Aleanca për Shqiptarët dhe unë personalisht, si ish-ministër i Shëndetësisë, shpreh shqetësim të thellë për vendimin për refuzimin e punësimit të 155 punonjësve shëndetësorë në Spitalin Klinik të Tetovës. Ky është një akt i papranueshëm dhe i dëmshëm për një nga institucionet kyçe të shëndetësisë në rajon, në një kohë kur qytetarët presin shërbim efikas dhe të barabartë.
Faktet janë të qarta:
Më 15 korrik 2025, Ministria e Financave ka kthyer përgjigje negative ndaj një kërkese zyrtare të dorëzuar më 2 korrik 2025 nga Spitali i Tetovës në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo kërkesë ka ardhur pikërisht në kohën kur ministrin e udhëhiqte z. Azir Aliu.
Pyetja është e thjeshtë dhe direkte:
Pse nuk është bërë asnjë përpjekje nga Ministri aktual për ta mbështetur dhe ndikuar që kjo kërkesë të miratohej?
Në vend të veprimit, kemi vetëm heshtje dhe justifikime.
Kur lashë Ministrinë, të gjitha procedurat për 300 + 300 specializantë ishin të përgatitura. Grupi i parë pothuajse ishte realizuar. Ku është grupi i dytë sot?
Çdo kërkesë e ardhur nga institucionet shëndetësore gjatë mandatit tim është trajtuar me prioritet dhe është përcjellë për miratim nga organet financiare. Çdo gjë me dokumente, çdo veprim me përgjegjësi.
Meqë përmendem publikisht, nuk do shmangem nga disa pyetje publike që i drejtohen ministrit të ashtuquajtur të “5 shtyllave” dhe “strategjisë së ChatGPT-së”:
1. Premtuat që 300 punonjës shëndetësorë do të sistemohen në Qendrën Limak nga 1 Korriku. Deri ku keni arritur? Pse jeni në vonesë?
2. Ku janë kontrollet falas për çdo 40-vjeçar që i keni premtuar me bujë?
3. Dërguat informatë në Qeveri për t’ia lënë parkingun e Qendrës Klinike në menaxhim Qytetit të Shkupit. A kishte marrëveshje? Pse u tërhoqët? Çfarë fshihet pas kësaj?
4. Bëni zhurmë për reforma në sistemin “Termini Im”, por nuk keni as kontratë mirëmbajtjeje. Si funksionon një reformë pa bazë ligjore e teknike?
5. Muri mbrojtës pranë Pediatrisë në Klinikën e Tetovës – buxheti është siguruar dhe ekziston vendim i Qeverisë. Pse nuk ndërtoni? Ky mur përbën rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët.
Unë këtë prononcim po e bëj pas orarit të punës, sepse ministri nuk përgjigjet në orar të punës. Më falni për vonesën.
Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë kur bëhet fjalë për shëndetin dhe dinjitetin e qytetarëve tanë.
Klinika e Tetovës nuk është arenë eksperimentale politike, por institucion që ka nevojë për mbështetje të menjëhershme dhe trajtim serioz.
Përgjegjësia është individuale dhe institucionale.
Në këtë rast, ministri e ka emrin dhe mbiemrin të shkruar në dokument.
Aleanca për Shqiptarët