Dy automjete zyrtare të cilat përdoren nga zëvendëskryeministrat Izeti Mexhiti dhe Arbër Fetai, janë fotografuar të parkuara në mënyrë të paligjshme rreth orës 23:00, pranë qendrës tregtare “Mavrovka” në Shkup, në afërsi të selisë së VLEN-it. Kjo është dokumentuar nga i portali 360 shkallë”, i cili ka ngritur pyetje të qarta për përdorimin e këtyre makinave, por nuk ka marrë përgjigje nga asnjë institucion shtetëror.
“Shkoda SuperB 4×4 me targa SK 4681 BS është në përdorim të zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Mjedis Jetësor, Izeti Mexhiti, ndërsa automjeti tjetër, me targa SK 4685 BS, përdoret nga zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arbër Fetai”, konfirmoi Zyra për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë për “360 shkallë”.
Një automjet i tretë i parkuar në të njëjtin vend, me targa SK 5227 BS, sipas të njëjtës zyrë, nuk figuron në pronësi shtetërore.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 15 korrikut 2025. Pyetjet që “360 степени” u dërgoi institucioneve ishin të drejtpërdrejta:
– Çfarë detyrash zyrtare kishin dy zëvendëskryeministrat në atë orë të vonë?
– Pse automjetet zyrtare ishin të parkuara në mënyrë të paligjshme në një nga bulevardet kryesore të Shkupit?
Megjithatë, as nga Qeveria, as nga Ministria e Mjedisit Jetësor, as nga kabineti i Fetait nuk ka ardhur ndonjë përgjigje – edhe pas dy ditësh pune.
Kjo heshtje vjen vetëm disa ditë pasi kryeministri Hristijan Mickoski lavdëroi qeverinë e tij për përpjekjet kundër klientelizmit dhe korrupsionit sistematik, duke deklaruar:
“Kur e morëm përgjegjësinë për ta drejtuar shtetin, gjetëm institucione të bllokuara në rrjeta abuzimi dhe sistem korruptiv.”
Por realiteti në terren flet ndryshe.
“Fotografitë janë bërë para se të futen targat me ngjyrë për veturat zyrtare. Ne i pamë ato, i pyetëm dhe do të vazhdojmë të pyesim – çfarë do të ndërmarrë Qeveria?”, thotë “360 shkallë”.

Iviça Tomovski nga zyra qeveritare kishte paralajmëruar më parë se makinat shtetërore do të pajisen me targa të veçanta për t’u identifikuar lehtësisht:
“Do të jenë të dukshme si flamuri – kjo është qëllimi, që çdo veturë zyrtare të shihet.”
Por ndërkohë, sjellja e zyrtarëve të VLEN-it nuk përputhet me këto deklarata.
Paradoksi thellohet nga fakti që partia më e madhe në koalicionin qeveritar, VMRO-DPMNE, për vite me radhë në opozitë ka denoncuar përdorimin e veturave zyrtare për qëllime private, madje ka kërkuar dorëheqje të ministrave në raste të ngjashme.
“Tani, kur janë në pushtet, mbretëron heshtja”, komenton “360 shkallë”.
Kjo situatë hedh hije dyshimi mbi përkushtimin real të qeverisë për t’i dhënë fund abuzimeve me resurset publike dhe tregon se, në vend të ndryshimit të premtuar, praktikat e vjetra po vazhdojnë në mënyrë të heshtur dhe të pandërprerë, shkruan 360 Shkallë në gjuhën maqedonase, trasnsmeton Flaka.