me dorë. Sistemi ‘Termini im’ duhet të zgjerohet dhe të modernizohet. Duhet të kemi një kartelë digjitale shëndetësore, me të cilën pacienti të paraqitet te mjeku amë apo specialist – si në çdo shtet të BE-së. Mjaft më me letra.”(PressOnline.al)

Continue Reading

TOP Lajme